Ambasadori i SHBA-së/   Arvizu: Informaliteti në ekonomi, hallka kryesore e korrupsionit. S’jemi në kohën e Ali Pashës  

0
107

Gëzim Saliu

 

Kryediplomati amerikan: Problem, gjyqtarët e korruptuar. Llalla: Bashkëpunimi me qytetarët

 

 

arvizu ne konferenceInformaliteti në sektorin ekonomik është një nga hallkat më shqetësuese të korrupsionit në Shqipëri. Këtë qëndrim shprehu dje ambasadori amerikan në Tiranë Alexander Arvizu, ku i pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve për skicat e punuara nga nxënësit në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese “Kundërshtoj korrupsionin”, theksoi se problematikë në këtë aspekt paraqesin edhe gjykatësit e korruptuar. “Ajo që më shqetëson më shumë është shtrirja e informalitetit në sektorin ekonomik në Shqipëri. Nuk është thjesht që t’i i paguan një ryshtet një zyrtari por mungesa e llogaridhënies. Në fakt, e di që jo të gjithë merreni me biznesin, por ka disa shprehje si asete, të ardhura shpenzime, kupon, dhe këto janë struktura formale të cilat nëse përdoren imponojnë reduktimin e informalitetit”, – tha kryediplimati amerikan në vend. Duke marrë për bazë përvojën personale në Shqipëri, Arvizu theksoi se i ka bërë përshtypje bujaria dhe zemërgjerësia e shqiptarëve. “Ajo që më ka bërë përshtypje për shqiptarët është bujaria e tyre, gjithmonë të ofrojnë një kafe, duan të jenë mikpritës. Por sfida është se ku ndalon mikpritja dhe zemra bujare dhe ku fillon zhvillimi i biznesit në mënyrë formale. Është diçka të thuash që kafen po e qeras unë sot dhe ndryshe të thuash që ju po konsumoni shumë energji elektrike dhe s’ka nevojë të paguash. Është diçka tjetër kur është dita e pagës dhe t’ju thotë biznesmeni që do t’ju paguajmë disa ditë më pas, kur gjërat të përmirësohen. Kjo është e gabuar, nuk jemi në kohën e Ali Pashës kur tregtohej në mënyrë të tillë. Ju dëshironi të futeni në BE. Të gjithë duhet të mendoni sipas mënyrës moderne”, – deklaroi ambasadori i SHBA-së.

 

Kryeprokurori

Ndërkohë, perceptimet e të rinjve për korrupsionin, përcjellë nëpërmjet pikturave për kreun e organit të Akuzës, Adriatik Llalla, janë një shtysë e fortë për ta luftuar këtë plagë të shoqërisë në çdo hallkë të saj. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve në luftën ndaj korrupsionit, duke denoncuar rastet abuzive. “Të gjithë ne duhet të bashkohemi për të përballuar këtë sfidë të vështirë të shoqërisë shqiptare, luftën ndaj korrupsionit. Ne të gjithë duhet të fokusohemi në luftën ndaj korrupsionit. Falënderoj ambasadën amerikane në Tiranë për mbështetjen e ofruar Shqipërisë në përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Ambasadori Arvizu dhe partnerët amerikanë u angazhuan në këtë fushatë. Qytetarëve iu kërkua të denoncojnë korrupsionin. Përpjekjet tona për ndërtimin e urave të komunikimit me qytetarët do të jenë efektive”, – tha Llalla. Më tej, duke pranuar se korrupsioni është i pranishëm në vend, kryeprokurori tha se Shqipëria do të ndjekë praktikat më të mira evropiane në luftën ndaj kësaj dukurie. “Është fakt që korrupsioni është i pranishëm në Shqipëri, dhe dihet se nuk është problem vetëm i shoqërisë shqiptare, por ne duhet të marrin përvojat më të mira nga vendet evropiane, për të luftuar korrupsionin. Përvoja më e mirë është bashkëpunimi me qytetarët, e veçanërisht me ata që pësojnë nga veprimet korruptive të zyrtarëve. Synojmë forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet publike”, – u shpreh Llalla.

 

 

Takimet përshëndetëse/ Basha pret Sequin: PD, mbështetëse e integrimit. Ambasadori: Do të punoj sërish për Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim lamtumire ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, ku vlerësoi rolin që ambasadori ka luajtur këto vite në Shqipëri, duke kontribuar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe e siguroi diplomatin evropian se Partia Demokratike mbetet një mbështetëse e palodhur dhe pa kushte e integrimit evropian të Shqipërisë. Nga ana e tij, Sequi falënderoi kreun e PD-së për mikpritjen dhe shprehu vlerësimet e tij për qëndrimet e PD-së në qeveri dhe në opozitë në mbështetje të integrimit evropian të Shqipërisë. Po ashtu, edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi dje takimin përshëndetës me ambasadorin e BE-së në Tiranë, të cilit i mbaron afati në këtë post, ndërsa do të vazhdojë të punojë në kabinetin e Ministrisë së Jashtme të Italisë. “Do të doja që në rastin e Sequit të mos kishte terma kohorë për shkak të njohjes së tij të thellë të Shqipërisë. Jam sot i lumtur që ambasadorit Sequi i është besuar një detyrë shumë e rëndësishme si drejtor i kabinetit të ministrit të Jashtëm në Itali. Ky është një ogur i mirë edhe për marrëdhëniet mes dy shteteve, sepse Italia është një partner strategjik për Shqipërinë, pasi do të mbajë edhe presidencën e radhës të BE-së”, – u shpreh Bushati. Ndërkohë, nga ana e tij ambasadori Sequi tha se gjatë këtyre 3 viteve ka ndarë të njëjtin synim me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë punës së tij, ndërsa shtoi se për shkak edhe të pozicionit të tij të ri, do të vazhdojë të punojë për vendin tonë. “Gjatë këtyre 3 viteve janë arritur disa objektiva të rëndësishëm. Siç ka thënë edhe Füle, për Shqipërinë, rruga drejt statusit është e hapur. Po aq e qartë dhe hapur është edhe angazhimi i Shqipërisë për në BE. Dhe së fundmi dua të them se në pozicionin e ri do të kem nderin të punoj sërish për dhe me Shqipërinë”, – deklaroi ai. Ettore Sequi ka mbajtur postin e kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë që prej janarit të vitit 2011, ndërsa në vitin 2004 ka mbajtur postin e zëvendësshefit të misionit diplomatik italian në Tiranë.

 

 

Vizita/ Bushati në Turqi, takon homologun Davutoglu. Përurohet qendra e përbashkët e kulturës

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, do të zhvillojë për dy ditë një vizitë zyrtare në Ankara të Turqisë, ku do të takohet me homologun e tij turk, Ahmet Davutoglu dhe kreun e Komisionit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri Turqi, Rifat Sait. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë kësaj vizite do të përurohet dhe qendra e kulturës së përbashkët Kosovë-Shqipëri. Vizita e ministrit Bushati realizohet pas ftesës së homologut turk Davutoglu dhe në kuadër të bashkëpunimit të një rëndësie strategjike mes dy vendeve, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dypalësh, rajonal dhe atij ndërkombëtar. Ndërsa ditën e nesërme, ministri Bushati do të vizitojë Stambollin, ku do të takohet me përfaqësues të biznesit shqiptar, konsujt e nderit si dhe komunitetin shqiptar të këtij qytet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency