“Trafiku i drogës”/ “Opozita, fakte për keqpërdorimin e ushtrisë”, Kodheli raporton të mërkurën tek Siguria

0
106

Florenc Drizari

 

Noka: Kodheli urdhëron prokurorin të hapë hetime ndaj opozitës dhe deputetëve të saj

 

komision _sigurie_11.3.14Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pritet të raportojë këtë të mërkurë pranë Komisionit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me akuzat e opozitës për keqpërdorim të forcave të ushtrisë në trafiqet e drogës. Për këtë çështje opozita ka dorëzuar një kërkesë për raportimin e ministres Kodheli në Komision, ndërkohë që pas akuzave të deputetëve të djathtë të ngritura në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ka reaguar edhe ministrja e Mbrojtjes, duke i dërguar një letër kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ndërkaq, në emër te opozitës, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, theksoi se opozita disponon fakte për përdorimin e strukturave të ushtrisë në trafiqet e drogës.

 

Flamur Noka

 “Ne e gjykojmë jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm këtë raportim që duhet të bëjë ministrja para deputetëve, para Komisionit të Sigurisë, sepse nëpërmjet fakteve që disponojmë ne, rezulton se Forcat e Armatosura janë keqpërdorur në trafikun e drogës. Është cenuar si asnjëherë tjetër imazhi i Forcave të Armatosura, është cenuar rëndë imazhi i vendit tonë si një vend anëtar i NATO-s ndaj dhe ne kërkojmë që kjo e vërtetë të zbardhet deri në fund”, – deklaroi Noka.

Deputeti i opozitës shprehu keqardhjen që, sipas tij, ministrja e Mbrojtjes me anë të një letre i kërkoi kryeprokurorit Adriatik Llalla hetime ndaj deputetëve që e kanë ngritur këtë çështje. Në një reagim për mediat, që deputeti Noka dha një ditë më parë, ai theksoi se është shqetësuese që ministrja të merret me opozitën dhe jo me hetimin e çështjes.

“Me shumë shqetësim lexuam letrën që ministrja i dërgon kryeprokurorit. Në këtë letër nuk kish as më shumë dhe as më pak, por veçse arrogancë e paprecedentë, sjellje antikushtetuese, e komunikimit që qeveria, ministrja dhe Kryeministri shfaqin në raport me institucionet e pavarura dhe kushtetuese. Është një komunikim i paprecedentë, një komunikim urdhërues, ku ministrja urdhëron prokurorin të hapë hetime ndaj opozitës dhe deputetëve të saj, ku ministrja i kërkon prokurorit që të mbrojë Forcat e Armatosura nga sulmet e opozitës. Një marrëdhënie e tillë nuk është hasur kurrë në këto 23 vite demokraci. Kjo mazhorancë harron që është votuar për të qeverisur, dhe nuk është votuar që ata të bëhen kryeprokurorë, as kryetarë gjykatash, apo drejtues të institucioneve të tjera”, – deklaroi Noka.

Ndërkaq, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i kërkon prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të reagojë lidhur me akuzat e PD-së për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e lëndëve narkotike. Përmes një shkrese zyrtare dërguar kryeprokurorit, ministrja thekson domosdoshmërinë e hetimit të këtyre akuzave, pasi, sipas saj, opozita kërkon t’i bëjë Forcat e Armatosura “mish për top nga propaganda antiqeveritare”.

 

 

 

Akuzat ndaj FA-së, “Hakmerret” Ministrja

 Pas akuzave të opozitës për përdorimin e strukturave të Forcave të Armatosura në trafiqe droge, ka ardhur edhe reagimi i ministres së Mrojtjes Mimi Kodheli. Pas letrës së dërguar Kryeprokurorit Llalla, për të nisur hetimet ndaj deklaratave të fundit, duket se në prokurori janë çuar edhe ish-zyrtarë të lartë të kësaj ministrie në kohën e qeverisjes së PD-së. Sipas disa të dhënave të fundit të dala në media, thuhet se ministria e Mbrojtjes në dy dosjet e fundit të depozituara në Prokurori, implikohen zyrtarët më të lartë të Ministrisë së mbrojtjes dhe ushtrisë. Paditë janë në ngarkim të ish-ministrit Arben Imami, ish-shefit të shtabit Xhemal Gjunkshi, ish-shefit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ylli Zyla, por të përfshirë, në këtë çështje flitet edhe për zytratë të tjerë.

 

 

 Prokuroria, Llalla ndodhet në Hagë

 Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar lidhur me debatet dhe akuzat e opozitës për përdorimin e Forcave të Armatosura për trafik droge. Këshilltari i prokurorit të Përgjithshëm shprehet se nuk ka asnjë koment për debatin mes ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ish-ministrit Arben Imami.

Këshilltari Albi Serani bën me dije se prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ndodhet në Hagë për një takim pune dhe se një përgjigje lidhur me çështjen në fjalë do të jepet vetëm pas kthimit të tij.

 

 

Berisha: Çfarë fshihet pas heshtjes së Ministrisë së Mbrojtjes

 Pas akuzave të opozitës për përfshirjen e strukturave të ushtrisë në trafiqet e drogës, ka ardhur edhe reagimi i Ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, shtron pyetjen se çfarë fshihet pas heshtjes së ministres Kodheli për çështjen e përfshirjes së ushtrisë me kontrabandën e drogës.

“Të dashur miq, ish-ministri i Mbrojtjes, Imami, akuzoi në Parlament Edi Ramën se po përdor bazat ushtarake si baza të trafikut dhe transportit të drogës dhe la të kuptohej se opozita dispononte për këtë prova të pakundërshtueshme”, – thuhet në mesazhin e Berishës. Sipas tij, ministrja Kodheli nuk e mohoi dot akuzën dhe preferoi të përgjigjet për probleme të tjera.

“Me heshtjen, që fliste më shumë se çdo fjalë, znj. Kodheli pohoi vërtetësinë e akuzës dhe kërkoi që asaj ti përgjigjej zoti Rama, i cili bëri sikur nuk ishte thënë asgjë. Gojët e liga thonë se vëllaçko Olsi ka miq të fortë kolumbianë. Por edhe Tahiri di çdo gjë. Nga stafi i znj. Kodheli mësohet se Rama të nesërmen, për të shmangur paraqitjen e Mimit në Komisionin e Sigurisë për këtë megaskandal të padëgjuar, urdhëroi ministren ti kërkojë Prokurorisë për të nisur hetimin për akuzën e z. Imami”, – vijon më tej Berisha.

Berisha theksoj se Prokuroria të nisë hetimin për Ramën dhe ata që kërkojnë t’i shpëtojnë transparencës parlamentare dhe që kanë përdorur bazat e ushtrisë shqiptare për trafik drogave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency