Skema e re e pensioneve shpërblen ata që deklarojnë pagat reale

0
150

Skema e re parashikon se nuk do të ketë kufizime për sa u përket përfitimeve dhe nëpërmjet derdhjes shtesë të kontributeve mund të marrësh një pension akoma më të lartë. E njëjta skemë do të rritë edhe moshën e daljes në pension.

 

fabrike-kepuce-2143Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, kërkoi nga bizneset që të bëjnë deklarimin e saktë të pagave dhe punonjësve. Pasi vizitoi mjediset e një kompanie fasoni të sapohapur së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ministri Veliaj nënvizoi se skema e re e pensioneve që do të hyjë në fuqi në janar 2015, shpërblen vetëm ato kompani dhe individë që deklarojnë pagat reale. “Është e rëndësishme që bizneset të deklarojnë pagën reale të punonjësve dhe individët të paguajnë të plota kontributet shoqërore, sepse vetëm kështu mund të kemi një skemë të shëndoshë pensionesh. Skema e re do t’i gjejë më të përgatitura këto kompani, sepse kjo reformë shpërblen kompanitë dhe individët që deklarojnë pagat reale”, – u shpreh Veliaj.

 

Biznesi

Nga ana tjetër, ministri i Mirëqenies Sociale përmendi faktin se qeveria po përgatitet të kalojë shumë shpejt paketën fasone. “Kjo paketë nënkupton se tatimi i fitimit prej 3.5 milionë dollarësh, që merret nga kompanitë fasone, do t’u rikthehet sërish atyre në formë grantesh, nëpërmjet fondit të punësimit, me të cilat mund të paguajnë sigurimet shoqërore”, – tha Veliaj. Ministri u bëri thirrje investitorëve që të vazhdojnë të përdorin zyrat e punës për të rekrutuar stafet e tyre. “Jemi duke siguruar paga më të larta, duke incentivuar biznesin; jemi duke shëndoshur sigurimet shoqërore dhe po përkrahim ata investitorë që janë larg vëmendjes së ekonomisë në zonën Tiranë-Durrës, të cilët krijojnë më shumë punësim. Kjo është mënyra e vetme se si të largojmë njerëzit nga ndihma ekonomike”, – përfundoi Veliaj. “Po punohet për të zgjedhuar më tej këtë aktivitet dhe për të shtuar edhe 250 vende të reja pune, gjë që është një kontribut i jashtëzakonshëm për komunitetin e Devollit dhe të Korçës, që e do aq shumë punën dhe jam i sigurt që shumë shpejt do të ketë zhvillime të reja të cilat e mbështesin këtë aktivitet si aktivitetin kryesor punëdhënës sot në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por edhe një nga aktivitetet kryesore eksportuese dhe që ka ndikim të jashtëzakonshëm në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, – u shpreh kreu i Kuvendit, Meta.

 

Skema e pensioneve

Skema e re e pensioneve do të ketë si synim që çdokush, që sot derdh rregullisht kontribute, të përfitojë një pension të lartë në momentin kur të mbushë moshën. Nuk do të ketë kufizime për sa u përket përfitimeve dhe nëpërmjet derdhjes shtesë të kontributeve mund të marrësh një pension akoma më të lartë. E njëjta skemë parashikon edhe rritjen e moshës së daljes në pension. Sipas të dhënave të para, burrat do të dalin në pension në moshën 67 ose 68 vjeç, ndërsa gratë në moshën 63 vjeç, por kjo rritje nuk do të prekë ata që sot janë në prag të daljes në pension. Skema e re do të përcaktojë se të gjithë të moshuarit, të cilët mbushin moshën e pensionit për 5-7 vjet, nuk do të preken nga ndryshimet.

 

Evropa “e plakur”

Baza kontribuuese në sistemet e pensionit në Evropë është në rënie. Mbi 20 vende të BE-së kanë vënë nën lupë studiuesit dhe, ashtu siç ndodh shumë shpesh, Suedia është në krye. Këtë herë bëhet fjalë për plakjen e shoqërisë dhe duket se vendi skandinav e ka atë shumë mirë nën kontroll. “Kjo lidhet me një politikë shumë të mirë të tregut të punës, me një papunësi shumë të ulët. Por, lidhet edhe me sjelljen me të moshuarit. Në Suedi, të moshuarit janë të lidhur shumë mirë në jetën e punës dhe kjo është, me siguri, një nga sfidat më të mëdha të vendeve të BE-së”, – thotë Michael Bräuninger, nga Instituti për Ekonominë Botërore, në Hamburg. Shtetet e tjera evropiane, si Gjermania dhe Italia, aktualisht ndodhen përpara një pragu: brezat me lindje të larta në vitet 1960 po shkojnë drejt pensionit dhe pensionet e tyre duhet të financohen nga brezat më të rinj, me nivel lindshmërie shumë më të ulët. Kryesisht në vendet në lindje të BE-së, Bräuninger sheh megjithatë vështirësi të mëdha në të ardhmen. Ato kanë ende edhe ca kohë, deri sa të përballen masivisht me problemin e plakjes së shoqërisë. Nëse duan të marrin masa në kohë për përballimin e tij, duhet të pengojnë largimin e krahut të ri të punës, dhe veçanërisht produktiv. Sa më e madhe të jetë pjesa e popullsisë aktive, e cila duhet të derdhë kontribute në arkat ligjore të pensioneve, aq më i fortë është sistemi social i një vendi, – ky është argumenti qendror i studimit të publikuar së fundi. Në Gjermani, në vitin 2006 u vendos që mosha e pensionit të rritej hap pas hapi deri në 67 vjeç, por qeveria aktuale planifikon që punëmarrësit të mund të dalin që në moshën 63 vjeç në pension, nëse kanë derdhur kontribute për 45 vjet radhazi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency