Standard.al

Rama në Vlorë: Ndjekje penale për ata që do guxojnë të vënë një tullë pa leje

Florenc Drizari

Kryeministri shpërndan tituj pronësie

“Kush do të paguajë menjëherë, do të ketë edhe një 400-mijëlekësh që nuk do ta paguajë”

 

rama-per-legalizimetKryeministri Edi Rama shpërndau dje tituj pronësie në qytetin e Vlorës. Në këtë takim Rama ishte i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i ALUINI-t, Artan Lame, nga ministrja e Turizmit, Englantina Gjermeni, prefektja e re e Qarkut të Vlorës dhe deputetë të mazhorancës. Nga qyteti në të cilin u zgjodh për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Rama bëri edhe një premtim se pas procesit të legalizimit, do të zbatohet në mënyrë të rreptë ligji për të gjithë ata që do të vënë qoftë edhe një tullë pa leje, duke paralajmëruar ndjekje penale.  

“Ata që kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë bërë këtë me sakrifica të mëdha, me kursimet e gjakut në emigracion, me kursimet e bukës së gojës këtu, në vend, për të strehuar familjen e tyre, do të legalizohen falas. Dhe ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku “gjej një shesh e bëj një përshesh”, – deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal tek abuzimet e bëra me këtë proces në Qarkun Vlorë, duke bërë përgjegjës strukturat e mëparshme në qeverisjen e PD-së. “Është bërë një abuzim i tmerrshëm nga ana e strukturave të ALUIZNI-t të deridjeshëm, duke legalizuar vetëm për qëllim fitimi dhe korrupsioni. Janë legalizuar godina që në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizoheshin, të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdet, të ndërtuara duke iu marrë qytetarëve pjesët më të bukura të Vlorës dhe duke i marrë Vlorës fytyrën dhe ajrin. Janë legalizuar shtesa pallatesh apo ndërtime të tëra që nuk janë ndërtuar për të strehuar familjen, nuk janë ndërtuar as me paratë e kursyera nga buka e gojës, por janë ndërtuar për qëllime fitimi, për shitje, për tregti dhe për përfitime. Kjo është realisht një faqe e turpshme e një pushteti që kudo ku mundi rrënoi për të përfituar dhe përfitoi duke rrënuar”, – deklaroi Rama.

Duke folur për procesin e legalizimit falas, Kryeministri sqaroi se krahas procesit falas për procedurat, dokumentacionin etj., do të jetë falas edhe pjesa që ka të bëjë me penalitetet, pasi shumë penalitete të vendosura për familjet tashmë janë hequr. Kryeministri i njohu qytetarët e pranishëm edhe me përfitimet që marrin në raste kur e kryejnë pagesën menjëherë se brenda 1 viti. Ndërkohë, me anë të këtij procesi legalizimi falas, po synohet edhe ndërgjegjësimi i familjeve për të kryer pagesën e energjisë elektrike. “Për ata që do të paguajnë, do të bëjmë edhe një ulje tjetër, që është një ulje prej 400 mijë lekë nga 4 milionët. Kush do paguajë menjëherë, do të ketë edhe një 400-mijëlekësh që nuk do ta paguajë, por do ta ketë në hipotekë, si kufizim dhe do ta përdorë për të paguar energjinë elektrike. Dhe pas 2 vjetësh, mjafton që të tregojë faturat që ka paguar energjinë elektrike dhe e heq edhe këtë detyrim. Kjo, sepse ne nuk duam që për shkak të pamundësisë familjet në nevojë apo familjet që sidoqoftë kanë shpenzuar gjithçka për të bërë shtëpinë edhe janë në gjendje të vështirë, të përfundojnë në ndjekje penale dhe kryefamiljari të përfundojë në burg për vjedhje të energjisë. Se shumë shpejt do të hyjë në fuqi një masë e re në Kodin Penal që energjia nuk do të ndëshkohet më me gjobë, por do të ndëshkohet me burg”, – theksoi Kryeministri.

 

Artan Lame: Pse Vlora ka më shumë legalizime

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë shpërndarjes së titujve të pronësisë në aktivitetin e djeshëm në Vlorë, ku merrte pjesë edhe Kryeministri Rama, shpjegoi se përse në këtë qytet janë dhënë më shumë tituj pronësie se në qarqet e tjera të vendit. Sipas të dhënave nga ekzekutivi në Qarkun e Vlorës janë bërë në vite rreth 25 mijë vetëdeklarime dhe janë dhënë lejet e legalizimit për vetëm 2700 ndërtime. Qeveria thotë se shumica dërmuese legalizimeve në Vlorë janë problematike e të bëra jashtë standardit.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, kjo shifër nuk ka të bëjë me legalizimin në zonat informale, por legalizimet që janë kryer në bregdetin e vendit, ku shumica e tyre nuk duheshin legalizuar. “Ky 12% nuk është në këto zona, nuk është në zonën e “Fushës së Aviacionit”. Në këtë 12% janë pallate në Sarandë, objekte në Parkun Kombëtar të Butrintit, objekte në bregdet e kështu me radhë. Kjo e shpjegon faktin pse Vlora ka më shumë legalizime”, – ka thënë Lame.

 

Berisha: Rama merr kompetencat e kreut të ILDKP-së për të fshehur pasuritë e vjedhura

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi një ditë më parë se Rama – Meta do t’i marrin Presidentit të Republikës kompetencën e dekretimit të kryetarit të ILDKP-së për të fshehur pasuritë e tyre.

Duke thënë se Rama nuk ka të ndalur drejt pushtetit të tij absolut, Berisha theksoi se pasi shkarkoi ne mënyrë antiligjore kryetaren e ILDKP-së, Zana Xhuka, dhe e zëvendësoi atë në krye të këtij institucioni duke marre kompetencat e Presidentit te Republikës, tani, të trembur se Gjykata Kushtetuese mund të hedhë poshtë këtë akt antikushtetues, ata kanë përgatitur ligjin me të cilin ia heqin përfundimisht kreut të shtetit për të propozuar kandidaturat për kryetar të ILDKP. “Rama merr për veten e tij këtë kompetencë ligjore duke ecur me shpejtesi drejt pushtetit personal absolut. Ju rikujtoj se ky institucion dhe ligji i tij jane ngritur me ndihmen direkte te nje ekipi te qeverise se SHBA, te kryesuar nga ish drejtori i Entit Federal Amerikan per Deklarimin e Pasurive dhe nga zyrtare te larte. Duke hequr ne menyre antikushtetuese kompetencen e Presidentit per dekretimin e kandidaturave per kryetar te ILDKP, Rama jo vetem perqendron si Enveri ne duart e tij pushtetin absolut te Kryemininstrit dhe Presidentit, por ai dhe Meta iu thone haptas shqiptareve se vjedhjet e pasurise publike nga ana e tyre ata do ti fshehin me ndihmen e njeriut te tyre ne krye te ILDKP. Po me fjale te tjera ata thone haptas: ne do vjedhim sa te mundemi se na mbron ILDKP!”, – ka shkruar Sali Berisha në një postim në rrjetin social “Facebook”.

 

 

Eurodeputetja Pack: Shqipëria meriton statusin kandidat

Eurodeputetja Doris Pack shprehet se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat, por qeveria shqiptare duhet ta marrë seriozisht ndarjen e pushteteve dhe respektimin e institucioneve.

Doris Pack thotë se Brukseli dëshiron që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidatit në qershor. Por nëse qeveria nuk e merr seriozisht ndarjen e pushteteve dhe respektimin e institucioneve, atëherë ka një problem. Sipas saj, nuk dihet nëse takimi Rama-Merkel do të ketë ndikim në vendimin e Këshillit të ministrave. Merkel nuk ka përmendur Shqipërinë në bisedën që Doris Pack ka zhvilluar me kancelaren gjermane. “Shqipëria ka arritur shumë vitet e fundit. Vendi ka humbur kohë për shkak të opozitës së mëparshme që është aktualisht në pushtet. Ka disa manovra të qeverisë aktuale, që nuk shkojnë në drejtimin e duhur dhe do të ishte shumë mirë nëse ndalej ajo që po bëjnë apo që planifikojnë të bëjnë. Unë dua sinqerisht që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit. Ashtu siç e kemi dëgjuar edhe në konferencën e partisë popullore, opozita është e përkushtuar për të mbështetur statusin dhe për të mos përsëritur të njëjtën sjellje si opozita e mëparshme, që është sot në pushtet. Të gjithë ne duam që Shqipëria të marrë statusin. Por nëse qeveria s’e merr seriozisht ndarjen e pushteteve dhe respektimin e institucioneve, ashtu siç jemi informuar, atëherë këtu kemi një problem. Shpresoj, që ata të ndalin këtë gjë sa më shpejt të jetë e mundur”, – ka thënë Pack në një intervistë për “ABC News”.

Comments are closed.