RAMA E BERISHA/ Ish-kryeministri: Rama pohon dyfishimin e vrasjeve Kryeministri: SMS-ja shpifje, Tahiri ministri i duhur

0
93

Florenc Drizari

 Berisha: Mesazh i Ramës për Tahirin për kriminalitetin, gjykojeni vetë!

 “SMS”, Rama: Mesazhi im? Shpifje, ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur

 berisha vs ramaPas mesazhit të publikuar nga deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka në Komisionin Hetimor për zbatueshmërinë e ligjit në Policinë e Shtetit (mesazh i cili është dërguar nga Kryeministri Edi Rama ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri), reagoi Kryeministri Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas Berishës, mesazhi i “Ramës” tregoi të vërtetën e situatës së kriminalitetit në vend. me anë të një publikimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan se Kryeministri Rama pak ditë më parë pretendonte se shifrat e kriminalitetit janë ulur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që në SMS tregohet një situatë tjetër.

“Edi Rama, që vetëm një javë më parë deklaronte në emisionin Opinion se vrasjet në tremujorin e parë të vitit 2014 janë 30% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2013, i drejton sot mesazhin që vijon zëdhënësit të tij për rendin S. Tahirit ku pohon se vrasjet janë dyfishuar. Më poshtë teksti i mesazhit që Rama i drejtoi Tahirit për treguesit e kriminalitetit”, – shkruan Berisha. Më pas ish-kreu i qeverisjes së djathtë publikoi mesazhin e plotë që sipas tij, është dërguar nga Kryeministri Rama ndaj vartësit Saimir Tahiri.

Ndërkaq, në lidhje me këtë çështje reagoi edhe Kryeministri Rama, i cili mohoi të ketë qenë ai autori i atij mesazhi. Duke folur për vlerësimin ndaj ministrit të Brendshëm, Rama rikonfirmoi edhe njëherë vlerësimin e tij për punën e Tahirit në krye të ministrisë së Brendshme. Në një postim në “Twitter”, Rama ka shkruar se: “SMS-ja ime per Ministrin e Brendshem? Nje shpifje! Mendimi im per Saimir Tahirin? Ministri i duhur qe meriton respekt per punen e palodhur”.

Më herët, në Komisionin Hetimor për zbatueshmërinë e ligjit në Policinë e Shtetit, deputetët e pozitës dhe të opozitës replikuan ashpër për vërtetësinë e mesazhit. Deputetët e mazhorancës ngritën akuza se persona pranë opozitës që përgjojnë Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, duke theksuar se do ta ndjekin këtë çështje deri në fund.

Debatet në Komisionin Hetimor pas publikimit të mesazhit nga Flamur Noka

Taulant Balla: Pretendimi i zotit Nona për komunikim mes Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm u pa qartë se ishte një mashtrim, por shpreh në emër të kolegëve shqetësimin për një prirje nga ana e deputetëve të PD-së dhe jo vetëm, edhe aktorë të tjerë, për të përgjuar deputetë, ministra, madje edhe Kryeministrin e Vendit. Sigurisht ne do të qëndrojmë gjatë në këtë çështje sepse puna e këtij komisioni do të vazhdojë deri në përfundim ku do të paraqitet raporti.
Flamur Noka: Unë lexova një sms dhe nuk kuptova një gjë nga kolegu i mazhorancës sepse ishte në kontradiktë me atë që tha vetë. Njëherë tha që u përgënjeshtrua dhe ishte mashtrim dhe pastaj na doli që nuk qenka mashtrim dhe do u merrkan gjatë e gjerë. Merruni gjatë e gjerë, por edhe thellë. E vërteta është kjo. E shoh që në sytë e mazhorancës ka lidhur një shkëndijë gëzimi sepse shohin që mund t’u afrohet ndonjë shans, pavarësisht se janë në përpjekje për ta mbrojtur ministrinë këtu, por ajo që është e vërtetë, është e vërtetë.
Blendi Klosi: Nuk është hera e parë që përgjohet. Këtë e ka bërë Sali Berisha prej kohësh, prej vitesh në Parlament. E bëni edhe ju sot. E dimë që keni përgjuar haptazi. Keni blerë pajisje nga ministri të rëndësishme që janë për të ruajtur shqiptarët dhe ju përgjonit opozitën. E keni bërë haptazi këtë kur ne ishim në opozitë dhe vazhdoni të jetoni me këtë historinë përgjimit, e sigurimit, e spiunit të veshit dhe syrit, por që kjo gjë të bëhet kaq arrogant dhe në këtë komision është e pafalshme për ne dhe prandaj kërkuam edhe pushimin.
Eduard Halimi: Kjo që ka ndodh është absurde. Zotërinj, po qaheni se ju paska përgjuar opozita. Deri dje qanit kur ishit në opozitë se ju paska përgjuar mazhoranca. Tani qaheni se ju paska përgjuar opozita, sepse doli një mesazh që e nxori një nga deputetët. Ky është qëndrimi më absurd dhe më qesharak që mund të jetë.
Bleni Klosi: Këto janë mesazhe të turpshme. I thuhet ministrit të Brendshëm…
Eduard Halimi: Z. Klosi! Ju dëgjova, ju dëgjova…
Arben Ristani: O zoti Klosi doni një pushim që të merreni me njëri-tjetrin?
Blendi Klosi: Jo s’ka gjë.
Arben Ristani: Meqë ju mbaruat, fjalën e ka z. Halimi.
Eduard Halimi: Ju dëgjova, nuk ju ndërpreva. Tani unë rashë dakord me ju, edhe me deputetë të tjerë që ndoshta të ngremë edhe një komision tjetër, ku mazhoranca, qeveria, të qahet sërish se e ka përgjuar opozita. Ta ngrenë se si Flamur Noka e ka marrë këtë mesazh, si ka hyrë e si ka dalë. Të mos vazhdojmë më me këtë histori… do ketë apo jo ndryshime në qeveri, se ndajmë ne sot këtë tani…
Xhemal Qefaliaj: …akoma ka segmente të caktuara në Ministrinë e Brendshme, akoma ai zotëria që mori certifikatën para një javë (Visho Lika), që nuk e kishte dhe zoti Noka e Presidenti thoshte se nuk i duhej sepse e ka me ligj, ndërkohë vajti dhe e mori. Kjo është arsyeja pse vazhdon e përgjohet mazhoranca, por asgjë të keqe nuk ka. Sillni argumente që ka të bëjë me komisionin hetimor.
Flamur Noka: Unë përdora një mesazh që është i vërtet dhe nga diskutimet tuaja u tregua sepse nuk ka shanse për të dyshuar. Pas mesazhit që Kryeministri i ka dërguar ministrit, ku pasqyrohet situata shumë e rëndë, dyfish e vrasjeve në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çdokush që ka personalitet, ngelet të japë dorëheqjen. Ju mbajeni, ta gëzoni përsëri. Shqiptarëve u rëndon në kurriz me vrasje e drogë. Kryeministri me këtë sms tregon se nuk është dakord.
Taulant Balla: Zoti kryetar kjo që po bën z. Noka nuk është procedurë…
Arben Ristani: Po lëre të mbarojë tani!
Flamur Noka: Pra, ju vazhdoni dhe mbajeni, por unë ju thash që çdo titullarë që ka integritet përballë një situatë të tillë, sigurisht nuk i mbetet gjë tjetër veçse të japë dorëheqjen. Kryeministri nuk është dakord me mbrojtjen që i bëni ju. Ndërsa ju nuk jeni dakord me Kryeministrin. Unë koincidoj për herë të parë të jem dakord me Kryeministrin.
Pjerin Nreu: Ndryshimet strukturore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, janë bërë me urdhrin tuaj, apo me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm?
Saimir Tahiri: Para se të përgjigjem të përkrah ata ndër ju se nga mesazhet këtu, ka realisht gjëra më të rëndësishme për t’u marrë sesa t’i ofrohet publikut një mesazh që unë i dërgoj vartësve dhe bashkëpunëtorëve të mi, sepse unë jam i ndërgjegjshëm në detyrën time, kërkues në maksimum dhe sepse besoj se ka ende shumë për të bërë, për të arritur aty ku shqiptarët duan, pavarësisht pse jam krenar që kemi bërë shumë për t’u larguar nga modeli që gjetëm…
Po jua përsëris, unë s’i heq asnjë presje të gjitha deklaratave të mia këtu, po keni ndonjë kuriozitet për mesazhe të tjera, bujrum t’ju tregoj telefonin e merreni e shikojeni.
Arben Ristani: Më vjen mirë që jeni i hapur.
Saimir Tahiri: Se si komunikoj unë me Kryeministrin apo Kryeministri me mua, jemi të hapur…
Arben Ristani: Ju jeni i hapur dhe të vazhdojmë më tutje.
Saimir Tahiri: Do t’ju ftoja ta shpenzoni kohën tuaj të nderuar, por edhe kohën time të detyrës në shërbim të qytetarëve sesa mesazhet që i dërgoj unë bashkëpunëtorëve të mi që është fare normale.
Pjerin Ndreu: A i njihni personat që kanë marrë pjesë në arrestimin e babait tuaj, keni pas kontakte gjatë asaj kohe ma ata? Keni shkëmbyer debate?
Saimir Tahiri: Nuk i kam njohur kurrë dhe as i kam takuar, as i kam parë, dëgjuar e komunikuar ndonjëherë me ndonjërin. Nuk më është dhënë rasti dhe po të më jepej rasti, do të komunikoja. S’më është dhënë rasti as kur ndodhi ngjarja e as kur isha në detyrë sepse e kam konsideruar një gjë të padenjë kur isha në detyrë për kulturën time që të merrem me çështje që janë tërësisht personale, apo politike siç ishin në atë kohë.

Kam dëgjuar dje në komision hetimor, unë se njoh atë zotërinë, por një deklaratë që unë e kam njohur dhe i paskam komunikuar diçka, por unë as që e kam njohur ndonjëherë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency