Sa të sigurta janë depozitat e shqiptarëve? Ja ndryshimet në ligj

0
171

Ervin Kaduku

 

Mund të përfitojnë garanci nga shteti edhe depozitat e banorëve të zonave rurale pranë subjekteve të kursim-kreditit, aty ku nuk ka filiale të bankave

 

 

banka_para-euro 37 mijë depozitues që kanë investuar paratë e tyre në shoqëritë e kursim-kreditit do të jenë më të sigurt për paratë e tyre. Qeveria ka parashikuar që të garantojë 1 milion lekë për çdo depozitë në këto shoqëri, ndërkohë që në bankat e nivelit të dytë shuma e garancisë arrin në 2.5 mln lekë. Ky diferencim ka shkaktuar edhe pakënaqësinë e unionit të kursim-kredive, qe në total përmbledh 120 shoqëri në të gjithë vendin.

Gjatë diskutimit të këtij projektligji në komisionin e Ekonomisë, përfaqësues të Agjencisë së sigurimit të depozitave argumentojnë se me këtë masë kompensimi shoqëritë njësohen me sistemin bankar, pasi arrihet të sigurohen 90% e depozituesve.

Agjencitë e kursim-kreditit funksionojnë kryesisht në zonat rurale, aty ku nuk ka filial bankash. Ato ofrojnë interesa të leverdishme, konkretisht për depozitat arrijnë deri në 5.7%. Ndaj edhe deputet e këtij komisioni kërkuan njësim të shumës së sigurimit të depozitave. Shuma e depozitave në këto shoqëri për 37 mijë qytetarë arrin në 20 milionë dollarë.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi dje se skema e sigurimit të depozitave është një nga shtyllat kryesore në rrjetin e sigurimit të sistemeve financiare.

Duke prezantuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave p/ligjin “Për sigurimin e depozitave”, Cani theksoi se duke pasur parasysh se ligji bazë ishte relativisht i vjetër dhe ishte amenduar disa herë, nevojën për ta përshtatur me direktivat e udhëzimet e Bashkimit Evropian, si dhe sinjalet e marra lidhur me nevojën për përshtatjen me praktika më të mira, Ministria e Financave gjykoi se kishte ardhur koha të hartohej një ligj i ri.

“Ligji bën një përshtatje me kuadrin e përgjithshëm të direktivave dhe udhëzimeve të Bashkimit Evropian dhe merr parasysh edhe disa standarde dhe praktika më të mira. Është gjykimi i palëve të interesuara siç janë shoqata e bankave dhe shoqatat e kursim kredive”, – tha z. Cani.

Ministri i Financave bëri një ekspoze të përmirësimeve që sjell projektligji i propozuar. Përmirësimet konsistojnë në procesin e kompensimit të depozituesve dhe rritjen e efiçiencës së procesit; rritjen e autonomisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave duke marrë më shumë kompetenca në marrëdhënie me institucionet e tjera dhe në menaxhimin e fondeve. Është qartësuar fusha e mbulimit me sigurim dhe niveli i sigurimit të primit; kompensimi i depozitave të depozituesve merr përparësi dhe rregullohet më mirë në projektligjin e ri.

Duke u ndalur në këtë pikë të fundit, Cani sqaroi se duke i dhënë përparësi mbrojtjes së interesave të depozituesve sigurohet stabiliteti financiar i të gjithë skemës. Më tej, ai nënvizoi se nëpërmjet projektligjit të propozuar detajohen detyrimet dhe të drejtat e anëtarëve të skemës së sigurimit të depozitave dhe rritet transparenca nëpërmjet informimit publik. Ai vuri në dukje se janë përcaktuar depozitat e sigurueshme dhe ato që dalin jashtë skemës së sigurimit bazuar në kritere që janë në përputhje me direktivën e BE-së.

Po ashtu përcaktohen detyrimet e degëve të bankave shqiptare jashtë vendit dhe të degëve të bankave të huaja që operojnë në Shqipëri. Sipas p/ligjit përmirësohet primi i siguruar i depozitave nga vjetor në 3-mujor. Në këtë pikë, ministri i Financave sqaroi se mbulimi për primin e bankave sigurohet në nivelin 0,5% ndërsa për SHKK-të në nivelin 0,9%. Përmirësime të tjera kanë të bëjnë me drejtimin e ASD-së.

Rritja e kompetencave të agjencisë është balancuar me rritjen të llogaridhënies. Ndërkaq, projektligji bën një orientim drejt riskut të të gjithë sistemit financiar. “Kjo do të thotë që orientimi i të gjithë sistemit financiar është të drejtojë punën më mirë në drejtim të riskut. Është balancuar më mirë me parimet e likuiditetit, kompensimit dhe mbulimit”, – tha Cani.

Përfituesit nga ky projektligj dhe risitë që sjell ai, sipas ministrit të Financave, do të jenë depozituesit, të cilëve u shtohet siguria sidomos në kuadrin e masave parandaluese, ASD e cila merr më shumë kompetenca, si dhe një fond fillestar prej 50 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, dhe sistemi bankar që tashmë do të ketë një nivel të përmirësuar të mbulimit nga risku. Ndërkaq, kryetarja e bordit të Unionit Shqiptar Kursim Kredi, Zana Konini, e cila ishte e pranishme në komision, vlerësoi si shumë pozitive përfshirjen e SHKK-ve në skemën e sigurimit të depozitave, por ajo shprehu disa shqetësime lidhur me projektligjin e ri. Sipas znj. Konini në ligjin e ri mbulimi për SHKK-të është më i ulët se mbulimi që sigurohet për sistemin bankar. “Bazuar në direktivën evropiane duhet që depozituesit të trajtohen njësoj pavarësisht nga skema ku bëjnë pjesë.

Duke pasur parasysh që depozituesit e SHKK-ve jetojnë kryesisht në zona rurale, ulja e nivelit të mbulimit ka krijuar perceptimin se ka diferencim mes depozituesve në zonat urbane dhe atyre në zonat rurale”, – tha Konini. Ajo kërkoi që në periudhën tranzitore nga miratimi i ligjit të ri deri në hyrjen e tij në fuqi nuk duhet të pengohet krijimi i SHKK-ve të reja, duke garantuar se gjatë kësaj periudhe Unioni Shqiptar Kursim Kredi do të raportojë online të gjithë informacionet e nevojshme.

Ndërkohë, anëtarët e komisionit shprehën shqetësim lidhur me diferencimin që bëhet midis operatorëve të sistemit bankar dhe SHKK-ve, sidomos duke pasur parasysh që këto të fundit financojnë një sektor të rëndësishëm siç është bujqësia dhe njëkohësisht nuk kanë qëllime fitimi, pasi vetë fermerët që depozitojnë në to janë aksionerë. Komisioni për Ekonominë e miratoi në parim projektligjin në fjalë, ndërsa javën e ardhshme do të vijojë me shqyrtimin nen per nen.

 

Investitorët kryesorë, nga Kanadaja, Zvicra dhe Austria

Kriza ka ndryshuar ndjeshëm strukturën e investimeve të huaja në Shqipëri, sipas vendit të origjinës. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investitorët më të mëdhenj nuk janë më as grekët dhe as italianët, por kanadezët, zviceranët dhe austriakët. Banka Qendrore ka publikuar të dhënat më të fundit të investimeve sipas shteteve, që janë të disponueshme deri në fund të vitit 2012. Sipas këtyre të dhënave, stoku më i madh i investimeve të huaja i takon Kanadasë, me 706 milionë euro. Investimet kanadeze në Shqipëri janë të përqendruara kryesisht në sektorin e nxjerrjes dhe kërkimit të naftës. Sipas statistikave, që nga vitit 2009 deri në vitin 2012, investimet e kompanive kanadeze janë rritur me shtatë herë.

Dy shtet që kanë rritur me ritme shumë të larta investimet në vitet e fundit janë Zvicra dhe Austria. Në fund të vitit 2012, investimet zvicerane kishin vlerën e 507 milionë eurove, ndërsa ato austriake ishin 498 milionë euro. Për sa i takon investimeve austriake, ato janë shtrirë kryesisht në sektorin energjetik dhe në atë të ndërmjetësimit financiar, përmes kompanive të rëndësishme si EVN, Verbund apo Raiffeisen. Për vende si Zvicra, drejtimi sektorial i nuk është shumë i qartë, duke pasur parasysh se në Shqipëri nuk ka investitorë të mëdhenj zviceranë. Sasia e lartë e investimeve nga ky vend ndoshta lidhet me faktin që mjaft kompani shumëkombëshe regjistrohen në Zvicër, duke bërë që kapitali i investuar të klasifikohet si zviceran.

Kanadaja, Austria dhe Zvicra së bashku kanë sjellë afro 50% të gjithë investimeve të huaja, deri në fund të vitit 2012. Dy shtetet që kanë udhëhequr për vite renditjen e investimeve të huaja, Greqia dhe Italia, në vitet e krizës kanë mbetur mbrapa. Investimet italiane ka ruajtur një rritje të qëndrueshme dhe në vitin 2012 arritën vlerën e 434 milionë eurove. Ndërsa investimet greke, pasi arritën një kulm prej 601 milionë euro në vitin 2010, ranë në dy vitet në vijim deri në nivelin e 451 milionë euro. Së bashku, investimet greke dhe italiane përbënin 25% të totalit. Të tjera vende me sasi të konsiderueshme investimesh në Shqipëri janë Turqia, me 263 milionë euro apo Holanda, me 243 milionë euro.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency