Intervista/ Fenomeni “Erdogan”, Ben Blushi: Shqipëria rrezikon turqizimin

0
126

“Shqipëria pret vetëm dy data: hyrjen në Evropë dhe bashkimin me Kosovën. Pse flas për islamizëm politik”

 

BLUSHI--14_12Shqipëria rrezikon turqizimin, nëse preket nga dukuria e drejtimit të shtetit nga Erdogani. Kështu deklaron në një intervistë për gazetën “express.com”, deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, duke nënvizuar nga ana tjetër edhe rrezikun e krijimit të një lëvizjeje islamike në Shqipëri dhe Kosovë. Po ashtu, në intervistën ku komenton librin e tij “Hëna e Shqipërisë”, ligjvënësi socialist bën të ditur edhe arsyet pse në të ardhmen interesi më i madh për bashkimin kombëtar do të jetë nga ana e Shqipërisë, dhe jo nga Kosova.

 

 

Rreth bashkimit kombëtar ju “fajësoni” kosovarët që nuk kanë dëshirë për ta bërë këtë. Ta parafrazojmë atë që keni shkruar, pra thoni se kur politikanët kosovarë flasin për Shqipërinë, këtë e bëjnë aq ftohtë, sa po të mos flisnin shqip, do dukeshin si finlandezë… Jeni i sigurt se është e saktë kjo?

Jam përpjekur të kuptoj çfarë qasjeje do të kenë shqiptarët, në të dyja anët e kufirit, për proceset e bashkimit kombëtar. Nuk e di nëse historia do të më jap të drejtë, por këto ditë sa jam në Kosovë kam krijuar përshtypjen se kam të drejtë se në të ardhmen shqiptarët e Shqipërisë do të jenë më të interesuar për bashkimin kombëtar, do ta shohin këtë si projekt zhvillimi, si projekt i zmadhimit të Shqipërisë. Ndërsa në Kosovë do të ketë më shumë hezitim, pasi që duke qenë shtet i ri do të mundohet ta ruaj pavarësinë e vetë, qoftë edhe nga Shqipëria. Ky është një sentiment i kuptueshëm dhe i justifikueshëm. Ndërsa unë e kam fjalën për klasën politike të Kosovës kur them se duken si finlandezë kur flasin për temën e bashkimit. Pra, bëjnë shumë farmaci politike.

 

Keni shkruar po ashtu për ndikimin e Turqisë tek shqiptarët… A janë Edi Rama dhe Hashim Thaçi fajtorët që sollën Erdoganin me privatizimet…

Nuk merrem me këtë rast, jam marrë me atë që përfaqëson Turqia sot në Evropë, Ballkan, si fenomen.

 

Pikërisht kjo po shprehet edhe tek ne…

Nëse ky fenomen na prek dhe ne, do të jetë shumë keq. Çfarë është Turqia sot? Është një vend me demokraci të cenuar, pasi që nëse Kryeministri ndalon Twitterin dhe Youtube-in, nëse ndryshon Kushtetutën për t’i emëruar vetë gjyqtarët, për ta marrë drejtësinë në dorë, ndërkohë që ka rritur tendencën për islamizimin radikal të shoqërisë së vetë, kjo nuk është demokraci si ajo që ne presim, pra demokraci evropiane. Nëse Shqipëria dhe Kosova preket nga këto në të ardhmen, gjë që nuk e përjashtoj, atëherë besoj se Shqipëria do të turqizohet më shpejt sesa do të evropianizohet.

 

A s’është ky problemi i turqizimit më shumë problem i Kosovës sesa i Shqipërisë?

Nuk i ndaj dot të dyja. Ka shumë njerëz që më kanë kritikuar për këtë shkak, më kanë thënë se ke parë Kosovën më me simpati sesa Shqipërinë. Kjo është subjektive. Unë jam njeri që jetoj në Shqipëri dhe ndoshta nuk e kam njohjen e duhur për Kosovën. Por jam përpjekur t’i shoh në distancë të dy vendet dhe kam ardhur në këto përfundime. Shpresoj se e ardhmja nuk do më japi të drejtë.

 

Në Kosovë ka pasur tendenca të islamit politik, tash për herë të parë kemi në skenë edhe një parti islamike… Megjithatë, deri më tash, këto lëvizje nuk kanë arritur të marrin terren të konsiderueshëm politik. Në anën tjetër, Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare, është shumë afër integrimit në BE. Në këtë kontekst, çfarë mund të ndikojë, përveç Erdoganit dhe Turqisë, në fuqizimin e islamit politik në Kosovë dhe Shqipëri?

Ky libër është shkruar në janar-shkurt, unë kisha një kohë që nuk kisha ardhur në Kosovë. Këto dy ditë që jam në Kosovë, jam bindur se kam pasur të drejtë në disa gjëra. Veçanërisht për një çështje: rrezikun e islamit politik. Me gjithë politikanët që kam biseduar, thonë se e kanë këtë shqetësim. E kanë shqetësim se islami mund të kthehet në një lëvizje, pasi që financim ka, organizim ka filluar të ketë, ka shumë influencë dhe ka një faktor të madh; konkurrencën më klasën politike e cila çdo ditë e më shumë po humb terren dhe influencë. Klasa politike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, nuk janë më të besueshme për shkak të cilësisë së qeverisjes dhe reformave që s’po i bëjmë dot. Në këtë situatë, mobilizimi fetar mund të krijojë shumë terren. Shumë njerëz të varfër, njerëz të pambështetur, sidomos të rinj pa shpresë mund t’iu bashkohen lëvizjeve të tilla. Në shumë vende të varfra, edhe në Shqipëri, kjo ka zëvendësuar si organizim, si frymëzim, si shpresë – jo vetëm partitë politike, por më shumë se kaq. T’ju jap vetëm një shembull, partia e Menduh Thaçit në Maqedoni kërkoi vota në emër të 300 mijë myslimanëve. Ai është lider politik, pse detyrohet të kërkojë vota në emër të fesë? Unë besoj se ai e ka kaluar limit. Mirëpo këtë po e bëjnë edhe liderët e Shqipërisë. Në dy zgjedhjet e fundit në Kryeqytet, qoftë kandidati jonë qoftë i kundërshtarit, konkurruan se kush do ta bënte projektin më të bukur për xhaminë e Tiranës. A është kjo normale? S’ka sens të dalësh në zgjedhje me premtime për xhami, të dalësh në zgjedhje për ndërtim urash, shkollash normalisht se po. Xhaminë e bëjnë vetë besimtarët, jo shteti të bëj projekte.

 

 

Ceremonia/ Rama: Policia dhe krimi janë divorcuar

Përkundër akuzave të opozitës për rritjen e shifrave të kriminalitetit në vend, Kryeministri Edi Rama vlerësoi dje punën e Policisë së Shtetit në 6 muajt e fundit, duke shprehur bindjen se ky vit do të shënojë një kthesë që do ta vendosë policinë njëherë e përgjithmonë në krahun e qytetarit. Duke folur në ceremoninë e organizuar në kuadër të dhurimit të 30 motorëve dhe 20 kamerave nga një kompani turke për Policinë e Shtetit, Kryeministri tha se deri tani krimi ka qenë me një këmbë brenda Ministrisë së Brendshme, e cila sipas tij, tashmë është këputur. “Mes Policisë së Shtetit dhe krimit ka ndodhur një divorc dhe ka filluar një luftë e cila ende është e pabarabartë në kushtet kur kemi trashëguar një polici të lodhur në të gjitha aspektet. Këto gjashtë muaj janë prova më e sigurt se njerëzit në Policinë e Shtetit janë të gatshëm për këtë luftë. Nëse deri dje Policia e Shtetit ishte në një varësi ndaj krimit. Në këto gjashtë muaj krimit i është këputur njëra këmbë, ajo që kishte këtu në këtë godinë. Bindjen se ky vit do të shënohet në historinë e policisë së shteti si një vit kthese, një epoke që po mbyllet dita-ditës dhe një epoke të re që do të hapet dhe do të shënojë kalimin njëherë e përgjithmonë të policit të shtetit në krahun e qytetarit”, – deklaroi Kryeministri. Duke nënvizuar rëndësinë që do kenë kamerat monitoruese të vendosura në mjetet e policisë, Kryeministri u shpreh se tashmë do jetë e lehtë të monitorohet marrëdhënia polic-qytetar si edhe rastet e ankesave për gjobat. Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri akuzoi opozitën se po synon të mbjellë pasigurinë tek qytetarët, duke hedhur baltë mbi Policinë e Shtetit. Nga ana tjetër, ministri theksoi se kamerat në makinat e policisë do të bëjnë të pamundur korrupsionin, shkeljen e të drejtave të njeriut apo abuzimin me detyrën nga ana e punonjësve të policisë.

 

 

Vetëvrasja në Korçë /Organizata “Mbro administratën”, letër Ramës: Shkarko Ana Verushin

Shoqata për Mbrojtjen e të Larguarve nga Administrata Publike kërkon pushimin nga puna të kryetares së PS-së së Korçës, njëkohësisht drejtore e Sigurimeve Shoqërore në Korçë, Ana Verushi, e cila, sipas kësaj shoqate, u bë shkak për vetëvrasjen e Brunilda Mekës. Përmes një letre të hapur drejtuar Kryeministrit Rama, kjo organizatë thekson se Ana Verushi është modeli më i keq i drejtuesve që qeveria po instalon. “Kërkojmë nga ju, në përfaqësim të organizatës “Mbroje Administratën Publike” në emër të 7000 punonjësve të larguar pa të drejtë e të tjerëve të shumtë që janë sot në kushte trysnie e jetojnë sajesat e transferimeve që ja pamundësojnë detyrën dhe rrisin dëshpërimin; për hirin e një nëne që e çuam në greminë duke i lënë jetim fëmijët e saj, kërkojmë pushimin e menjëhershëm nga puna të zonjës Ana Verushi dhe kthimin në detyre të kujtdo që u kthye ne viktimë e këtij maskarallëku drejtimi që nuk po njeh as ligj, as meritë, as arsye”, – thuhej në letër. Ndërkaq në letër kërkohet nga Kryeministri që të ndalë masakrën e administratës publike dhe të marrë përgjegjësinë si kryetar i ekzekutivit për të zbatuar Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e gjykatave. “7000 burra dhe gra i larguat dhe të tjerë po u hiqni punën vetëm dhe vetëm, sepse nuk kanë teserën e partisë suaj apo të asaj partisë tjetër, në qeverisje me ju”, – thuhej ne letrën e dërguar nga kryetarja e Shoqatës për Mbrojtjen e të Larguarve nga Puna, Nertila Qafzezi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency