Standard.al

Sarandë / Dyshohet për vjedhjen e një drejtuesi automjeti, SHKB prangos policin

Sonila Mesareja

Ministria e Brendshme: Efektivi Alfred Hyso dyshohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, SHKB ka nisur hetimin

 

pranga-1Një efektiv policie ka përfunduar në pranga pasi dyshohet se i ka vjedhur një shumë parash një të drejtuesi automjeti në një pikë kontrolli të policisë. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se SHKB ka urdhëruar arrestimin e oficerit të Policisë, pasi gjatë kontrollit të një mjeti në postbllok dyshohet se i ka vjedhur një sasi parash drejtuesit të makinës. Po të njëjtat burime zyrtare bëjnë me dije se “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka arritur të dokumentojë dhe godasë veprimtarinë kriminale të punonjësit të policisë Inspektor Alfred Hyso, 35 vjeç, me detyrë komandat grupi, i Policisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në Komisariatin e Policisë Sarandë. Hyso akuzohet për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal”.

Ngjarja

Ngjarja për të cilën akuzohet efektivi i policisë ka ndodhur në datën 03.04.2014, në vendin e quajtur “Ura e Kranesë”, ku ishin vendosur si pikë kontrolli një grup punonjësish policie prej 3 vetash, me objekt kontrollin e automjeteve për armë zjarri dhe lëndë narkotike. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Brendshme, mes makinave të kontrolluara ishte dhe automjeti me të cilin udhëtonte shtetasi që bëri kallëzimin. Pas kontrollit të kryer, automjeti është larguar nga vendi i kontrollit dhe më pas shtetasi ka konstatuar humbjen e shumës së të hollave, rreth 420 euro dhe 266 dollarë. Drejtuesi i automjetit ka hedhur dyshimet se paratë i janë vjedhur në momentin e kontrollit të automjetit në vendin e kontrollit të policisë. “Oficerët e policisë gjyqësore të sektorit të SHKB-së Gjirokastër, të mbështetur dhe nga strukturat e sektorit të veprimeve operacionale, bënë ekzekutimin e Urdhërit të Ndalimit, në ngarkim të punonjësit të policisë Alfred Hyso. Vazhdojnë ende hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes” bëjnë me dije burimet zyrtare policore.

 

 

Korçë

Gjendet e pajetë 52-vjeçaja, dyshohet se është vetëhelmuar

Një 52-vjeçare është gjetur e pajetë pasditen e djeshme në banesën e saj në Lagjen 13 të qytetit të Korçës. Burime nga policia bëjnë të ditur se gruaja është gjetur nga familjarët, të cilët dyshojnë se 52-vjeçarja me iniciale B.M., i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar, për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike. Ndërkohë, policia e Korçës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke marrë dëshmitë e familjarëve, ndërsa pret edhe përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore.

 

Greqi

Kapen 108 kg marijuanë, u gjet në mjetin e një shqiptari

Policia greke ka sekuestruar dje një sasi prej 108 kg marijuanë. Sasia e lëndës narkotike është sekuestruar dje në kufirin greko-shqiptar në Karteri, Igumenicë. Droga u kap në mjetin e një shqiptari 36-vjeçar. Policia greke bën me dije se sasia e lëndës narkotike ishte shpërndarë në 100 pako dhe ishte fshehur me kujdes në bagazh. Nga hetimet paraprake dyshohet se lënda narkotike kishte destinacion Athinën, ndërsa si vend origjine Lazaratin, Gjirokastër.

 

Tiranë

Motorri përplas kalimtaren, gruaja jashtë rrezikut për jetën

Aksidentet vijojnë të rrezikojnë seriozisht jetën e kalimtarëve. Një motor ka përplasur mesditën e djeshme një grua rreth të 60-ve, shumë pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë. Sipas informacioneve policore, e plagosura është identifikuar si Hasije Mustafa, rreth 60 vjeç, e cila është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia ka ndaluar drejtuesin e motorit. Pas përplasjes, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur nga puna për zbardhjen e rastit. Do jenë dëshmi të personave që kanë parë skenën e përplasjes dhe ekspertiza e policisë rrugore që do zbardhin edhe shkaqet e këtij aksidenti. Ndërkohë, drejtuesi i motorit është shoqëruar për në polici, ku dhe ka dhënë dëshminë për aksidentin.

 

 

 

Qendra Çip

Vonesa në zbardhjen e vendimeve gjyqësore, problem në të gjitha gjykatat

Të gjitha gjykatat në vend kanë probleme në zbardhjen e vendimeve gjyqësore. Ky konstatim, i bazuar në provave konkrete, është bërë i ditur dje nga Gerti Shella, kreu i qendrës Çip. Madje, kjo qendër, e cila ka bërë edhe një monitorim të rasteve konkrete në të gjitha gjykatat, ka bërë edhe disa rekomandime për gjyqësorin. Ndaj dhe rasti i gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë Durrës, Neritan Tabaku, i cili vonoi shpalljen e një vendimi gjyqësor nuk është i vetmi në sistemin e drejtësisë shqiptare. Nga monitorimi i Qendrës për Çështje të informimit Publik, tregohet se situata është problematike thuajse në të gjitha gjykatat e vendit. “Rasti Tabaku është flagrant, por a është ai një preçedent i izoluar?Për fat të keq strukturat kontrolluese shtetërore nuk kanë disponuar akoma instrumenta, burime apo ndoshta nuk kanë vullnet për të skanuar fenomenin të paktën deri sot që flasim. Ankimet gjyqësore për vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore kanë ardhur duke u shtuar dhe këtë e vërteton jurisprudence e viteve të fundit e gjykatës së lartë dhe Kushtetuese. Rasti i vonesave nuk është fenomen shqiptar, këtë e provon edhe jurisprudenca” tha Gerti Shella, drejtor i qendrës ÇIP. Në mënyrë që kjo situatë të marrë zgjidhje qendra ÇIP ka dhënë edhe disa rekomandime ku për piramidën e gjyqësorit, siç konsiderohet Gjykata e Lartë shihet me vend që kjo gjykatë të kontrollohet qoftë edhe nga Parlamenti, pasi aktualisht është institucion i cili qëndron jashtë llogaridhënies për çdo veprimtari të saj. Kreu i INFOCIP i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë të marr masa që të shkurtojë proceset e tej zgjatura gjyqësore dhe përpunimi i tyre sipas ligjit. Raporti është rezultat i një studimi disa mujor për Gjykatën e Tiranës, Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. Periudha e studimit nuk është e njëjtë për të gjithë gjykatat por ajo varion nga 3 muaj deri në 1 vit për Apelin.

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.