Statusi kandidat/ Belgjika: Shqipëria pjesë e BE-së, kur të përmbushë rregullat. Rumbold: Rëndësi, reformat

0
147

“Do të lexojmë me shumë kujdes çdo gjë që do të na dërgojë KE e pastaj do të vendosim”

???????????????????????????????Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha rregullat e Bashkimit Evropian për të mundësuar integrimin e saj në strukturën evropiane. Kështu bëri të ditur dje ambasadorja e Belgjikës. Anick Van Calster. dhe i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Clive Rumbold, duke nënvizuar rëndësinë e ecurisë së vendit në reformat e përcaktuara nga Brukseli si prioritare për marrjen e statusit kandidat. “Për Belgjikën, Shqipëria është vend evropian, kështu që ne të ardhmen e Shqipërisë e shikojmë si një vend anëtar të Bashkimit Evropian. Megjithatë, BE është një klub, i cili ka rregulla, ndaj një vend që të bëhet shtet anëtar i BE është e nevojshme që të përmbushë të gjitha rregullat që kërkohen. Ne monitorojmë vazhdimisht të gjithë hapat që ka ndërmarrë Shqipëria deri më tani dhe që do të vazhdojë të marrë edhe më vonë, duke ju inkurajuar të gjithëve ju që të vazhdoni në këtë rrugë, në mënyrë që të bashkoheni me ne sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha ambasadorja e Belgjikës pas aktivitetit të hapjes së ekspozitës “NERO” nga artisti belg Marc Sleen. Po ashtu, Van Calster theksoi se rol kryesor në vendimin që do të marrë shteti që ajo përfaqëson do të ketë raporti i Komisionit Evropian në qershor. “Belgjika është shtet anëtar i BE-së, kështu që ne do të lexojmë me shumë kujdes çdo gjë që do të shkruaje e do të na dërgojë Komisioni Evropian dhe pastaj do të përcaktojmë pozicionin tonë”.

 

Bashkimi Evropian

Për të ngarkuarin me punë të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Clive Rumbold, me rëndësi është që të shikohet realizimi i reformave, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. “Komisioni Evropian do të hartojë një raport, duke ndjekur të gjithë ato elemente, apo çështje, të cilat i kanë shprehur shtetet anëtare në takimin që u bë në mbledhjen e Këshillit në muajin dhjetor”, – deklaroi Rumbold. Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefan Fyle dha pak ditë më parë një mesazh të drejtpërdrejtë për klasën politike shqiptare duke theksuar se klima aktuale konfrontuese mes palëve minon arritjet e vendit në kuadër të aspiratës për integrimin në Bashkimin Evropian. Përmes një editoriali, eurokomisioneri theksoi se mesazhet e tij pas Dialogut të Nivelit të Lartë të zhvilluar më mars, i drejtohen si qeverisë ashtu edhe opozitës, ku shtoi se statusi i vendit kandidat, pasi të jepet, do të jetë një vlerësim i punës së të gjitha palëve. Sipas Fyles, rruga drejt vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në qershor është e qartë. “Shqipëria duhet të mbështetet te kjo, të ruajë dhe të shtojë tempin e reformave dhe të trajtojë sfidat që ka përpara në fushat ku duhen përqendruar më shumë përpjekje dhe energji”,shkruante komisioneri për Zgjerimin në KE. Ndërkohë, Kancelarja gjermane në takimin e zhvilluar në Berlin me kryeministrin Rama bëri të ditur se marrja e statusit kandidat nga Shqipëria do të varet nga raporti që do të përgatisë në qershor Komisioni Evropian, ku do të bëhet e ditur nëse vendi ka shënuar progres në reformat e përcaktuara si kritere kryesore nga Brukseli. Pas shtyrjes me 6 muaj të vendimit për statusin e kandidatit, në muajin qershor Këshilli i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të vendosë nëse Shqipëria do ta marrë ose jo statusin pas tre dështimeve radhazi.

 

 

Ambasadori gjerman/ Hoffman: Reformë në sektorin e drejtësisë, pse nuk merret azil në Gjermani

Ambasadori i Republikës së Gjermanisë, Hellmut Hoffmann, deklaroi se është me rëndësi parësore që Shqipëria të shënojë ecuri në politikën e reformave, kryesisht në atë të sektorit të drejtësisë. Në një intervistë për emisionin e mëngjesit “7 pa 5” në “VP”, ai theksoi: “Me rëndësi është fakti që Kancelarja Federale nënvizoi në deklaratën e saj se kursi i modernizimit të vendit dhe politikat e reformave, veçanërisht ato në sektorin e drejtësisë duhet të vijojnë të zhvillohen me konsekuencë. Sigurisht që edhe ne jemi mjaft të angazhuar këtu në Shqipëri dhe do të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit tuaj”. Lidhur me vendimin e Gjermanisë për t’i thënë po ose jo dhënies së statusit të vendit kandidat në BE Shqipërisë ambasadori Hoffmann theksoi se vendimet që lidhen me çështjet e zgjerimit merren pikërisht nga Këshilli i Kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. “Sigurisht që progres-raporti i Komisionit Evropian është shumë i rëndësishëm, por qeveritë e vendeve krijojnë edhe një panoramë të tyren rreth zhvillimeve të vendeve aspirante”. Sa i përket çështjes së azilkërkuesve nga Shqipëria, Hoffmann sqaroi se numri i tyre vjen në rritje, duke nënvizuar faktin se kjo përpjekje nuk do të ketë rezultat. “Në shtatorin e vitit 2013 numri i azilkërkuesve ka qenë rreth 20-30 persona, në janar diku te 400, në shkurt rreth 800 dhe tani numri ka shkuar rreth 600. Shumë prej personave që kërkojnë azil japin si motiv të azilkërkimit pikërisht fenomenin e gjakmarrjes. Kërkesat në Gjermani verifikohen në mënyrë të saktë dhe precize dhe parë nga pikëpamja statistikore më duhet të them se në rastin e shtimit të numrit të azilkërkuesve vetëm 1 në 100 persona që kërkojnë azil në Gjermani mund të kenë sukses me kërkesën. Pra mund t’u them atyre që mendojnë se do të shkojnë në këtë mënyrë në Gjermani se përpjekja nuk ja vlen”.

 

 

Me investitorët grekë/ Rama: Rimbursim automatik të TVSH-së për bizneset, luftë informalitetit

Me mbështetjen e Komisionit Parlamentar jozyrtar për Investimet Greke në Shqipëri, Ambasada e Greqisë në Tiranë dhe Zyra për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare, në bashkëpunim me Shoqatën e Biznesit Grek në Shqipëri, organizuan dje një tryezë të rrumbullakët për investimet greke në Shqipëri. I pranishëm në këtë event, Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është e vetëdijshme se ka ende shumë për të bërë lidhur me klimën e biznesit si edhe mjedisin ku operojnë në tërësi sipërmarrësit dhe veçanërisht investitorët e huaj. Duke u ndalur tek vlerësimi i kompanisë “Standard & Poor’s” për Shqipërinë, e cila ka kaluar nga nivel negativ në të qëndrueshëm për sa i përket gjendjes ekonomike, Rama tha: “Kjo është si rezultat i qeverisjes sonë dhe në mënyrë të posaçme, i programit që ne kemi adoptuar në bashkëpunim me FMN-në dhe angazhimin tonë për të shlyer borxhet ndaj sipërmarrësve dhe për të mos akumuluar borxhe të tjera”. Më tej, Kryeministri deklaroi se qeveria do t’i shlyejë borxhet, duke theksuar se deri më tani janë shlyer 200 milionë dollarë dhe brenda qershorit do të përmbushet e gjitha volumin e parashikuar për shlyerjen e këtij viti. “Ne kemi marrë përsipër t’i japim fund një historie të dhimbshme për biznesin, për rimbursimin automatik të TVSH-së për 60 ditë. Do të bëjmë çmos që shërbimin në tatime e dogana ta rrisim, por nga ana tjetër, ne kemi nevojë për partnerin e sipërmarrjes për të luftuar të gjithë fenomenet negative në qasjen e sjelljen e shtetit ndaj sipërmarrjes, për të mos lejuar që inspektorë doganash, tatimesh apo të çdo agjencie të kthehet në barra në qafën e sipërmarrësve, për të mos lejuar që në uniformën e shtetit të vendosen gjoba arbitrare”. Ai siguroi se cilido sipërmarrës që do të paraqesë një ankesë në këtë Këshill, do të lehtësohet shumë shpejt nga barra dhe madje do të japë edhe një kontribut për biznesmenët e tjerë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency