Vrasja e Ilia Karelit, Prokuroria e Fierit hetim gardianëve të burgut të Nigritas

0
120

Fier

Prokuroria: Nëse nuk hetohen për vrasje, do kërkohet ekstradimi për t’u gjykuar në Shqipëri për vrasje me dashje

Protesta për vrasjen e Karelit para Ambasadës Greke, protestuesit përplasen me policinë, disa të shoqëruar

 

kareli-1Gardianët grekë do të gjykohen edhe në Shqipëri nëse nga drejtësia greke nuk do të hetohen për akuzën e vrasjes. Tashmë, prokuroria e Fierit ka nisur hetimin e vrasjes së emigrantit 42-vjeçar Ilia Kareli, i njohur edhe me emrin kudret Kume, i dhunuar barbarisht në burgun grek të Nigritës dhe me pasojë humbjen e jetës së tij. Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për gardianët grekë që dhunuan për vdekje të dënuarin shqiptar Ilia Kareli, për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Kjo vepër, parashikohet nga neni 79/e të Kodit Penal, dhe parasheh një dënim prej jo më pak se 20 vjet apo edhe “burgim të përjetshëm”. Hetimi për këtë akuzë, sipas prokurorisë, ka nisur, pasi nga provat e dokumentuara deri më tani, duket qartë se Kareli është vrarë si pasoje e dhunës hakmarrëse të gardianëve të burgut. Burime nga akuza bëjnë me dije se nëse autoritetet greke i procedojnë gardianët për akuza tjera dhe jo vrasje, drejtësia shqiptare, do të kërkojë ekstradimin e tyre, për t’i gjykuar për akuzën “vrasje me dashje”.

Hetimi

Hetimet e prokurorisë së Fierit nisën menjëherë në momentin që ekspertët e Mjekësisë Ligjore konstatuan mungesën e zemrës dhe disa indeve muskulore në krahët e Karelit, dhe pas konkluzionit të ekspertizës se vdekja e tij erdhi si pasojë e dhunës së ushtruar. Ndërkaq, autoritetet greke, njoftuan, se i dënuari shqiptar Kareli, vuante nga zemra, por torturat i shkaktuan atij vdekjen. Pas këtyre deklaratave, ekspertët shqiptare të Mjekësisë Ligjore, që ekzaminuan trupin e ardhur nga Greqia, kërkuan të dhëna për mungesën e organeve, duke kërkuar kthimin e tyre në Shqipëri për t’ia nënshtruar ekzaminimit patologjik. Pas kësaj kërkese, Ministria e Jashtme greke ka njoftuar Ambasadën shqiptare në Athinë që të marrë në dorëzim pjesë të munguara nga trupi i viktimës. Ekspertët shqiptarë kanë konstatuar në trupin e Karelit edhe dëmtime të kafkës, kraharorit, disa brinjë te thyera, që i kanë shkaktuar shembje në mushkëri, si dhe hematoma në pjesë të ndryshme të trupit. Mësohet, se organi shqiptar i akuzës, tashmë ka bërë gati letër-porosinë, që pritet të niset ne institucionet e drejtësisë greke, ku kërkohet kaseta filmike e kamerave te sigurisë se burgut të Nigritas dhe dokumentacioni i transferimit nga burgu i Malandrinos në atë të Nigritës, ku dhe Kareli gjeti vdekjen.

Protesta

Protesta e paralajmëruar dhe zhvilluar dje para Ambasadës Greke në Tiranë, për vrasjen në burgjet greke të Ila Karelit, ka përfunduar me disa të shoqëruar. Një grup i organizuar të rinjsh protestuan mesditën e djeshme fillimisht në sheshin para Piramidës dhe më pas pranë bllokut të ambasadave në Tiranë, kundër torturave të ushtruara ndaj të dënuarit shqiptar në Greqi, Ilia Kareli, vdekur në burgun grek të Nigritas. Me flamuj shqiptarë në duar, protestuesit kanë kënduar himnin kombëtar dhe janë përplasur edhe me policinë, e cila ka përdorur ndaj tyre edhe shkopinj gome për t’i shpërndarë. Në momentin që janë grumbulluar të gjithë pranë bllokut të ambasadave, kanë nisur të thërrasin në kor edhe fjalë fyese kundër shtetit grek, ç’ka ka sjellë ndërhyrjen e repartit special “Shqiponja”, e cila ka përdorur edhe shkopinjtë e gomës kundër tyre për t’i shpërndarë. Më herët, ata kishin djegur flamurin grek në shenjë proteste para Piramidës. Policia ka shoqëruar në komisariat, 26 protestues, të cilët po merren në pyetje. Disa prej protestuesve të lënduar nga policia janë Jonard Agolli, Augent Xhaferaj, Albert Beshiti, Erald Sefa, Anila Nishani, Nuri Kola etj. Pas kësaj proteste, deputeti demokrat – ish-ministri i Rendit, Flamur Noka, ka deklaruar para mediave se “dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve.”

 

 

Hetimi

Porositësi futi në kurth Babaj e Toska, sot dy tregtarët e minave para gjykatës

“Porositësi” i mallit ka qenë personi që ka bërë të mundur vënen pas hekurave të dy shkodranëve Pjetër Babaj dhe Lulzim Toska, të arrestuar të enjten në Shkodër, të dyshuar si prodhues dhe tregtarë të minave me telekomandë. Detaje të tilla bëhen me dije nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sipas të cilave, porositësi ka qenë një agjent i policisë i infiltruar, i cili ka bërë porosinë dhe ka futur në kurth dy tregtarët. Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me uniformat blu kishin disa muaj që mbanin në vëzhgim dy personat dhe ishin të skeduar si montues dhe tregtarë të lëndëve eksplozive. Pritet që paraditen e sotme, dy të arrestuarit dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për t’u njohur me akuzat dhe për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” , për “trafik të armëve dhe municioneve” si dhe “mbajtje pa leje të armatimit dhe municioneve luftarake” në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë, hetimet kishin muaj që kishin nisur dhe synimi ishte që dy personat të arrestoheshin në flagrancë. Pas porosisë së të infiltruarit është vendosur që në datën 10 prill të bëhej takimi dhe dorëzimi i porosisë. Pikërisht kjo ditë është vendosur për të bërë edhe arrestimin e Babaj, pranë urës së Bunës në Shkodër. Ndërsa disa minuta më vonë nga policia është mundur të vihet në pranga edhe shtetasi Lulzim Toska,në banesën e tij. Në cilësinë e provave që do të përdorën kundër dy personave në gjykatë është mundur të sekuestrohet në makinën e Pjetër Babaj,dy mina të montuara dhe një pistoletë. Në shtëpinë e tij janë gjetur 2 mina dhe pajisje të tjera që nevojiten për përgatitjen e minave. Ndërsa në banesën e Lulzim Toskës janë gjetur një pistoletë dhe një sasi municionesh. Të dielën dy personat e arrestuar priten të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda për tu njohur me masën e sigurisë ndaj tyre. Mësohet se akuza do të kërkojë “arrest me burg” për akuzën e “mbajtjes dhe tregtimit të municioneve luftarake dhe armëmbajtje pa leje”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency