Konferenca/    Aktorët e drejtësisë pranojnë korrupsionin në gjyqësor

0
138

Sonila Mesareja

 

Presidenti dhe ministri, përplasje për mënyrën e reformimit në drejtësi. Naço:

Institucionet e brishta para korrupsionit, duhen reforma. Nishani: Reformat të vijnë nga brenda komunitetit të gjyqtarëve, jo prej politikës

 

 

 

xhezair zaganjoriNë gjyqësor ka korrupsion. E pranojnë këtë që nga kreu i vendit, në cilësinë e kryetarit të KLD-së, ministri i Drejtësisë, kreu i Gjykatës së Lartë, por edhe aktorë të tjerë të këtij sistemi, madje edhe vetë nga radhët e gjyqësorit. U pranua sërish dje në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, ku të pranishëm ishin gjyqtarët e gjithë Shqipërisë, nga të tri radhët e gjyqësorit, nga tre aktorët kryesorë të drejtësisë, Presidenti Bujar Nishani, ministri Nasip Naço dhe kryegjyqtari i vendit, Xhezair Zaganjori. Madje, numri një i KLD-së shkoi më tej në akuzat e tij, kur theksoi se “midis gjyqtarëve në Shqipëri, ekzistojnë prej tyre që kur nisin punën në mëngjes mendojnë për zarfin me para që do të marrin nga avokati për të mbyllur një çështje”. Por, pavarësisht kësaj, z. Nishani sugjeroi si një mënyrë për të mos pasur korrupsion në gjyqësor, rritjen e rrogës së një gjyqtari, edhe më të lartë se rroga e një presidenti. Megjithatë, pavarësisht se ishin bashkë në momentin e pranimit të pranisë së korrupsionit në gjyqësor, edhe mbi mendimin me të cilin ngrihen gjyqtarët në mëngjes, presidenti dhe ministri patën sërish përplasje mes tyre mbi mënyrën se si duhet luftuar.

 

Përplasja

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, tha se institucionet që japin drejtësi në Shqipëri mbeten ende të brishta ndaj korrupsionit, ndërsa theksoi se duhet të rritet më tej efiçenca e sistemit dhe transparenca në gjykata. Sipas ministrit Naço, klima e mosbesimit që ka përfshirë sistemin e drejtësisë duhet të ndryshohet me reforma. Naço solli në vëmendje kërkesat që ka ngritur për përmirësimin e gjyqësorit, sic është nisma për rishikimin e vlerësimit të gjyqtarëve, përmbyllja e procesit të emërimeve në gjykata administrative, dhe zgjidhja e mosemërimit të magjistratëve. Ndërkohë që, duke dënuar rastet e abuzimit me detyrën nga gjyqtarë të caktuar, apo të praktikave korruptive në sistem, kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e zbatimit të penaliteteve për abuzuesit. “Bashkohem me opinionin që sistemi ynë i drejtësisë ka probleme, herë pas here serioze. Kemi individë që nga pikëpamja profesionale dhe formimit nuk kanë asnjë lidhje me këtë profesion, dhe ju dëmtojnë të gjithë juve, dhe gjithë sistemin e drejtësisë. Këto raste krijojnë krijimin e një perceptimi të gabuar për sistemin tonë të drejtësisë, pasi në Shqipëri ka gjyqtarë me një nivel të admirueshëm profesional. Dhe këtu qëndron beteja. Duhet të penalizohen aktet korruptive. Janë 4 gjyqtarë të përjashtuar nga sistemi dhe të penalizuar. I kam kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm që të verifikojnë dhe të jenë hetues të thellë të çdo rasti korruptiv. Duhet me forcën e ligjit të godasin çdokënd që dëmton qytetarit dhe njollos gjithë sistemin e drejtësisë”, – tha Presidenti Nishani. Por, ajo që ndante presidentin nga ministri ishin reformat që duheshin ndërmarrë. “Reformat janë të domosdoshme. Do preferoja që reformat në gjyqësor, mos të udhëhiqeshin nga politika, por nga komuniteti i gjyqtarëve. Nuk kemi nevojë të shpikim dhe të gjejmë modele të reja, fare mirë mund t’i adaptojmë modelet evropiane. Gjyqtari përçon reformën në drejtësi tek qytetari”, – replikoi presidenti Nishani pas fjalës së ministrit Naço.

 

Zaganjori/ Vazhdon e njëjta problematikë, vonesat në procese gjyqësore

Konferencën Gjyqësore Kombëtare e hapi kreu i saj, prof. dr. Xhezair Zaganjori, i cili theksoi rëndësinë e vijimit të reformave në sistemin e drejtësisë, duke u shprehur se lufta ndaj korrupsionit është një çështje e rëndësishme për drejtësinë shqiptare. Ndërkaq, Zaganjori është ndalur tek problematikat kryesore me të cilat përballet sot sistemi i drejtësisë në vendin tonë. “Lufta kundër korrupsionit është një nga çështjet me të rëndësishme me të cilat përballet sot drejtësia shqiptare. Ka ende të meta në procesin gjyqësor. Ndërkombëtarët kanë dhënë një kontribut të çmuar në përmirësimin e sistemit gjyqësor në vend. Cilësia e vendimeve gjyqësore është ende e dobët. Ka një numër të madh çështjesh të akumuluara që përbën problem shqetësues për gjykatat. Dhe duhet të shtrohen dhe të gjenden zgjidhje të përshtatshme. Shoqëria shqiptare prodhon një numër të madh konfliktesh, një pjesë e tyre e prodhuar nga vetë shteti. Ndaj kërkohen mekanizma. Një pjesë e tyre mund të zgjidhen nëpërmjet ndërmjetësimit. Duhet të disiplinohet puna e gjyqtarëve në raport me publikun. Duhet të ketë një menaxhim më të mirë të kohës në realizimin e procesit, për t’i realizuar proceset pa vonesa. Duhet të përshëndetet puna e bërë nga Gjykata Administrative e Apelit, për marrjen e masave për plotësimin e nevojave me ndihmesa. Edhe pse numri i çështjeve të grumbulluara në vite në këtë gjykatë vazhdon të jetë i lartë. Shpreh bindjen se gjendja do të përmirësohet dukshëm në realizimin e çështjeve të gjykimit. Do të donim të bëheshin sa më parë ndryshimet në ligj për çështjet e Gjykatës Administrative. Gjykata e Lartë nuk duhet të punojë nën presionin e numrit të madh të çështjeve. Kjo gjykatë nuk është fabrikë. Numri i çështjeve që shqyrton në seancë duhet të jetë i kufizuar. Këto problematika shtrojnë nevojën për vijimin e reformave në sistemin e drejtësisë”, – u shpreh Zaganjori. Ndër arritjet e deritanishme të sistemit gjyqësore, kreu i Gjykatës së Lartë, përmendi krijimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative, ndryshimet ne Gjykatën e Lartë, në Kod, duke ulur ngarkesën e çështjeve dhe duke përmirësuar shpejtësinë dhe cilësinë e proceseve. “Hartimi i prioriteteve ka nevojë për pjesëmarrjen dhe për kontributin e të gjithë aktorëve të përfshirë në gjyqësor, klasës politike dhe vetë qytetarëve”, – tha Zaganjori.

 

Urias: Keni përvojën për të luftuar korrupsionin

Ish-drejtuesi i misionit EURALIUS III, Joaquin Urias, tha se shqiptarët kanë përvojën e nevojshme dhe aftësitë për të thelluar luftën ndaj korrupsionit, edhe pa pasur nevojë prezencën e ekspertëve amerikanë apo europianë të sistemit të drejtësisë. Sipas Urias, ka një sërë praktikash që mund të ndiqen për të zgjidhur problemet në drejtësi, ndërsa theksoi rëndësinë e përcaktimit të objektivave dhe qëllimeve në këtë drejtim. “Ne nuk kemi parë vetëm një progres ekonomik në rritjen e standardet e jetesës, por edhe në veprimet e gjyqësorit. Por keni një problem që ne duhet ta njohim, duhet të veprojnë të gjithë në luftën ndaj korrupsionit. Nëse ne nuk thyejmë barrierat për të plotësuar ëndrrën tonë në këtë drejtim, do të ketë vështirësi. Shqiptarët nuk kanë nevojë për persona nga SHBA apo Europa, por mund t’ia dilni vetë në këtë drejtim. Gjyqet, proceset, zgjasin shumë, dhe drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ka shumë praktika si të zgjidhet ky problem, disa prej të cilave i përmendi kryetari i Gjykatës së Lartë. Ju duhet të luftoni korrupsioni, të përcaktoni objektivat”, – tha Urias.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency