Kreu i PD-së/ Basha denoncon 3 skandalet e qeverisë Rama-Meta

0
121

Florenc Drizari

 

Basha: Kriteret e NATO-s janë transparenca dhe llogaridhënia, jo fshehje dhe heshtje

 

 

bbbbbKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar demokrat, denoncoi tri skandale që, sipas tij, kanë përfshirë së fundmi qeverinë Rama-Meta. Basha tha se çështjet që opozita do ta ndjekë në vijimësi edhe në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë, janë akuzat për përfshirjen e strukturave të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në trafiqet e drogës. Kreu i PD-së akuzoi krerët e qeverisë për heshtjen e tyre ndaj fakteve të publikuara në media nga deputetët e opozitës. Sipas Bashës, rrethanat rëndohen edhe më shumë nga deklarata e bëra në Komisionin e Sigurisë Kombëtare ku “ministri i Brendshëm, i pyetur nëse ka dijeni për përdorimin e infrastrukturës ushtarake shqiptare për transport droge, u përgjigj: Nuk kam ardhur të flas për ajrin, por kam ardhur të flas për detin”.

Në deklaratën e tij, kreu i Partisë Demokratike iu drejtua sërish Kryeministrit Rama dhe ministres së Mbrojtjes nëse kanë apo jo dijeni për përdorimin e strukturave të ushtrisë për transportin e lëndëve narkotike.“Prokuroria dhe drejtësia do të bëjnë punën e tyre, pa dyshim, por në këtë moment, për shkak të rëndesës që paraqet, problemi ka nevojë të trajtohet me urgjencë nga Kuvendi dhe institucionet e tjera të shtetit; transparenca nga ana e qeverisë është e domosdoshme, marrja e masave për ndalimin dhe nxjerrjen në dritë të skandalit bashkë me autorët e tij është një imperativ për të hequr njollën e për të shpëtuar imazhin e ushtrisë si pjesë përbërëse e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Opozita, opinioni publik, vetë Partia Socialiste dhe anëtarët e saj, nuk mund të pajtohen me komprometimin dhe abuzimin në këtë shkallë sipërore me një arritje historike të Shqipërisë, siç është hyrja ne NATO, komprometim që është i sigurtë nëse vërtetohet Përdorimi i infrastrukturës së mbrojtjes për punë të pista, siç mund ta bëjnë vetëm qeveri narkotrafikantësh, vetëm qeveritë e Medelinit”, – deklaroi Basha.

 

Mesazhi

 Një tjetër skandal, sipas kreut të partisë më të madhe opozitare në vend, është edhe çështja e zbulimit të përmbajtjes së mesazhit “Rama-Tahiri”. Basha tha se më shqetësuese se kush e ka shkruar këtë mesazh, është fakti se përmbajtja e tij tregon situatën e përkeqësuar të kriminalitetit në vend, ndërsa krerët e qeverisë, tha ai, bëjnë propagandë, duke fshehur shifrat.

“Mesazhi, i shkruar dhe i dërguar nga Rama, apo i shkruar dhe i dërguar nga Tahiri tregon se Kryeministri dhe ministri e njohin fare mirë realitetin e zymtë të dështimeve dhe përkeqësimit tronditës të gjendjes në rendin publik, por e fshehin këtë realitet, e paraqesin me ngjyra rozë përmes qeverisjes së tyre propagandistike të mbështetur në gënjeshtrën dhe mashtrimin. Përmes mesazhit, ata janë kapur e dorëzuar publikisht si gënjeshtarë dhe mashtrues të dorës së parë. Çfarë do të bëjnë pas kësaj? Opozita dhe opinioni publik presin gjestin dhe aktin normal që bën në raste të tilla një mashtrues që kapet me presh në dorë”, – deklaroi kreu i PD-së.

 

Shkarkimet në administratë

 Gjithashtu, një tjetër skandal, sipas Bashës, është edhe shkarkimi i punonjësve të administratës publike. Basha përmendi vëtëvrasjen e fundit të ndodhur në Korçë të ish-punonjëses në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Brunilda Meka. Sipas Bashës, ajo është viktima e drejtpërdrejtë e sistemit cinik e të raprezaljes kundër nëpunësve civile dhe administratës publike, që vuri në zbatim që kur erdhi në pushtet dyshja Rama-Meta. “Këtë pasuri, dinjitetin e njerëzve, ka vënë në shënjestër, ka goditur dhe godet pa mëshirë, në mënyrën me të pashpirt, qeveria Rama-Meta me raprezaljen famëkeqe në administratën publike, me gardianët dhe gardianet politike që kanë vendosur kudo për të vënë në zbatim këtë gjueti të zezë”, – deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

 

 

 

“Shqipëria, 5 vjet anëtare e NATO-s” /Basha: Kriter i NATO-s është  transparenca, dhe jo fshehje e heshtje

 “Duhet të heqim dorë nga sindromat e vitit zero”

Në kujtim të 5-vjetorit të anëtarësimti të Shqipërisë në NATO, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se PD arriti disa standarde të larta në integrimin e strukturave të Forcave të Armatosura, duke mundësuar që ato të bëhen pjesë e Aleancës së Atlantikut. Kreu i opozitës, edhe pse nuk foli drejtëpërdrejt për përfshirjen e mundshme të strukturave të FA-së në trafiqet e drogës dhe heshtjes së mazhorancës ndaj akuzave të ngritura publikisht nga opozita, tha se kriteret e NATO-s janë fare të qarta, transparencë dhe llogaridhënie, dhe jo fshehje e heshtje.

Gjithashtu, Basha tha se që nga shtatori i vitit 2013, FA janë të integruara plotësisht në Aleancë dhe kjo konfirmon suksesin e plotë të reformimit të tyre. “Duhet të heqim dorë nga sindromat e vitit zero. Dinjitetin e Forcave të Armatosura e fituan Forcat e Armatosura, e fitoi shoqëria shqiptare së bashku me to. Detyra e politikës është të mos e njollosë këtë dinjitet. Dhe sa i përket kësaj, kriteret e NATO-s janë fare të qarta: transparencë dhe llogaridhënie e jo fshehje dhe as heshtje. Kjo e ndihmon këtë sektor, kjo i ndihmon FA, kjo nuk e njollos dinjitetin e tyre”, – deklaroi Basha.

Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila ishte e ftuar në këtë takim, tha se ka kohë që Forcat e Armatosura janë bërë pjesë e sulmeve politike. “Megjithatë, unë bëj thirrje për të ndalur keqpërdorimin ndaj FA”, – delaroi ajo.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu. Në fjalën e tij, Arvizu theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështetën dhe kontribuan për rishikimin e strategjisë së mbrojtjes së Shqipërisë njohur ndryshe si RCM, një dokument që u hartua me miratimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. “Megjithatë, deri më sot  Shqipëria nuk ka zbatuar një plan konkret për këtë dokument që është një mjet i rëndësishëm për të ndihmuar forcat e armatosura shqiptare që të bëjnë më shumë me burimet dhe të jenë në gjendje të zbatojnë reformat e nisura në modernizimin e tyre”, – theksoi Arivizu.

Ndërkaq, në konferencën “Shqipëria, 5 vjet anëtare e NATO-s”, kryetari i PD-së ka veçuar si sfidë të Shqipërisë shtetin ligjor, demokracinë funksionale, institucionet e forta dhe demokratike, sistemin funksional të kontrollit dhe balancave mes pushteteve.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mori pjesë një ditë më parë në konferencën me temë “Shqipëria, 5 vjet anëtare e NATO-s, organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare. Vullneti politik i Aleancës për zgjerim dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria, në konsolidimin e shtetit ligjor, garantimin e demokracisë funksionale, institucioneve të pavarura, lirisë së tregut bënë të mundur që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency