Standard.al

Basha hap procesin e zgjedhjeve në PD / Zbardhet udhëzimi, të zgjedhurit vendorë jo pjesë e garës

Florenc Drizari

Kryetari, Basha: Zgjedhjet në PD do të jenë festë e demokracisë

 Lulzim-Basha-PD-deklaron-565x413Partia Demokratike çeli dje procesin e zgjedhjeve për strukturat e saj drejtuese. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, njoftoi mbylljen e procesit të rifreskimit të bazës së të dhënave, duke thënë se kjo forcë politike ka tashmë ka numrin më të madh të anëtarëve me regjistrim të rregullt dhe me të dhëna të sakta të databazës, që ka pasur ndonjëherë në historinë e saj, si dhe nisjen e një procesi të ri, për zgjedhjen e strukturave të PD në të gjitha nivelet. Sipas Bashës, procesi i anëtarësimeve të reja në PD do të vazhdojë për ta mbajtur të hapur këtë forcë politike për këdo që ka dëshirë t’i bashkohet së djathtës, ndërsa foli për një proces pilot që do të ndiqet për qarkun e Tiranës, zonë në të cilën nuk u zhvillua procesi i rifreskimit të bazë së të dhënave.

Zgjedhjet në PD

Paralel me mbylljen e procesit të verifikimit të bazës së anëtarësisë, kryetari i Partisë Demokratike deklaroi fillimin e një tjetër procesi në PD, atë për zgjedhjen e përfaqësuesve në nivel seksionesh, grup-seksionesh dhe degësh. Kreu i PD-së foli për një udhëzim që do t’i shpërndahet bazës së anëtarësisë dhe që sipas tij, rregullon të gjithë procesin zgjedhur dhe që pritet të sjellë energji të reja në parti. Sipas burimeve në Partinë Demokratike, mësohet se drafti i hartuar nga krerët e PD-së thekson se të zgjedhurit vendorë të PD nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve në parti. Mësohet se kjo bëhet për të krijuar hapësira të reja në PD, por edhe që drejtues vendorë të së djathtës të mos influencojnë në këto zgjedhje me anë të pushtetit të tyre. Ndërkaq, kjo argumentohet edhe me faktin që një vit më pas do të ketë zgjedhje për pushtetin vendor dhe se këta të zgjedhur duhet t’i përqendrojnë energjitë e tyre në detyrat që kanë marrë. Gjithashtu, thuhet se zgjedhjet në PD do të jenë në bazë të statutit, një anëtar, një votë.

Lulzim Basha

“Pas përfundimit të regjistrimit, kam kënaqësinë të njoftoj çeljen e një etape të re të projektit tonë të ringritjes dhe modernizimit të partisë: zgjedhjet në nivel seksionesh, grup-seksionesh dhe degësh”, – deklaroi dje kreu i PD-së, Basha.

Sipas tij, udhëzimi që ka lëshuar “do t’u bëhet i njohur të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe bashkë me statutin e partisë do të jenë dy dokumentet themelore që do të garantojnë mbarëvajtjen e analizave dhe zgjedhjeve në PD, shndërrimin e tyre në një manifestim të madh të përgjegjësisë, në një shkollë të vërtetë të etikës qytetare, në një festë të demokracisë brenda partisë dhe në komunitet, në një nisje të re me frymëzime dhe energji të reja drejt objektivave që kemi”, – theksoi Lulzim Basha. Kreu i PD-së tha gjithashtu se udhëzimi kërkon një garë të rregullt, vlerësim të kontributeve dhe rezultateve si dhe qarkullim të drejtimit dhe elitave në përputhje me filozofinë e partive popullore ku PD bën pjesë.

 

Analiza e zgjedhjeve

Një tjetër fazë në të cilën ka hyrë Partia Demokratike është edhe zhvillimi i analizës së zgjedhjeve të kaluara parlamentare, një proces ky që pritej prej kohësh në PD.

“Le të nisim analizën. Le të vëmë gishtin me drejtësi dhe objektivitet mbi shkaqet reale të rezultateve në zgjedhjet e shkuara. Le të diskutojmë e debatojmë në mënyrë të qytetëruar. Le të reflektojmë e nxjerrim mësimet e duhura në funksion të ringritjes. Le të nisim garën e re, të lirë e të ndershme, të pastër, të drejtë e demokratike në çdo element të saj”, – deklaroi Basha. Sipas tij, Partia Demokratike në opozitë u ngrit prej humbjes brenda një kohë të shkurtër dhe po riniset më e madhe, më e bashkuar dhe më e vendosur së kurrë në misionin e saj.

 

 

Basha: PD ka numrin më të madh të anëtarëve me regjistrim të rregullt në historinë e saj

 

Thirrja e PD-së ndaj anëtarëve, simpatizantëve, qytetarëve dhe të rinjve, sipas kreut të partisë më të madhe opozitare në vend, “mori si përgjigje një rikonfirmim domethënës të anëtarësisë tradicionale, një rikthim si rrallë herë në shtëpinë e tyre politike të sa e sa individëve që për arsye të ndryshme kishin ndërprerë veprimtarinë politike në Partinë Demokratike ose ishin larguar prej saj, një vërshim të fuqishëm të brezit të ri, por edhe grupmoshave të tjera, për t’u anëtarësuar në forcën më të madhe politike të opozitës, në Partinë Demokratike”.

“Partia Demokratike ka numrin më të madh të anëtarëve me regjistrim të rregullt dhe me të dhëna të sakta të databazës, që ka pasur ndonjëherë në historinë e saj. Për mua si kryetar i PD-së, për të gjithë drejtuesit e saj ndër vite, për të gjithë anëtarët e saj të vjetër dhe të rinj dhe, jam i sigurt, edhe për opinionin e gjerë publik se ky është një lajm shumë i mirë dhe i gëzueshëm. Shqipëria ka një opozitë politike popullore akoma më të fortë, shtyllë e sistemit demokratik në vend. Shqipëria ka një alternativë gjithnjë e më solide ndaj qeverisë Rama-Meta të zhgënjimeve të mëdha dhe përkeqësimit të gjithanshëm”, – deklaroi Basha.

 

 

Comments are closed.