Standard.al

Përgjaket e shtuna / Automjeti del nga rruga, aksidentohen për vdekje katër të rinj

Sonila Mesareja

Policia: Makina lëvizte me shpejtësi të madhe, drejtuesi i mjetit dyshohet i alkoolizuar, humbi kontrollin dhe u përplas

 

makina88-160x130Një aksident tragjik me katër viktima ka tronditur mëngjesin e djeshëm kryeqytetin. Në periferi të tij, pranë Institutit Bujqësor, në afërsi të Kamzës, një automjet me katër persona brenda ka dalë nga rruga duke u përplasur me trotuarin dhe më pas me një mur betoni. Fatkeqësisht, jeta është ndërprerë në mes për të katër, dhe pavarësisht ndërhyrjes së dhënë nga kalimtarë, policisë dhe zjarrfikës, për ta nuk mund të bëhej më asgjë, pasi përplasja ka qenë vdekjeprurëse. Mes viktimave edhe dy persona të së njëjtës familje, motër e vëlla. Policia e Tiranës ka identifikuar si viktima të aksidentit tragjik shtetasit Jugjena Muçaj, 18 vjeçe dhe Klevis Muçaj, 14 vjeç, motër e vëlla, Alfred Beluli 25 vjeç, drejtuesi i mjetit, si dhe Fatjon Driza, 22 vjeç. Policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje, ka zbardhur edhe shkaqet e para të këtij aksidenteti të rëndë. Dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara të mjetit, e cila ka shkaktuar edhe humbjen e kontrollit të daljen e mjetit nga rruga, çka solli edhe përplasjen fatale. Ndërkohë që, të njëjtat burime flasin se dyshohet edhe për konsumim të alkoolit nga drejtuesi I automjetit.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 04:45 minuta, kur makina me targë AA533IU ka qenë duke udhëtuar nga Kamza për në drejtim të Tiranës, kur drejtuesi i mjetit humbi kontrollin duke u përplasur me një trotuar e më pas me një mur betoni. Sipas burimeve zyrtare policore, viktima të aksidentit tragjik mbetën Alfred Beluli 25 vjeç, drejtuesi i mjetit; Fatjon Driza, 22 vjeç; Jugjena Muçaj, 18 vjeçe dhe Klevis Muçaj, 14 vjeç, këta të fundit motër e vëlla. Përplasja e automjetit me trotuarin dhe më pas me murin e betonit ka qenë fatale për 4 personat, të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, pa u lënë mundësi mjekëve dhe policisë për t’u dhënë ndihmën e parë. Në vendngjarje mbërritën policia e Kamzës, ekspertë të policisë rrugore, zjarrfikës dhe një grup hetimi që po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik. Sipas të dhënave të para hetimore, zyrtare rezulton se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit dhe shpejtësia e lartë. Ndërkohë që, policia dyshon se drejtuesi i mjetit mund të kishte konsumuar alkool, pasi mendohet se të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate ku kishin shkuar për të festuar. Do të jetë ekspertiza e nxjerrë nga policia rrugore, e cila do të përcaktojë saktë shkakun e aksidentit dhe për të konfirmuar nëse drejtuesi i automjetit ka qenë apo jo nën efektin e pijeve alkoolike. Burime zyrtare nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se katër të aksidentuarit mbërritën të pajesë në spital.

Ndërhyrja

Burime zyrtare nga vendi I ngjarjes bënë me dije se pas përplasjes, ka qenë e pamundur nxjerra e trupave nga automjeti. Është dashur dnërhyrja e mjeteve zjarrfikëse për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave të të rinjve nga makina, pasi nga përplasja mjeti ishte dëmtuar rëndë. “Pjesët e makinës janë prerë me gurë fleksibël pasi ishte e pamundur nxjerrja e trupave” kanë bërë me dije burime policore nga vendi i aksidentit.

Policia

Rreth orës 10:00 të paradites së djehsme, policia e Tiranës ka dhënë më tepër detaje mbi aksidentin e ndodhur mëngjesin e djeshëm. Sipas të dhënave të para hetimore rezulton se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit dhe shpejtësia e lartë. “Sot, rreth orës 04.45′, mjeti tip BMV me targë AA 533 IU, teksa po lëvizte në segmentin rrugor Kthesa e Bathores – Instituti Bujqësor Kamëz, ka dalë nga rruga dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit Alfred Bilali, rreth 25 vjeç drejtues i mjetit, si dhe pasagjerët Jugjena Muçaj, 18 vjeçe; Klevis Muçaj, 14 vjeç; si dhe Fation Driza, 22 vjeç. “Nga të dhënat e deritanishme nga hetimet e kryera në vendngjarje rezulton se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit dhe shpejtësia e lartë. Nga strukturat e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti “, thuhet në njoftimin e policisë.

Tola: Mjeti ka qenë me shpejtësi të lartë, presim analizën e alkoolit për drejtuesin

Pas aksidentit të rëndë ka pasur një reagim edhe nga Shefi i Sektorit të Sigurisë Rrugore, Mitat Tola, i cili ka dekalruar se “fakt mbetet që në të gjithë atë vendngjarje bie në sy humbje e kontrollit dhe shpejtësia tej normave të lejuara. Policia ka konstatuar që drejtuesi i mjetit është i pajisur me leje drejtimi të marrë në vitin 2010 dhe presim analizat e alkoolit për të plotësuar një tablo më të qartë për atë që ka ndodhur. Mjeti ka pasur humbje të kontrollit prej shpejtësisë së lartë, ka bërë lëvizje të çrregullta, ka dalë jashtë rrugës, ka tentuar të hyjë prapë në rrugë dhe është përplasur me beton. Polica Rrugore ka shkuar në vendngjarje sapo ka marrë dijeni për aksidentin. Do të pyeten të gjithë dëshmitarët, do të merren nga organi i Prokurorisë pamjet filmike, për të analizuar të gjitha rrethanat e aksidentit”.

 

Tiranë

Bllokimi i timonit, shkak i aksidentit në Shishtavec-Kukës

Ekspertiza auto-teknike ka nxjerrë në dritë edhe shkakun e aksidentit të rëndë me pasojë humbjen e jetës së 7 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Bllokimi i timonit ka qenë shkaku I këtij aksidenti, ndërsa bëhet me dije se shoferi 21-vjeçar Bashkim Çuni, ka fikur makinën, për të mos harxhuar karburant. Sipas ekspertëve auto-teknikë të policisë rrugore, ka rezultuar, se drejtuesi i automjetit Çuni, për të kursyer naftë, ka kthyer çelësin e kuadrit, duke fikur makinën, disa çaste para aksidentit, ndërsa ishte duke zbritur. Kjo ka shkaktuar bllokimin e timonit dhe forcimin e frenave. Gjithçka ka ardhur nga mungesa e eksperiencës. Ekspertët, kanë nënvizuar në raport, se pas këqyrjes së makinës ka rezultuar, se çelësi, kishte rënë nga brava dhe kuadri ishte i fikur, ndërsa gjendja teknike e mjetit ishte e mirë. Hetuesit konstatuan, se në furgon ndodheshin 13 pasagjerë, pra 4 persona mbi kapacitetin e lejuar, për këtë tip mjeti, të kategorizuar si 8 +1… Ndërkohë që bazuar në pyetjet e të mbijetuarve dhe referuar këqyrjes së mjetit e vendit të ngjarjes, ka rezultuar, se shoferi 21 vjecar, duhet të jetë përpjekur, por nuk ka arritur të ndezë sërish mjetin, për të mos lejuar, që ai të përfundonte në humnerë.

 

Comments are closed.