Refuzimi i emërimit/ Ina Rama padit KLD-në në Gjykatë Administrative

0
207

Sonila Mesareja

 

 Ish-kryeprokurorja kërkon anulimin e vendimit të Këshillit për mosemërimin e saj si gjyqtare në Apelin Civil të Tiranës

 

ina-ramaRefuzimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ta rikthyer në Apel si gjyqtare civiliste, Ina Rama i është përgjigjur me një padi në Gjykatën Administrative ndaj këtij institucioni. Padinë ndaj KLD-së znj. Rama e kishte paralajmëruar që një muaj më parë, kur u rrëzua kërkesa e saj për rikthim si gjyqtare. Përmes padisë së depozituar në këtë Gjykatë, ish-kryeprokurorja kërkon anulimin e vendimit të KLD-së për mosemërimin e saj si gjyqtare civiliste pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. Kjo padi erdhi një muaj pasi anëtarët e KLD-së rrëzuan kërkesën e ish-kryeprokurores për rikthimin në detyrën e mëparshme në Gjykatën e Apelit. Tashmë do të jenë ish-kolegët e saj gjyqtarë të Gjykatës Administrative që do të vendosin nëse do të anulojnë apo jo vendimin e Këshillit dhe do t’i hapin rrugën ish-kryeprokurores për t’u rikthyer në radhët e gjyqësorit si gjyqtare civiliste në Apelin e Tiranës. Gjatë këtij muaji, pas marrjes së vendimit, zonjës Rama i është vënë në dispozicion vendimi i KLD-së, diskutimet që rrëzuan kërkesën e saj, ndërsa padisë i ka bashkangjitur përveç këtij dokumentacioni edhe ligjin për Prokurorinë, i cili thotë shprehimisht se duhej të kthehej në detyrën e mëparshme.

 

Kërkesa

Ish-prokurorja Ina Rama kishte depozituar muaj më parë kërkesën për rikthim në Gjykatën e Apelit, post që ka mbajtur para se të emërohej në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, por që nuk ishte marrë në shqyrtim deri në mbledhjen e datës 24 shkurt të këtij viti. Pavarësisht se kërkesa e saj ka mbërritur pas përfundimit të mandatit në KLD, në asnjë nga mbledhjet e vitit të kaluar apo dhe të këtij viti nuk ishte marrë në shqyrtim nga anëtarët, madje nuk ishte futur fare në rend dite. Pavarësisht se në Apelin e kryeqytetit, ku Rama ka qenë pjesë deri në emërimin në funksionin e kryeprokurores, ka pasur mjaft vende të lira, asnjëherë KLD nuk e mori në shqyrtim kërkesën e saj për rikthim në funksionin e mëparshëm. Vetëm më datë 24 shkurt, kjo kërkesë u mor në shqyrtim dhe mësohet se është rrëzuar me 8 vota. Ina Rama ka qenë gjyqtare e Apelit për Krime të Rënda, por duke qenë se ishte në funksionin e kryeprokurores për disa vite, ajo kërkoi të ishte gjyqtare në trupat gjyqësore civile të Apelit, pasi ka konflikt interesi në çështjet penale, për shkak të funksionit që mbajti në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Por, as ky arsyetim nuk u mor në konsideratë nga shumica që votoi kundër kthimit të saj në Apel si gjyqtare. Sipas ligjit, Rama ka të drejtë të emërohet si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, post të cilin e ka mbajtur para se të emërohej në drejtimin e akuzës shqiptare. Kërkesa e Ramës bazohet në ligjin për organizimin e funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i cili parashikon: “Pas përfundimit të mandatit, prokurori i Përgjithshëm, me pëlqimin e tij, ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm”. Por, sipas KLD-së, në argumentimin e vendimit të saj, ose të kthehet si gjyqtare te Apeli i Krimeve të Rënda, ose Ina Rama duhet t’i nënshtrohet konkurrimit, njëlloj si pretendentët e tjerë. Sipas KLD-së, znj. Rama nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë të drejtën e saj ligjore, për të kërkuar rikthimin në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, në të cilën ka ushtruar detyrën e gjyqtarit përpara zgjedhjes si prokurore e Përgjithshme. “Gjykata e Apelit për Krime të Rënda nuk është e barasvlershme me asnjë Gjykatë Apeli në vend, për sa i përket karrierës, trajtimit financiar, të drejtës për mbrojtje dhe një sërë të drejtash të tjera”, – ka sqaruar më herët KLD-ja.

 

Tiranë / Amnistohen 3 nga të pandehurit e dosjes “Gjika”, vijon gjyqi për kryebashkiakun

Ligji për “Amnistinë”, i cili hyri në fuqi pak ditë më parë, po zbatohet edhe për të pandehur në gjykim, veprat penale për të cilat ata akuzohen përfshihen në kriteret e përfitimit nga amnistia. Dje janë amnistuar tre nga të pandehurit e dosjes penale “Gjika”, ku një ndër të pandehurit e akuzuar që nuk përfiton është edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Të pandehurit Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferhati janë pronarët e truallit të ndërtimit në zonën Tri Racat, ku është bërë ndërtimi i paligjshëm dhe janë ata që përfitojnë nga ligji i amnistisë, pasi akuzohen për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”. Vendimi u është komunikuar në seancën e djeshme, ndërsa për të pandehurit e tjerë vijon gjykimi normalisht. Pas komunikimit për amnistimin e veprës penale për tre nga të pandehurit, seanca vijoi me dëshminë e ish-anëtarit të KRT-së së Vlorës, Artur Selimi. Ai dha shpjegimet e tij rreth mbledhjes së 15 korrikut kur është dhënë leja për ndërtimin, duke deklaruar se nuk i mbante mend diskutimet, pasi kishte kaluar shumë kohë. Bëhet fjalë për një mbledhje të 4 viteve më parë për miratimin e ndërtimeve dhe dëshmitari Selimi ka argumentuar mungesën e kujtesës për këtë mbledhje, për shkak të kohës së gjatë. Pas kësaj dëshmie, gjyqi u shty për shkak të mungesë së dëshmitarëve të tjerë të thirrur nga akuza. Gjyqtari Arben Micko e ka shtyrë seancën për javën e ardhshme, duke rinjoftuar dëshmitarët për t’iu përgjigjur thirrjes së gjykatës për të dëshmuar.

 

 

Greqi/ Vendimi i Gjykatës, lirohen 4 nga 15 gardianët që vranë Ilia Karelin

Jo të gjithë gardianët që dhunuan për vdekje Ilia Karelin, alias Kudret Kume, ndodhen prapa hekurave. Dje janë liruar me kusht 4 prej 15 gardianëve të burgut të Nigritas të cilët ishin ndaluar për torturat që i shkaktuan vdekjen Ilia Karelit. Gardianët ishin thirrur për të dëshmuar në Gjykatën e Serresit dhe ndaj tyre u dha masa e sigurisë “Liri me kusht”. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për të dhënë këtë masë sigurie për 4 gardianët. Ata duhet të paraqiten një herë në muaj në komisariatin e policisë të zonës, ku jetojnë dhe u është ndaluar dalja nga shteti grek. Nesër do të japin deklaratat e tyre dy të akuzuar të tjerë. Pas dëshmive që kanë dhënë, 6 prej gardianëve janë në paraburgim, ndërsa dy janë në liri me kusht. Ndërkohë, pamjet filmike të publikuara ditët e fundit nga mediat greke përfshijnë drejtorin në dhunën e ushtruar ndaj Ilia Karelit. Pamjet tregojnë qartë se drejtori i burgut të Nigritas ka qenë në dhomën frigorifer ku janë ushtruar torturat që i shkaktuan vdekjen Ilia Karelit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency