Tiranë/ Hajdutët “ushtarë” grabisin pikën e lotos të Mark Frrokut

0
121

Anxhela Tato

 

 

Gjendet i djegur automjeti i grabitësve me targa të huaja, iu vu flaka për të shkatërruar gjurmët e gishtave

 Mekanizmi, nën kërcënimin e armës, dy prej grabitësve i morën punonjësit rreth 10 mijë euro

 

grabitja1Nën kamuflimin e veshjeve ushtarake kanë arritur që të grabisin një pikë bastesh dhe restorantin në pronësi të deputetit Mark Frroku në zonën e Rrugës së Kavajës, ndërsa kanë braktisur makinën e tipit “Opel” dhe i kanë vënë flakën për të humbur gjurmët. Ngjarja ka ndodhur rreth paradites të djeshme, ku mësohet se një sasi prej afro 10 mijë eurosh është marrë nën dhunë dhe nën kërcënimin e armës nga katër autorët e paidentifikuar. Me maskë në kokë, mësohet se dy prej grabitësve janë futur brenda në mjediset e pikës së lotos në pronësi të familjes Frroku dhe duke i drejtuar armën punonjësit, i kanë kërkuar që t’u jepen të gjithë lekët. Ndërsa grabitësi tjetër mësohet se ka qëndruar tek dera, duke mbikëqyrur për lëvizje të dyshimta. Sapo kanë arritur të marrin lekët, hajdutët janë larguar me makinë, e cila është gjetur e djegur në zonën e liqenit të Kasharit. Nga flakët janë shkatërruar edhe gjurmët e gishtave, të cilët mund të lehtësonin punën e policisë për të identifikuar autorët. Ndërsa vetë punonjësi ka dhënë përshkrimin e grabitësve, të cilët ishin të gjatë, të bëshëm dhe të maskuar me veshje ushtarake. Ata mbanin në duar armë zjarri dhe në kokë kishin vënë kapuça të errët, të cilët e bënin të pamundur dallimin apo fiksimin e tipareve të fytyrës.

 

Hetimet

 Nga ana e uniformave blu, të cilët janë paraqitur në vendin e ngjarjes, ka nisur puna për gjetjen e provave dhe elementëve që do të çojnë në zbulimin e katër “ushtarakëve”. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë së pikës së lotos, të cilat mendohet se kanë fiksuar momentin kur grabitësit janë futur në lokal, si dhe lëvizjet qe ata kanë bërë. Por do të jetë e vështirë identifikimi me anë të tipareve të autorëve, pasi ata kanë qenë të maskuar me maska të errëta. Ngjarja ka ndodhur në një AML në afërsi të ish-kombinatit “Misto Mame”, në Rrugën e Kavajës. Autorët dyshohet të kenë grabitur rreth 10 mijë euro në lokalin e basteve dhe janë larguar me një automjet me targa të huaja. Mjeti është gjetur i djegur dhe i braktisur në pranë digës së liqenit të Kasharit, në afërsi të autostradës Tiranë – Vorë. Shuarja e zjarrit me ujë nga zjarrfikëset kanë fshirë edhe ato gjurmë që mund t’i kishin shpëtuar flakëve në makinë. Policia ngriti disa postblloqe, duke përfshirë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, duke shoqëruar personat me precedentë për kryerjen e veprave të tilla kriminale në zonën e Kasharit dhe Domjes. Policia ka marrë në pyetje personelin e lokalit të lojërave të fatit për të pasur një përshkrim të autorëve, si edhe ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë.

 

Precedentë

 Vetëm brenda katër muajve të parë të këtij viti janë shënuar tri episode të tilla, kur grabitësit në kamuflazhin e policisë ose ushtrisë kanë arritur të kryejnë vjedhje të ndryshme. Më datë 1 mars, u grabit pika koncesionare e “Mercedes-Benz” në autostradën Tiranë – Vorë. Nga të dhënat e para mësohet se grabitja me mjete të forta është kryer nga dy persona të maskuar me veshje ushtarake, të cilët më pas janë larguar me motor. Policia bën të ditur se nga grabitja ka mbetur i lënduar roja i firmës si dhe është lënduar lehtë financiari. Grabitësit kanë arritur të marrin xhiron ditore, e cila mund të ketë vlerën e 100 mijë lekëve të reja. Ndërkohë, një skemë e ngjashme është përsëritur në Durrës, ku pre e maskave kanë rënë kampistët. Një makinë me fenelinë policie dhe targa angleze është afruar në vendin ku ishin pozicionuar kampistët. Nga automjeti kanë zbritur tre persona të armatosur, të maskuar si forcat komando dhe me veshje antiplumb. Ata ishin të pajisur me armë të tipit “Kallashnikov” dhe shkopinj bejsbolli. Sipas policisë, kampisti Arben Çuni kishte me vete çantën me lekë në momentin që është sulmuar nga grabitësit. Ai ka bërë rezistencë dhe është dhunuar nga grabitësit, të cilët i kanë shkaktuar plagë nga goditjet me shkop bejsbolli.

 

 

Rasti Ilia Kareli/ Protestë para Ministrisë së Brendshme, i kërkohet dorëheqje Saimir Tahirit

“Ministri Tahiri është mbrojtës i gardianëve të burgut që vranë Ilia Karelin”, – akuzë në protestën e zhvilluar paraditen e djeshme përballë Ministrisë së Brendshme. Me vezë në dorë, në shenjë revoltë ndaj vrasjes makabre të Karelit, të rinj kanë protestuar për gati dy orë duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Saimir Tahiri. Protestuesit kanë hedhur akuza ndaj ministrit Tahiri, duke deklaruar se është mbrojtësi i gardianëve të burgut grekë, ku humbi jetën Ilia Kareli, alias Kudret Kume. Ata kanë bërë thirrje për protesta të përditshme deri në dorëheqjen e ministrit Tahiri. Pjesëmarrësit në këtë tubim kanë kërkuar ndëshkimin e efektivëve të policisë, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve ditën e shtunë. Protestuesit kanë deklaruar se nuk protestojnë në emër të një personi, por të dhunës së përhershme që ushtrohet ndaj shqiptarëve në shtetin helen. Protestuesit kanë thirrur “jepe dorëheqjen” duke kërkuar që ministri Saimir Tahiri të ikë nga posti që ai mban aktualisht si kreu i Ministrisë së Brendshme. Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim–2013 ka denoncon dhunën e përdorur nga segmente të Policisë së Shtetit ndaj të rinjve që protestuan përpara ambasadës greke, kundër torturimit deri në vdekjen e Ilia Karelit, në burgun e Nigritas në Greqi. “Dhuna e ushtruar nga Forcat Speciale dhe patrullat “Shqiponja”, në tejkalim dhe shkelje të ligjit dhe procedurave standarde, përfundoi me dhjetëra protestues të plagosur rëndë, 26 prej të cilëve u shoqëruan në ambientet e komisariateve në kryeqytet.

 

 

Durrës/ Vetëvaret 13-vjeçari, u gjet në dhomë nga prindërit

 Gjendet i varur në banesë një i mitur. Ngjarja e rëndë është regjistruar dje pasdite në qytetin e Durrësit. Nga të dhënat e para mësohet se trupi i pajetë i të miturit është gjetur nga dy prindërit, të cilët të tronditur kanë njoftuar policinë dhe ambulancën. Mësohet nga dëshmitë e familjarëve se djali ishte i varur në litar në dhomën e tij. Ende nuk dihet se cilat mund të kenë qenë shkaqet që kanë çuar të miturit të ndërmerrte këtë akt vetëflijimi. Trupi i 13-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Por nga të dhënat e para mësohet se djali ka shenja hematomash dhe të ënjturash në fyt, që dyshohet se janë krijuar nga shtrëngimi i litarit. Ndërsa efektivët do të merren në pyetje prindërit e të miturit, të cilët janë ende të tronditur nga skena e rëndë dhe nga ngjarja tronditëse e vetëvrasjes së fëmijës. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen e plotë dhe për të arritur në zbulimin e motivit të vetëflijimit. Në pyetje do të merren edhe shokët dhe shoqet e fëmijës si dhe mësuesit e tij, nëse kanë konstatuar shenja depresioni ose nëse fëmija ka shfaqur shqetësime.

 

 

Peqin/Tjetërsim pronash, nën hetim dy persona

 Nën procedim penal dy persona, akuzohen për tjetërsim pronash. Sipas policisë, ka nisur procedimi për shtetasit H. C., 58 vjeç, me detyrë topograf në ZVRPP Peqin, dhe 60-vjeçari Sh. M,, banues po në këtë qytet. Sipas informacioneve që vijnë nga blutë e këtij qyteti, 58-vjeçari me iniciale H. C. ka përpiluar dokumente të falsifikuara. Ndërkohë, po ky shtetas ka falsifikuar dokumentet për 2000 m² që janë në pronësi të shtetasit A. G., duke ia ka kaluar një shtetasi tjetër. Ndërkohë, 60-vjeçari me inicialet Sh. M. akuzohet pasi ka falsifikuar dokumentet, duke marrë 7 dynymë tokë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency