Përfundon ndërtimi i Unazës, në Kodër – Kamëz/ Fondet e FZHR, Rama 92% të tyre për njësitë e drejtuara nga të majtët, 8% për njësitë e tjera

0
158

koder-kamez-240x225Basha: “Rama, diskriminim mbi baza politike”

Me një investim prej 115,6 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka rindërtuar me të gjithë parametrat rrugën në formë unaze që fillon nga rruga nacionale Tiranë – Fushë-Krujë, vazhdon nga ish – fabrika e tullave, Reparti Ushtarak 3030 dhe del para shkollës 9–vjeçare “Isa Boletini”. Kjo rrugë ka një gjatësi 1454 metra linearë dhe gjerësi 6 metra. Përgjatë rrugës janë ndërtuar kanalizimet e ujrave të bardha dhe të zeza, është pastruar kolektori ekzistues me gjatësi  320 metra linearë, janë vendosur 80 shtylla për ndriçimin rrugor, janë zhvendosur shtyllat dhe linjat ajrore dhe janë mbjellë 81 pemë. Përfundimi i këtij investimi, për kryebashkiakun Basha është dëshmi e përkushtimit të Bashkisë për t’u shërbyer qytetarëve, kudo ku ata jetojnë.

“Rruga që ka përfunduar dhe inspektojmë sot i shërben 12 mijë banorëve dhe afro 1100 nxënësve të shkollës “Isa Boletini”. Megjithëse s’ka qenë një arsye e mjaftueshme dhe e fortë për Bashkinë e Tiranës, që të kthente sytë nga kjo rrugë e të investonte në të, për afro 15 apo 20 vite, Bashkia sot  e cila është një dhe nuk e ka sindromën e vitit zero mori përgjegjësitë e saj, ktheu sytë nga këta qytetarë të Tiranës, për t’u dhënë atë çka meriton çdo qytetar i kryeqytetit, çdo taksapagues i kryeqytetit, parametra normalë të jetesës.

Sot, në qytetin e Tiranës nuk ka më diskriminime mes qendrës dhe periferisë, midis zonave të vjetra dhe të reja. Nevojat për investime janë pak a shumë të njëjta, qytetarët janë qytetarë kudo që jetojnë dhe Bashkia e Tiranës po ndjek me përparësi plotësimin e prioriteteve sipas nevojave të qytetarëve dhe asnjë axhendë tjetër.

Me keqardhje, nuk mund të them të njëjtën gjë për mënyrën se si po procedohet me fondet nga qeverisja qendrore. Konkretisht, qyteti i Tiranës që është taksapaguesi më i madh në buxhetin e shtetit, siç e bëmë dje transparente është përfituesi më i vogël nga këto fonde, që do të thotë se qytetarët e Tiranës ndonëse paguajnë më shumë ne total se çdo komunitet tjetër, pëfitojnë më pak. A është kjo punë qejfi apo inati, këtë duhet ta gjykojnë qytetarët” – deklaroi z. Basha.

Kryebashkiaku, njëherësh kryetar i shoqatës së bashkive të vendit ka shprehur shqetësimin me mënyrën e ndarjes së fondeve të zhvillimit të rajoneve nga kryeministri. Përveç Bashkisë së Tiranës, së cilës nuk i është financuar asnjë projekt i propozuar prej saj, financimi i projekteve nga Edi Rama paraqet një diskriminim të hapur mbi baza politike.

“Shqetësues është fakti që në ndarjen e përgjithshme të fondeve nga qeveria shqiptare, që dje u trumbetua me një tjetër shfaqje me regji qendrore dhe një fjalim pa fillim e pa fund të kryeministrit Rama, 92% e fondeve, si me magji u janë dhënë vetëm njësive vendore me të zgjedhur të majtë ndërsa njësitë e tjera kanë vetëm 8% të fondeve. Edhe regjimi i aparteidit në Afrikën e Jugut kishte një proporcion më të drejtë.

Me sa duket, problemi është qëndrimi dhe mentaliteti i kryeministrit i cili nuk i shikon problemet e qytetarëve si nevoja dhe përparësi për tu zgjidhur por si përpjekje për kapital politik. Kjo është e patolerueshme. Qytetarët paguajnë taksa anembanë vendit, qytetarët duhet të marrin shërbime anembanë vendit. Diskriminimi mbi baza politike është primitive, madje do të thosha është para-primitiv. Eshtë  një politikë e vjetër, e bërë nga individë të vjetër që s’kanë më ç’të ofrojnë dhe vetëm projektojnë mllefe, dufe dhe dizajno politike, aty ku duhet të shërbejnë e duhet t’u japin qytetarëve” –  deklaroi z. Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency