Standard.al

Intervistë për “Standard” / Noka: Ja e vërteta e SMS-së. Opozita çon në Komision Kodhelin

Florenc Drizari

“Ky mesazh përbën thelbin e konfirmuar nga vetë Kryeministri dhe ministri të çështjes që hetojmë ne”

flamur-nokaNënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, shprehet se masazhi i publikuar prej tij është i Kryeministrit Edi Rama, ndryshe nga sa pretendohet nga socialistët. Në një intervistë të shkurtër për gazetën “Standard”, deputeti i opozitës shprehet se mesazhi i Kryeministrit i është drejtuar ministrit të Brendshëm dhe më pas ky i fundit ia ka dërguar vartësve të tij. Më shumë se autorësia e mesazhit sipas Nokës, ka rëndësi ajo që shkruhet në të. Deputeti i opozitës thotë se përmbajtja e SMS-së tregon situatën reale për gjendjen e kriminalitetit, ndryshe nga sa thonë krerët e qeverisë. Gjithashtu, Noka shprehet se opozita disponon fakte për përfshirjen e strukturave të ushtrisë në trafiqet e drogës. Edhe pse nuk jep të dhëna konkrete, Noka deklaron se opozita ka dorëzuar ditën e premte një kërkesë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për thirrje në një seancë dëgjimore të ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli.

 

 

-Z. Noka, cila është e vërteta e mesazhit që ju publikuat në seancën dëgjimore në Komisionin Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ndërkohë që vetë ministri pranoi vërtetësinë e atij mesazhi dhe tha se ishte shkruar nga ai dhe jo nga Kryeministri Rama e më pas u ishte drejtuar vartësve?

Flamur Noka: E vërteta është se mesazhi është i Kryeministrit drejtuar ministrit dhe pastaj ministri mund t’ua ketë shpërndarë vartësve të tij. Për ne dhe për të gjithë opinionin është i rëndësishëm fakti që ai mesazh është i vërtetë. Në rast se ai mesazh është i vërtetë, tregon se si Kryeministri (Edi Rama) dhe ministri (Saimir Tahiri) në daljet publike gënjejnë kur mohojnë shifrat alarmante të kriminalitetit në vend, ndërkohë që me SMS pasqyrojnë realitetin dhe shqetësimin që ekziston. Ky mesazh për ne tregon të gjitha akuzat 7-mujore qa bërë opozita për degradimin e Policisë së Shtetit, për situatën në të cilën ndodhet policia si pasojë e lëvizjeve në polici, si pasojë e lirimeve në polici, si pasojë e emërimeve politike dhe me probleme me krimin.

-A do të përfshihet përmbajtja e këtij mesazhi në raportin final të Komisionit Hetimor?

Flamur Noka: Kjo është çështje që do të diskutohet, por ky mesazh përbën thelbin e konfirmuar nga vetë Kryeministri dhe ministri të çështjes që hetojnë ne.

-Si e cilësoni komunikimin qoftë të Kryeministrit apo të ministrit me vartësit e tyre nëpërmjet këtyre mesazheve?

Flamur Noka: Ajo është çështje e tyre se si komunikojnë dhe për ne ka rëndësi vërtetësia që është absolute.

-A do të kërkoni një raportim të ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli lidhur me akuzat që ka bërë në seancën e fundit plenare ish-ministri i Mbrojtjes për përfshirjen e strukturave të ushtrisë në trafikun e drogës?

Flamur Noka: Tani ne kemi bërë gati një kërkesë që e kemi depozituar për një seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes në lidhje me përdorimin e mjeteve të ushtarakëve në trafikun e drogës. Opozita ka ngritur një akuzë dhe disponon një dokumentacion për këtë.

-Çfarë provash ka opozita për këtë çështje?

Flamur Noka: Ju them se disponojmë fakte.

-Fakte lidhur me implikimin e ushtrisë?

Flamur Noka: Po, lidhur me implikimin.

 

 

PD: Tahiri gënjeu nën betim, treguesit e krimit janë përkeqësuar

Një ditë pas publikimit të një mesazhi telefoni nga deputeti i opozitës Flamur Noka, ku sipas tij SMS-ja ishte e Kryeministrit drejtuar ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar sërish PD-ja me anë të deputetit Gent Strazimiri. Në një deklaratë për mediat Strazimiri thekson se dëshmia aksidentale e mesazhit, nuk e shpëton ministrin e Brendshëm nga dëshmia e rreme.

I vetmi kontribut i ministrit, i dhënë aksidentalisht dje ne Komisionin Hetimor, ishte që nëpërmjet pranimit të SMS-së së famshme, ka pranuar se në krahasim me vitin 2013, treguesit e krimit, citoj: “janë përkeqësuar”, që “vrasjet janë dyfishuar”, që ka një “lëshim skandaloz të punës” dhe “neglizhencë fatale”! Dhe në fund që kjo situatë “është e trishtë dhe e rëndë për qytetaret”! Me dëshminë e tij aksidentalisht të sinqertë, z. Tahiri konfirmoi shqetësimin mbarëpopullor dhe shqetësimin e opozitës për rritjen e krimit dhe të pasigurisë së qytetarëve. Veç kësaj, duke gënjyer nën betim përpara Komisionit Hetimor të Kuvendit, dje Ministri i Brendshëm është bërë përsëri përgjegjës penalisht në bazë të Kodit Penal, neni 306 për “Dëshmi të rreme”, duke rënduar më tej pozitën e tij për “Moskallëzim krimi” në lidhje me vrasjet e disa personave të afërt me të, të cilën e kemi bërë të ditur më parë”, – deklaroi Strazimiri.

 

 

 

Përfshirja e ushtrisë në trafikun e drogës?!

 

PD: Heshtja rëndon më shumë ministren e Mbrojtjes

 

Ristani: PD kërkon shpjegime për vënien e bazave të ushtrisë në dispozicion të trafikut

 

Partia Demokratike vazhdon të kërkojë shpjegime nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli lidhur me implikimin, sipas opozitës, të strukturave të ushtrisë në trafiqet e drogës. Një ditë më parë deputeti i PD-së, Arben Ristani, deklaroi se të dhënat e raportuara flasin për këtë fakt tronditës, që është kapitullimi i shtetit dhe imazhi më i keq për një vend anëtar në NATO, siç është Shqipëria.

Deputeti Ristani përsërit shqetësimin e opozitës për të dhënat e vënies së bazave të ushtrisë në dispozicion të trafikut të drogës dhe gjatë një konference për median, i bëri disa pyetje ministres Kodheli lidhur me këtë çështje. Ndërkohë sipas deputetëve të Partisë Demokratike mësohet se është dërguar edhe një kërkesë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për thirrjen në një seancë dëgjimore të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

 

Ristani

“Zhvillime mjaft shqetësuese për trafikun e drogës, kthimin e Shqipërisë në listën e zezë të drogës, alarmet që vijnë nga shtetet fqinje për drogën shqiptare në kufijtë e tyre, shndërrimit të Kanalit të Otrantos në autostradë të drogës, e njëjta gjë me fqinjin jugor ku vetëm sot policia Greke kapi 108 kg marijuanë që shkonte atje nga territori ynë, për fat të keq u është shtuar një zhvillim edhe më tronditës; përfshirja e ushtrisë shqiptare në trafikun e drogës. Dje, Partia Demokratike i kërkoi Ministres së Mbrojtjes të jepte shpjegime në lidhje me vënien e bazave të forcave tona të armatosura në dispozicion të trafikut të drogës”, – deklaroi deputeti i opozitës.

 

Pyetjet për ministren

 

Në një dalje publike për mediat, deputeti i PD-së, Arben Ristani, deklaroi se pas shqetësimit të ngritur nga opozita për përfshirjen e strukturave të ushtrisë në çështje të trafikut të drogës, ministrja Kodheli ka zgjedhur të heshtë. Sipas tij, kjo nuk e largon ministren nga përgjegjësia që ka për të dhënë shpjegime për pyetjet:

“1-A është ajo në dijeni të shqetësimit për përdorimin të mundshëm të infrastrukturës forcave të armatosura në trafikun e drogës?

2-A ka informacion ajo se si ka ndodhur që forcat tona të armatosura, pjesë e NATO-s, janë vënë në shërbim të trafikut të drogës?

3-Cilat janë masat që ajo ka marrë përballë këtyre fakteve skandaloze?”

Deputeti Ristani theksoi se heshtja e ministres nuk është aspak në shërbim të interesit publik, në shërbim të Forcave të Armatosura dhe të shtetit shqiptar.

Sipas tij, shqetësimi i publikut dhe i opozitës për gjendjen e rendit dhe të sigurisë në vend, po konfirmohet çdo ditë si një shqetësim real dhe i qenësishëm, ndërkohë që qeveria shqiptare hesht.

 

Comments are closed.