Nga ROLAND QAFOKU
Dje u nda nga jeta në SHBA Sejfi Protopapa ose më saktë personazhi real Sali Protopapa i romanit “Komisari Memo” apo i filmit “I teti në bronz”. Për mua ishte dyfish një lajm i keq: E para se vdiste një personazh që ndryshe na e kishim treguar në historinë dhe letërsinë tonë dhe e dyta për mua, si gazetar, Sejfi Protopapa është në një farë mënyre personazhi i karrierës sime. Në vitin 2001, kur unë isha në një specializim në SHBA, fati e deshi të zbuloja pikërisht atë që ne në Shqipëri e njihnim ndryshe dhe që në fakt ishte jo vetëm një personazh shumë pozitiv, shumë inteligjent, por edhe një shqiptar i madh. Krejt ndryshe nga ajo që kemi lexuar në libër dhe parë në film, Protopapa ishte së pari një intelektual i klasit të parë, fizikant në laboratorin e famshëm të CIA-s në Los Alamos dhe një atdhetar që kurrë nuk e hoqi nga goja fjalët Shqipëri. Pak kohë më vonë unë botova një cikël të zgjeruar shkrimesh në gazetën “Panorama” kur unë isha kryeredaktor i saj dhe në vitin 2010 pata një intervistë të gjatë kur isha drejtor i Informacionit në televizionin “Ora News”. Janë të pakta fjalët të përcjell për jetën e këtij shqiptari që arriti të bëhej komandat i rinisë balliste në një kohë kur kuptohej se nuk ishte krim të luftoje pushtuesit edhe nëse në kokë mbaje qeleshen me shqiponjën e zezë apo largimin e tij nga Shqipëria dhe kalimin e jetës tjetër në atdhe të huaj. Ishte tronditur në fund të viteve ‘80, kur mësoi se mbiemri Protopapa në Shqipëri thjesht ishte një armik publik dhe një libër dhe një film e kishin diskretituar sa s’ka më keq emrin dhe figurën e tij. Me shumë humor më tregoi se si kishte takuar vetë Dritëro Agollin në shtëpinë e tij në Tiranë në vitin 1990 dhe sipas tij “pimë së bashku më keq se sa Saliu në film”. Pra, një njeri edhe pse kishte kaluar një kalvar dhe një denigrim të emrit, kurrë nuk urreu dhe kurrë nuk tha një fjalë të keqe. Për mua është një humbje e dhe jo vetëm për familjen, por edhe humbja e një personazhi tipik se si sistemi komunist jo thjesht i urrente kundërshtarët, por i denigronte në atë farë feje siç bëri me të. Sali Protopapa të paktën pa me sytë e tij dhe dëgjoi me veshët e tij se në Shqipëri nuk ishte më ai Saliu i keq që shqiptarët njohën gjatë komunizmit, por një atdhetar dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Të paktën këtë brengë nuk e mori me vete. U prefsh në paqe shqiptar i madh!