Standard.al

Reforma territoriale / Kreu i PD-së: Miratimi i njëanshëm i reformës, rrezik për situatën politike

Florenc Drizari

“Reforma territoriale pa konsensus është refuzim i bashkëjetesës demokratike”

 

Lulzim-Basha-PD-deklaron-565x413Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi dje ndaj deklaratave të krerëve të mazhorancës lidhur me afatet e vendosura për miratimin e reformës administrative-territoriale. Basha tha se kjo reformë kërkon konsensus dhe se përpjekja për t’i ikur kësaj marrëveshje është e rrezikshme për situatën politike në vend. Në një prononcim për mediat gjatë përurimit të përfundimeve të unazës në Kodër Kamëz, Basha theksoi se qëndrimet e mazhorancës për ta miratuar të vetme këtë reformë është një hap që përkeqëson bashkëjetesën demokratike dhe se opozita nuk do ta përdore konsensusin për të bllokuar reformën, por për të arritur në një proces që do t’i shërbejë qytetarëve shqiptar.

Lulzim Basha

 “Reforma e pushtetit vendor dhe rindarja territoriale kërkon konsensus të plotë politik. Këtë nuk e them unë, nuk e thotë opozita, kështu është bërë gjithmonë. Përpjekja për t’i ikur konsensusit është jashtëzakonisht e dëmshme dhe e rrezikshme për vetë reformën por edhe për situatën politike në vend, sepse është refuzim i bashkëjetesës demokratike, pra është një hap që përkeqëson bashkëjetesën demokratike në këtë vend. Ndaj insistojmë tek konsensusi dhe i bëjmë thirrje të reflektojnë dhe të japin konsensusin. Konsensusi është një vlerë të cilën opozita nuk do e përdorë për të bllokuar por do ta përdorë për të arritur së bashku me mazhorancën një reformë bazuar mbi parime të shëndosha, transparente dhe që u shërben qytetarëve e jo partive politike”, – theksoi një ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ndërkaq lidhur me miratimin e reformës administrative-territoriale, krerët e mazhorancës duket se janë të vendosur që këtë proces ta çojnë përpara edhe pa prezencën e opozitës. Në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, deklaroi se opozita ka afat deri të enjten e ardhshme për t’u bërë pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kuvendi do të rishikojë procedurat për ngritjen e atij komisioni disa javë më parë. Ndërkaq, edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta e ka gjetur me vend këtë prozim, duke thënë se reforma për ndarjen e territorit duhet të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar. Nga ana e tij, Kryeministri i vendit Edi Rama, ka ritheksuar domosdoshmërinë e miratimit të kësaj reformës, si një alternativë për ti dhënë më shumë hapësira dhe zhvillim të zgjedhurve vendor dhe shërbimeve që ata ofrojnë për qytetarët shqiptar.

 

 

Ruçi: Opozita ka afat deri të enjten

“Le të jetë kjo seancë për të bërë një apel. Zotërinj të PD-së, zotërinj të PR, zotërinj të PDIU-së, të cilësdo parti që e konsideron veten në opozitë, deri ditën e enjte zoti kryetar, (Ilir Meta), të lëmë një afat, të zënë vendet e tyre në këtë komision që veprimtaria e tij të jetësohet dhe që në mbyllje të këtij sesioni të miratohet reforma e ndarjes administrative, në të kundërt zoti kryetar, ju kërkoj në emër të mazhorancës që Parlamenti të rishikojë vendimin me qëllim që këtë angazhim që ka marrë të gjejë zbatueshmëri deri në fund të korrikut”, – deklaroi Ruçi në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Comments are closed.