“ILDKP I HIQET PRESIDENTIT”/ Mazhoranca voton tek Ligjet ndryshimet për zgjedhjen e kreut të ILDKP-së nga Kuvendi, bojkoton opozita

0
119

Florenc Drizari

 

 

 

nishani-bujarOerd Bylykbashi: po shfrytëzohet propozimi që vjen nga ILDKPKI për të bërë atë që ekzakt kërkon të bëjë mazhoranca, të kapë totalisht, edhe me ligj kontrollin e ILDKPKI-së, ose në mënyrë fare qesharake po përpiqet që të tërhiqet fokusi nga ajo që është e vërteta

 

 

Komisioni i Ligjeve u karakterizua dje nga debate të forta mes pozitës dhe opozitës, lidhur me ndryshimet e reja që propozon shumica parlamentare për zgjedhjet ne kreut të ILDKP-së nga Kuvendi i Shqipërisë, ndryshe nga sa ishte më parë ku kreu i shtetit propozonte kandidaturat dhe më pas votoheshin në seancë plenare. Nisma ka mbaërritur në Kuvend, ndërkohë që opozita e ka konsideruar një cënim të rëndë të kompetencave të Presidentit heqjen e të drejtës për të propozuar kreun e ILDKP-së.

Nënkryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Oerd Bylykbashi akuzoi përfaqësuesit e mazhorancës se përmes këtyre ndryshimeve, shumica parlamentare do të kapë ILDKPKI-në . “Duhet që institucionet ligjzbatuese të forcojnë zbatimin e ligjit që ato kanë, se sa të ndryshohet vazhdimisht sepse bëhen edhe ato jo efikase. Duke lënë mënjanë këtë pjesë, sigurisht e gjitha kjo, ose po shfrytëzohet propozimi që vjen nga ILDKPKI për të bërë atë që ekzakt kërkon të bëjë mazhoranca, të kapë totalisht, edhe me ligj kontrollin e ILDKPKI-së, ose në mënyrë fare qesharake po përpiqet që të tërhiqet fokusi nga ajo që është e vërteta. Pikërisht, kontrolli politik, por me ligj i ILDKPKI-së”, tha Bylykbashi.  Më pas deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja. Ndërkaq, relatorja e të dy projektligjeve, deputetja znj. Vasilika Hysi  i cilësoi të dobishme këto nisma, ndaj kërkoi votimin e tyre.

“Nëse ne duam që të forcojmë rolin e këtij institucioni, ne duhet të forcojmë instrumentet e kontrollit që duhet të ketë ILDKPKI. Në këtë kuadër, unë do të sugjeroja z.Kryetar që të kalonin nen për nen dhe aty mund të bëjmë të gjitha diskutimet, ta përmirësojmë. Hajde të bëjmë dhe ndryshime të tjera për ta forcuar këtë institucion dhe të bëhemi promotorë të kësaj lufte ndaj korrupsionit”,- tha Hysi.

Ndërkaq, më herët mazhoranca ka propozuar nismën për heqjen e së drejtës së Presidentit për të propozuar kreun e ILDKP, duke ia kaluar Kuvendit. Përmes një nisme të depozituar në Kuvend e që është përfshirë në kalendarin trejavor të Kuvendit, gjashtë deputetë nga PS dhe LSI të Komisionit të Ligjeve kërkojnë disa rregullime në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”. Propozimi në ligj që prek marrëdhëniet mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit është neni 11 i tij, pika 2, e cila e përjashton kreun e shtetit nga propozimi i kandidaturave për kreun e ILDKPsë. Ligji aktual, në nenin 11, pika 2 shprehet: “Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje”. Me propozimin e ri, i njëjti nen ndryshohet në: “Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet me shumicën e gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej 7 vjetësh, me të drejtë rizgjedhje”. Pas përfundimit të diskutimeve, Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi në parim dy projektligjet, ndërsa anëtarët e opozitës u largua nga komisioni.

 

 

Kreu i ILDKP: Kontroll pasurive të zyrtarëve çdo 7 vjet

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Shkëlqim Shkëlqim Ganaj, raportoi dje në Komisionin e Ligjeve. Kreu i ILDKP-së kërko që gjyqtarët të depozitojnë në bankë, pasuritë e tyre, ndërsa tha se shqetësim përbën mosdeklarimi i makinave nga zyrtarët. Ganaj u shpreh se do të ketë kontroll çdo 4 vjet për gjyqtarët e prokurorët dhe çdo 7 vjet për zyrtarët e tjerë.

Në emër të deputetëve propozues të këtyre ndryshimeve në të dy ligjet, deputeti Armando Subashi paraqiti dhe disa nga ndryshimet.  “Dua të sjell në vëmendje edhe projekt-raportin e fundit të BE-së, ku sigurisht vihej theksi edhe në një luftë më të thelluar dhe më të madhe që duhet të bënte ky institucion në raport me zyrtarët e lartë. Megjithatë, disa nga momentet më të rëndësishme janë ndryshimet që konsistojnë në nenin 4 të ligjit ekzistues, ku ato që quhen sende me vlerë të veçantë, të cilat mund të vijnë në forma të ndryshme, u ulet vlera nga 500 000 në 300 000 lekë”, tha Subashi.

 

 

Dekreti i Presidentit kalon tek Ligjet, Malaj: Kam 21 vite eksperiencë

Komisioni i Ligjeve mori dje në shqyrtim dekretin e Presidentit të Republikës nr.8515, datë 10 mars 2014, “Për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë”. Deputetët e Kuvendit zhvilluan një seancë dëgjimore me kandidatin për anëtar të Gjykatës së Lartë, Alaudin Malaj.  “Vij në këtë seancë me përgjegjësi të lartë. Kam 21 vite punë, me ndershmëri e paanshmëri si dhe me eksperiencë në shqyrtimin e çështjeve administrative. Kam depozituar dokumentacionin e kërkuar dhe nuk kam masa disiplinore si dhe nuk jam marrë me politikë”, tha Alaudin Malaj. Ndërsa Fatmir Xhafaj pyeti kandidatin Malaj se si ka mundësi që KLD-ja, në zbatim të një ligji, ka bërë vetëm një vlerësim për gjyqtarët për vitin 2005-2006 dhe për shtatë vitet e fundit, 2007-2014 , nuk ka asnjë gjykim të ri për gjyqtarët. I pyetur se çfarë duhet të rregullohet në Gjykatën e Lartë nga deputeti Spartak  Braho, kandidati Malaj  u shpreh se Gjykata e Lartë duhet të merret vetëm me dhënien e vendimeve unifikuese. “Dua të them se mendimi im juridik është që duhet të ndërpritet gjykimi i të gjitha çështjeve në Gjykatën e Lartë, me të vetmin synim që Gjykata e Lartë të bëjë vendime unifikuese për të dy shkallët e tjera të gjykimit”, tha  Malaj. Pyetjes së Oerd Bylykbashi, për kritere shtesë, Malaj u përgjigj: “Unë si gjyqtar dhe jurist po ju them që kritere janë ato që parashikon ligji. Nuk ka autoritet asnjë person tjetër që të kërkojë mbi ato kritere për asnjë person”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency