Basha: Opozita nuk tërhiqet nga transparenca e “Ushtrisë”, Rama e Kodheli të reagojnë

0
120

Kreu i PD-së, drekë me ambasadorët e BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së

 

“Kryeministri nuk mund t’i ikë pyetjes: A ke informacion për përdorimin e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës?”

 
basha - pd2Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi dje në një drekë pune përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në vendin tonë. Takimi mes kreut të PD-së dhe diplomatëve të BE-së, SHBA-së, OSBE-së, zgjati më tepër se dy orë dhe, sipas Bashës, ky është një takim periodik që Partia Demokratike kryen për të shkëmbyer mendime mbi situatën politike në vend, si dhe mbi informacionet që ata kanë lidhur me proceset integruese të Shqipërisë.

Pas përfundimit të këtij takimi, Basha dha një prononcim për mediat ku theksoi se opozita nuk do të heqë dorë nga bërja e transparencës së plotë për çështjen e përfshirjes së mundshme të Forcave të Armatosura në strukturat e drogës. Për këtë Basha i kërkoi publikisht Kryeministrit Rama dhe ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodhelit, nëse kanë dijeni për çështjen në fjalë dhe nëse po, çfarë vendimesh janë marrë.

“Partia Demokratike i kërkon ministres, tashmë i kërkon Kryeministrit, të prononcohet nëse ka dijeni apo jo për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik droge. Kjo është një çështje e përgjegjësisë politike sikundër është çështje e mungesës së përgjegjësisë, mospërgjigjja deri dhe pengimi i ardhjes së ministres për t’u përgjigjur para Parlamentit, gjë që është e padëgjuar në demokracitë parlamentare. Drejtësia ka punën e vet dhe e bën punën e vet sipas ligjeve të vendit. Ne kemi detyrën tonë për transparencë dhe këtë po bëjmë”, – deklaroi Basha.

Kreu i PD-së vijoi më tej duke thënë se kjo çështje tashmë është edhe shqetësim i partnerëve të NATO-së dhe përgjigjja e pyetjeve të ngritura nga opozita përbën interes jo vetëm për opinionin publike, por edhe për aleatët euroatlantikë të Shqipërisë. “Jam i sigurt që është një pyetje që do ta ndjekin me shumë interes edhe partnerët tanë. Është në dinjitetin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, është në dinjitetin e forcave të armatosura që e kanë fituar vetë dhe që e kanë pavarësisht sindromave të vitit zero të kësaj administrate, që të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësi karshi kësaj pyetje dhe detajeve që janë të lidhura me këtë pyetje”, – theskoi kryetari i Partisë Demokratike.

Lidhur me rrëzimin e kërkesës së opozitës për raportimin e ministres së Mbrojtjes në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Basha tha se ky vendim është një tjetër pengesë në kuadër të transparencës, ndërkohë që rëndon edhe më tej dyshimet e ngritura nga opozita. Ndërkaq, lidhur me kallëzimet penale të dërguara nga ministrja e Mbrojtjes në Prokurori, Basha tha “akoma më pak e ndihmon këtë taktika e vjetër dhe e dalë boje e hapjes së 100 çështjesh të tjera, shumica e prej të cilave të pavërteta me shpresën se opinioni publik do të ngatërrohet si një fëmijë i vogël dhe do të harrojë çështjen kryesore”. Më herët kjo çështje u ngrit nga opozita në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku deputetët e opozitës kërkuan shpjegime lidhur me implikimin e mundshëm të ushtrisë në operacionet e drogës. Dy ditë më parë nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, i kërkoi shpjegime ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, nëse kishte apo jo dijeni për avionë të ulur në zonën e Gjadrit. Në përgjigje të tij, ministri Tahiri tha se pretendimet e ngritura janë përralla të opozitës.

 

 

Takimi me ambasadorët do të jetë periodik nga opozita

Kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, zhvilloi një drektë pune me ambasadorët e BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së të akredituar në vendin tonë. Takimi u zhvillua rreth mesditës në orën 13:30 minua, në ambientet e hotelit “Rogner” dhe zgjati për më tepër se dy orë.

Në këtë takim, kreu i opozitës shoqërohej nga kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka, deputetët Aldo Bumçi, Jorida Tabaku, Genc Pollo e Ridvan Bode.

Pas takimit, Basha u shpreh se tryeza me ambasadorët është periodike nga opozita dhe ka si qëllim shkëmbimin e informacioneve për situatën politike në vend dhe njohjen me të rejat për Shqipërinë lidhur me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Pas takimit me ambasadorët, Basha dha edhe një prononcim për mediat, duke theksuar dy çështjet kryesore, transparencën nga ana e qeverisë për akuzat e ngritura nga opozita lidhur me implikimin e mundshëm të ushtrisë në operacionet e drogës si dhe mosgjetjen e një konsensusi për deklaratën e përbashkët Shqipëri – BE.

 

 

Basha: Shqipëria meriton statusin, etapë e mbyllur me sukses nga reformat e PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas drekës me ambasadorët tha se Shqipëria e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe se kjo çështje është e mbyllur për t’u diskutuar. Sipas Bashës, falë reformave të ndërmarra nga Partia Demokratike në qeverisjen e kaluar, Komisioni Evropian e rekomandoi këtë si një hap pozitiv.

“Ndaj nxitëm përfaqësuesit e vendeve anëtare të nxisin qeveritë e tyre për një vendim pozitiv në qershor duke e ndarë qartësisht këtë çështje nga stoku i problemeve që mazhoranca dhe qeveria kanë krijuar dhe po krijojnë në raport me shtetin ligjor, demokracinë, institucionet e pavarura, sistemin e kontrollit dhe balancave dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri që janë probleme shumë serioze dhe shumë shqetësuese për të cilat opozita nuk mund të heshtë, as të pretendojë se nuk ekziston, por të cilat i kemi trajtuar dhe do ti trajtojmë me forcë në hapësirën institucionale parlamentare sa kohë që ta kemi këtë hapësirë si dhe çdo hapësirë tjetër qytetare, civile, por edhe ndërkombëtare”, – deklaroi Basha.

 

 

Rezoluta PE-Shqipëri, kreu i opozitës: PD ka vullnet për ta finalizuar

 I pyetur pas takimit të djeshëm me ambasadorët e Bashkimit Evropian, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se mosmiratimi i një rezolute të përbashkët Shqipëri-PE do të ndikojë negativisht në çështjen e statusit të vendit kandidat.

“Duhet të ishte bërë çdo përpjekje që rezoluta e përbashkët të miratohej. Bllokimi i amendamenteve të opozitës ishte një sinjal i keq. Pas kësaj na u dha një shans. Për 3 javë nga shumica nuk pati absolutisht asnjë hap. U kujtuan fundjavën e fundit. Patëm negociata intensive dhe ishte bindja dhe shpresa ime që po arrinim në një konkluzion pozitiv. Draftit tonë të fundit, papritur, mazhoranca iu përgjigj me një draft 6 apo 7 etapa përpara. Pra si të thuash draftit tonë 10, iu përgjigj me draftin 3 apo 4 në momentin e fundit kur ne kërkonim ta finalizonim, çka ishte e pakuptueshme. Nuk e di nëse ka mbetur akoma kohë por nga ana jonë ka një dëshirë dhe vullnet për ta finalizuar nëse jemi akoma në kohë, mjafton që këtë vullnet ta ndajë edhe mazhoranca”, – deklaroi Basha.

 

 

Partia Demokratike, me profil të ri në internet

 Partia Demokratike duket se ka ndryshuar tërësisht profilin e saj zyrtar në internet. Në faqen online “pd.al”, shfaqet një profil i ri, ndryshe nga faqja e mëparshme. Edhe pse adresa mbetet e njëjtë “pd.al”, pothuajse ka ndryshuar tërësisht struktura e saj. Në këtë faqe pasqyrohen aktivitetet e ditës të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por edhe të deputetëve të PD-së apo përfaqësuesve të zyrës së shtypit.

Nga kjo faqe mund të lidhesh lehtësisht edhe me rrjete të tjera sociale, ndërkohë që janë shtuar edhe direktori të reja apo dritaret ku mund të gjesh informacione shtesë. Paçka ndryshimeve, mbetet e njëjtë menyja për denoncimin e të shkarkuarve në administratën publike, edhe pse e dizenjuar ndryshe. Po ashtu një hapësirë zënë menytë “Anëtarësohu”, “Dhuro”, “Gjej seli të PD afër teje”, “Bëhu vullnetar”, “Gjej përfaqësuesin tënd” etj. Profili i ri i PD-së në internet, duket se vjen edhe në kuadër të një qasje të re të partisë më të madhe opozitare në vend, si me qytetarët ashtu edhe me median. Gjithashtu, në këtë profil gjen edhe të dhëna për aktivitete të tjera të PD-së të mbajtur në vitin 2013.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency