Gëzim Saliu
Debatet te Ekonomia, Braçe replika me Kadelin. Bode: Ligji ka mungesë transparence
Kreu i Komisionit, zv.ministres Sula: Listën e përfituesve ta bëni për 6 muaj
Mazhoranca dhe opozita kundërshtojnë ligjin e qeverisë “Për përfitimin e përkrahjes sociale”, duke kërkuar riformulimin e tij. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, kritikat dhe kundërshtitë kryesore ndaj projektligjit të sjellë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kanë ardhur nga përfaqësuesit e mazhorancës. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, e quajti arbitrar ligjin dhe kërkoi që projekti për heqjen e abuzuesve nga lista e ndihmës sociale të bëhet brenda 6 muajve dhe jo për dy vite. Në të njëjtën linjë, Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshtoi ashpër ndryshimet e bëra në projektligjin për ndihmën sociale, ku në emër të grupit të kësaj partie, Gjovalin Kadeli ka kërkuar rishikim të ligjit, pasi, sipas tij, me ndihmën sociale po abuzohet pa masë dhe ndryshimet e propozuara nuk zgjidhin asgjë.
Debatet
Mbledhja e djeshme në Komisionin e Ekonomisë është shoqëruar me debate mes anëtarëve, ku nuk kanë munguar replikat me zv.ministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula. Fillimisht deputeti Kadeli ka bërë të ditur kundërshtinë e LSI-së ndaj projektligjit, duke theksuar se ndryshimet e propozuara në të nuk paraqesin zgjidhje të situatës së abuzimeve me përkrahjen sociale. “Unë ju thashë do të votoj kundër, si grup i LSI-së . Zoti kryetar, unë po flas këtu në emër të atyre që nuk kanë mundësinë e marrjes së ndihmës ekonomike nëpërmjet raporteve”, – nënvizoi ai. Nuk ka munguar reagimi i kryetarit të Komisionit, Braçe, i cili në replikë me deputetin Kadeli, ka theksuar: “Po pse ne, unë për çfarë po flas, jo më fal, më fal këtë diskutim nuk e pranoj”. Ndërkohë, Braçe nuk ngurroi ta cilësonte si arbitrar ligjin dhe kërkoi që projekti për heqjen e abuzuesve nga lista e ndihmës sociale të bëhet brenda 6 muajve dhe jo për dy vite. “Si s’ka lidhje, ka pra lidhje, ka lidhje, se nuk mund të më tregosh ligjin që nuk funksionon, nuk mund të ma tregosh si zgjidhje, që paska ndryshuar në 2012 dhe qenka i mirëqenë dhe zgjidhka problemet”, – deklaroi ai, duke iu drejtuar zv.ministres Sula. Kjo e fundit nënvizoi se ekziston një skemë pilotimi që do zgjasë dy vjet. “Nuk është i mirëqënë, ka përcaktuar një skemë pilotimi që do zgjasë dy vjet dhe duhett të testohet kjo skemë transparente, ta provojmë dhe nuk mund ta bëjmë vetëm në 6 muaj se ka filluar vetëm në janar të këtij viti”, – tha përfaqësuesja e Ministrisë. Ndërkaq edhe opozita ka kundërshtuar ligjin e sjellë nga Ministria e Mirëqenies Sociale, duke pohuar se ai është i paplotë dhe me mangësi serioze, duke lënë vend sërish për abuzime në ndarjen e parave. “Këtu ka një mungesë transparence dhe moraliteti në ndarjen e kësaj ndihme ekonomike. Këtu duhet të përcaktoni ndihmën ekonomike të plotë dhe ndihmën e ekonomike të pjesshme dhe këto nivele duhet të përcaktohen me vendime qeverie. Mënyrën si e keni sjellë kjo është kalim radhe dhe të themi e kemi mbyllur reformën e ndihmës ekonomike”, – tha deputeti demokrat Ridvan Bode. Sipas projektligjit të qeverisë, të gjithë ata persona me aftësi të kufizuar që përfitojnë ndihme do të vazhdojnë të marrin pagesën edhe nëse hyjnë në punë për një periudhë deri dy vjet. Projektligji i ri për ndihmën dhe shërbimet shoqërore përveç kësaj, i heq të drejtën familjarëve të marrin pagesën për shërbimin që i bëjnë kësaj kategorie nëse për ta kujdeset një institucion shtetëror.
Debati
Gjovalin Kadeli: Unë ju thashë do të votoj kundër, si grup i LSI-së.
Erjon Braçe: Po mirë mo, votoje si të duash.
Kadeli: Po mirë mo, më dëgjo. Zoti kryetar, unë po flas këtu në emër të atyre që nuk kanë mundësinë e marrjes së ndihmës ekonomike nëpërmjet raporteve.
Braçe: Po pse ne, unë për çfarë po flas, jo më fal, këtë diskutim nuk e pranoj.
Zv.ministrja Sula: Projektligji është hartuar në zbatim të programit të qeverisë për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale, duke përmirësuar kriteret dhe procedurat e përfitimit.
Braçe, zv.ministres Sula: Si s’paska lidhje. Nuk mund të më tregosh ligjin që nuk funksionon, nuk mund të ma tregosh si zgjidhje, që paska ndryshuar në 2012 dhe qenka i mirëqenë dhe zgjidhka problemet.
Zv.ministrja: Nuk është i mirëqenë, ka përcaktuar një skemë pilotimi që do zgjasë dy vjet dhe duhet të testohet kjo skemë transparente, ta provojmë dhe nuk mund ta bëjmë vetëm në 6 muaj se ka filluar vetëm në janar të këtij viti.
Braçe: Do ta bëni në 6 muaj zonjë.
Zv.ministrja: Ka filluar vetëm në janar të këtij viti.
Ridvan Bode: Këtu ka një mungesë transparence dhe moraliteti në ndarjen e kësaj ndihme ekonomike. Këtu duhet të përcaktoni ndihmën ekonomike të plotë dhe ndihmën ekonomike të pjesshme dhe këto nivele duhet të përcaktohen me vendime qeverie. Mënyrën si e keni sjellë, kjo është kalim radhe dhe, të themi, e kemi mbyllur reformën e ndihmës ekonomike.
Ministria e Jashtme, memorandum bashkëpunimi me dhomat dhe shoqatat e biznesit
Ministria e Punëve të Jashtme ka ndërmarrë një qasje të re me komunitetet e biznesit në vend, duke nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe dhomave e shoqatave të biznesit të pranishme në Shqipëri. Memorandumi përcjell dëshirën e palëve për të mbështetur, zhvilluar dhe forcuar bashkëpunimin, me qëllim promovimin e interesave ekonomike të Republikës së Shqipërisë. Para nënshkrimit, ministri Bushati u shpreh: “Dëshira dhe vullneti për bashkëpunim midis MPJ-së dhe sektorit privat, iniciuar në nëntor të 2013-ës, sot po institucionalizohet nëpërmjet nënshkrimit të këtij Memorandumi, që rikonfirmon edhe njëherë rëndësinë që MPJ i kushton forcimit të marrëdhënieve me komunitetet e biznesit shqiptar dhe të huaj, duke i konsideruar ato si promotorë të zhvillimit ekonomik të vendit”. Pjesëmarrësit në takim vlerësuan se politikat dhe reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të shoqëruara me një diplomaci ekonomike efikase dhe dinamike dhe një partneritet të fuqishëm qeveri-sektor privat, do të prodhojnë kapacitete në rritje, për të projektuar jashtë vendit një imazh sa më atraktiv për investimet e huaja dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Kjo iniciativë e MPJ-së zhvillohet në kuadrin e diplomacisë ekonomike, e cila ka tri objektiva të qarta: promovimin e eksporteve shqiptare në vendet partnere, me qëllim nxitjen e eksporteve shqiptare; promovimin e avantazheve të ekonomisë shqiptare dhe sensibilizimin e investitorëve të huaj, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja dhe lehtësimin e zgjerimit të bizneseve shqiptare në tregjet jashtë vendit, nëpërmjet përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë.
Sot në Kukës/ Eksodi i 99-ës dhe mbledhja e dy qeverive të Shqipërisë e Kosovës, zbardhet axhenda
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të mblidhen sot në qytetin simbol të bashkimit kombëtar, Kukës, në përkujtim të 15-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës që u dëbuan nga pushtimi “millosheviçian”, që kulmoi fillimvitin e 1999-ës. Në axhendën e përbashkët parashikohet që në orën 10:00 të paradites të mbërrijnë kryeministri i Kosovës dhe delgacioni i tij në pikën kufitare të Morinës e ndërsa në orën 10:15-10:25 do të zhvillohet takimi i dy Kryeministrave dhe delegacioneve të tyre si dhe Ceremonia Zyrtare e Pritjes në sheshin përpara Pallatit të Kulturës. Nga ora 10:30-12:30 do të mbahet konferenca “Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik” tek Pallati i Kulturës Kukës. Po ashtu në këtë ditë është parashikuar të zhvillohet edhe një ndeshje miqësore mes sukadrës së Kukësit dhe asaj të Mitrovicës. Ndërkohë nga ora 16:00-17:00 do të zhvillohet vizita tek zyra e Kryetarit të Bashkisë e ndërsa nga ora 17:00-18:00 do të mbahet takimi me familjet kosovare dhe familjet kuksiane pranë obeliskut të Kukësi.