Zbardhet dosja hetimore/ Vrau babain, pasi e ndaloi të përdorte petrogaz

0

Anxhela Tato

Loading...

Hetimet, autori Mirjan Çota, depresiv, e hodhi thikën në lavaman dhe e braktisi babain të plagosur

 Dëshmitë e fqinjëve: E gjeta Feritin të gjakosur në tokë, më kërkoi ndihmë, më tha se e kishte qëlluar djali

krimi ne familjeVrasja e babait nga djali i sëmurë, pasi i kërkonte që të mos digjte sendet me petrogaz. Zbardhen detaje nga dosja hetimore e Prokurorisë për krimin e ndodhur në 12 janar të këtij viti në Togëz të Librazhdit, ku mbeti viktimë Ferit Çota. Nga të dhënat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mësohet se Mirjan Çota vuan nga çrregullime psikike dhe ditën e ngjarjes është konfliktuar me babain, pasi ky i fundit nuk ka dashur ta lejonte të përdorte petrogazin, duke i thënë: “Mos më shkatërro shtëpinë”. Ndërsa Mirjani i ka kërkuar brutalisht që të largohej, babai i moshuar i është afruar për ta ndaluar. Ky ka qenë momenti fatal, kur 32-vjeçari ka rrëmbyer thikën e bukës dhe ka qëlluar babain. I moshuari është rrëzuar në tokë dhe ka pësuar gjakderdhje duke humbur jetën. Dëshmitarë të këtij krimi kanë qenë edhe fqinjët, të cilët kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë të moshuarit, por ka qenë e kotë. Kur është kthyer në banesë, Mirjani ka hedhur thikën në lavaman dhe ka mbledhur mbeturinat në qese, duke i flakur në kosh. Seanca e parë gjyqësorë është çelur ditën e martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa burime nga Prokuroria zbardhin detaje të dosjes hetimore. Vetë fqinjët kanë akuzuar spitalin për mungesë përgjegjësie, duke mos e izoluar Mirjanin, i cili ka shfaqur gjithmonë simptoma të problemeve psikike.

Ekspertiza

 Në lavamanin e banesës është gjetur një thikë me përmasa 27 cm, e cila dyshohet se është mjeti i krimit, me të cilën Mirjan Çota ka vrarë babain. Ndërkohë, në parmakët e shkallëve mungojnë copa druri, të cilat, sipas ekspertizës, janë marrë dhe janë përdorur nga autori. Bëhet fjalë për dy copa druri me gjatësi 4 dhe 3.5 cm. Gjithashtu, janë fotografuar gjurmët e gjakut të viktimës, të cilat janë fiksuar në sipërfaqen e copave të drurit. Prokuroria dhe policia kanë sekuestruar në cilësinë e provave materiale thikën dhe dy copat e drurit. Ndërkohë, nga ekspertiza mjekoligjore është konstatuar se viktima ka një plagë depërtuese në anën e majtë të zemrës. Thellësia e kësaj plage është 3/0.5 cm, e shkaktuar nga depërtimi me një send të mprehtë, në këtë rast thikë.

Dëshmitë

 Pjesë e dosjes hetimore janë edhe dëshmitë e fqinjëve, të cilët kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës Ferit Çota. “Banesa e Feritit është afër me timen dhe rreth orës 10:00 kam dëgjuar zhurma dhe britma. U tremba dhe nxitova për të vajtur në banesë. Kur mbërrita aty, pashë Feritin të shtrirë në tokë dhe pyeta se çfarë kishte ngjarë. Feriti më kërkoi ndihmë dhe më rrëfeu se djali e kishte goditur me thikë. Aty erdhën edhe fqinjët e tjerë: Rifat, Ismet, Halit dhe Tafil Çota, të cilët i dhanë ndihmë Feritit. E transportuan për në spital, por i shkreti kishte humbur shumë gjak. Më pas mora vesh që Feriti kishte vdekur. Mirjani kishte disa ditë që nuk ishte mirë dhe ishte depresiv. Feriti jetonte vetëm me djalin dhe fëmijët e tjerë i kishte të martuar dhe disa jashtë shtetit. Në çastin që ka ndodhur krimi, në banesë kanë qenë vetëm ata të dy. Para se të përplaseshin fizikisht, Mirjani e ka qëlluar të atin me shapka e me çfarë të mundte. Aty ka qenë edhe vajza e viktimës, Alketa, e cila është larguar. Feriti e ka përcjellë vajzën deri diku dhe më pas është kthyer në shtëpi, ndërsa Mirjani kishte hyrë më parë. Ata janë zënë dhe Mirjani i ka ngulur thikën”.

 

 

 

Dosja “Ilir Kupa”/ Mbyllen hetimet, akuza, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Falsifikim dokumentesh”

“Armëmbajtje pa leje” dhe “Falsifikim dokumentesh” janë dy akuzat që Prokuroria ka ngritur ndaj Ilir Kupës, të arrestuar me 25 janar. Ndërsa dosja hetimore është depozituar në Gjykatë në kërkesën për gjykim thuhet se në momentin e prangosjes Kupa kishte dy armë zjarri dhe një kartë identiteti italiane false. Ilir Kupa është i mbijetuari i përndjekjes së policisë dhe ushtrisë greke, pasi u arratis vitin e kaluar nga burgu i Trikallasë, ku gjatë përndjekjes u masakruan nga plumbat tre shqiptarë, dy prej tyre shokë të Ilir Kupës. Ndërkohë, Gjykata e ka dënuar me tetë muaj burg, pas depozitimit të vendimit të gjykatës helene me 10 mijë euro gjobë për evazion fiskal. I riu, që në atë kohë që është dënuar, ka qenë jo më shumë se 22 vjeç, ka treguar para Gjykatës së Tiranës se nuk kishte mundur as ta kundërshtonte këtë masë dhe ta paguante këtë gjobë, pasi ai ishte në burg.

 

Hetimet

 “Më 25.1.2014, rreth orës 01:00, në vendin e quajtur rruga dytësore në fshatin Domje, nga shërbimet e policisë së komisariatit numër 6, në bashkëpunim me FNSH, në zbatim të planit të masave të përbashkët për kontrollin e territorit forcat e policisë kanë konstatuar një automjet i cili po vinte me shpejtësi të madhe në drejtim të tyre. Në këtë moment, shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë kësaj makine që të ndalonte, ku pasi u afrua, u vu re që ishte një automjet i tipit “Alfa Romeo”, me targa të huaja. Ky mjet nuk ka ndaluar por ka shtuar shpejtësinë dhe në këtë moment shërbimet e policisë i janë vënë në ndjekje. Në një kthesë ky mjet ka dalë nga rruga dhe forcat e policisë janë vënë në ndjekje në këmbë për të bërë të mundur gjetjen e personave që ishin në këtë mjet. Në një distancë rreth 50-70 metra në një terren rural dhe godina të braktisura është parë një person, i cili është munduar të largohet me vrap nga forcat e policisë. Nga ana e punonjësve të policisë këtij personi i është bërë thirrje që të ndalonte. Këtu forcat e policisë kanë thërritur përsëri në drejtim të personit për të ndaluar veprimet dhe ai është bindur. Më pas është bërë e mundur që personi të prangoset si dhe t’i bëhet një kontroll, ku i janë gjetur dy armë zjarri brezi, një pistoletë “Beretta” kalibër 7.65 mm model 81, ku në krehrin e kësaj arme ndodheshin 11 copë fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe një pistoletë “Glock 17c Austria”, 9×19 mm, dy krehra me fishekë. Po kështu i është sekuestruar edhe kartë identiteti “Carta d’identita” me nr AT xxxxxxx në emër të shtetasit A. Kulla. Në bazë të aktit, datë 11. 3.2014 për ekspertim teknik dokumentesh rezulton që tek dokumenti “Carta D’ Identita” në emër të shtetasit A. Kulla konstatohen ndërhyrje. Ndërhyrjet konsistojnë në ndërrimin e fotos së mëparshme me foton aktuale. Po kështu në lidhje me këtë dokument është bërë një denoncim për vjedhje më 3.12.2012 në zonën e Napolit. Kështu, i pandehuri Ilir Kupa ka ezauruar absolutisht të gjithë elementët e veprës penale të parashikuara nga neni 278/4 te Kodit Penal “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Falsifikim të dokumenteve dhe të identifikimit”.

 

Loading...