Letra e kryetarit/ Gjykata e Apelit në Tiranë, gjyqtarët akuzojnë hapur njëri-tjetrin si të korruptuar

0
160

Sonila Mesareja

Klanet brenda gjykatës dalin me letra të hapura drejtuar KLD-së. Kryegjyqtari i Apelit, Alaudin Malaj: Gjin Gjoni i korruptuar, ka marrë para në disa çështje. Gjin Gjoni akuzon Malajn: I caktove vetes çështjen për qëllime korruptive

 

gjykata e apelitMë në fund, në Gjykatën e Apelit të Tiranës po hapen “petët e byrekut”, duke denoncuar vetë gjyqtarët aktet korruptive të njëri-tjetrit. E paralajmëruar disa kohë më parë në një shkrim të gazetës “standard” përballja e ashpër mes dy klaneve që zotërojnë prej kohësh në Gjykatën e Apelit në analizën vjetore të punës për 2013-ën, tashmë përplasja ka dalë hapur dhe në dijeni janë vënë edhe krerët më të lartë të drejtësisë shqiptare. Klani i parë përfaqësohet nga kreu aktual i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj dhe klani i dytë nga gjyqtari Gjin Gjoni, i cili është edhe anëtar i KLD-së. Përplasjet e ashpra dhe akuzat e ndërsjella nisën në analizën vjetore të kësaj gjykate, ku një numër i madh gjyqtarësh kërkuan të ishte e pranishëm media, ndërsa me vendim të kreut të kësaj gjykate, media u nxorr jashtë. Nga burime gjyqtarësh brenda analizës u bë me dije se pati një akuzë nga ana e gjyqtarit Gjin Gjoni ndaj kreut të Apelit, se favorizonte veten në gjyqe civile për çështje të caktuara, ku ka përmendur edhe rastin për të cilin i është drejtuar edhe KLD-së. Madje, Gjin Gjoni e ka akuzuar kreun e Apelit se ia caktoi vetes këtë çështje për qëllime korruptive. Nga ana e kryetarit Malaj pati reagime deri në akuza për mitmarrje ndaj gjyqtarit Gjoni, por që gjithçka mbeti brenda sallës ku u zhvillua analiza në atë kohë dhe nuk pati reagime nga palët.

 

Shkresa

Tensionet brenda gjykatës së Apelit në kryeqytet duket se janë shtuar shumë në ditët apo javët pas analizës, pasi kreu i kësaj gjykate Alaudin Malaj i është drejtuar me një letër zyrtare KLD-së më 3 Mars të këtij viti, ku rendit një sërë akuzash kundër gjyqtarit Gjin Gjoni, madje duke e akuzuar këtë të fundit edhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj një gjyqtari. Në letër e hapur drejtuar dy krerëve të KLD-së, për dijeni edhe ministrit të Drejtësisë, kreut të Gjykatës së Lartë dhe anëtarëve të tjerë të KLD-së, kryetari i Gjykatës së Apelit Alaudin Malaj, akuzon anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, për presione ndaj tij dhe gjykatës duke kërkuar të ushtrojë ndikim në një çështje. Sipas kryegjyqtarit Malaj, bëhet fjalë në çështjen gjyqësore ku shtetasi amerikan, Gerhard Haag akuzon shtetasin shqiptar Agim Selimi se i ka marrë në formë mashtrimi një objekt me anë të një akti shitjeje. Çështja është depozituar në gjykatë në datë 10, ndërsa në short rezulton të jetë hedhur 8 ditë më pas, pra më datë 18, datë të cilën e ka konstatuar në listën e shpallur jashtë gjykatës edhe vetë njëra nga palët, përkatësisht i padituri Agim Selimi. Çështja është ndarë me short të gjykohej pikërisht nga kreu i Gjykatës së Apelit Alaudin Malaj.

 

Akuza

Kryetari i Gjykatës së Apelit Alaudin Malaj, ndërsa mundohet të sqarojë pozicionin e tij para kreut të KLD-së, z.Bujar Nishani, akuzon se gjyqtari Gjoni ka shfrytëzuar një gabim njerëzor në publikimin e datës së fillimit të gjyqit, për të sulmuar fillimisht në analizën vjetore të punës për vitin 2013 të Gjykatës së Apelit atë dhe më pas për ta vijuar sulmin në mënyra të tjera. Sipas sqarimit të Malajt në shkresën dërguar krerëve të Apelit dhe anëtarëve të tij, anëtari i KLD-së, i interesuar për përfundimin e çështjes gjyqësore në favor të të paditurit Agim Selimi, ka reklamuar në mënyrë antiligjore kërkesën e këtij të fundit për largimin e vetë Malajt nga gjykimi i kësaj çështjeje. Malaj i drejtohet Presidentit të Republikës se “ndërhyrja ose çdo lloj ndikimi tjetër në ushtrimin e detyrës së një gjyqtari tjetër përbën shkelje të rëndë disiplinore, si një akt apo sjellje që diskretiton pozitën dhe figurën e gjyqtarit”. Sipas Malajt, Selimi ka mundur të kalojë një letër dhe t’ua shpërndante anëtarëve të KLD-së pa kaluar më parë tek inspektorët, duke aluduar për ndihmën e Gjonit në këtë veprim. Por, akuzat ndaj Gjin Gjonit nuk fokusohen vetëm në këtë çështje, por ashtu si edhe në analizën vjetore, shkojnë edhe më tej, duke hedhur akuza të rënda ndaj gjyqtarit. Kryegjyqtari i Apelit e akuzon gjyqtarin Gjin Gjoni edhe manipulim sipas tij të bërë në rastin e aksidentit me vdekje të një 13-vjeçareje, për të cilën në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore, ia ka faturuar bashkëshortes. Gjithashtu, ai ka renditur si akuzë ndaj gjyqtarit edhe vendimin e Gjin Gjonit për një trafikant ndërkombëtar, shtetas i huaj, të cilit i ndryshoi masën e sigurisë duke e lënë në “arrest shtëpie”. Bëhet fjalë për një shtetas turk i cili pas ndryshimit të akuzës nga gjyqtari Gjoni, u arratis dhe i shpëtoi policisë. Gjithashtu, një tjetër vendim i denoncuar është edhe ai në çështjen “Duty Free”, ku sipas kreut të Gjykatës së Apelit, përfshihet edhe aeroporti i Rinasit, çështje e cila ka prishur marrëdhëniet me Ministrinë e Jashtme gjermane dhe ku Gjin Gjoni, sipas Malajt, ka fituar miliona euro nëpërmjet presioneve të bëra gjyqtarëve.

 

 

Amnistia/ Burgjet: U përmbyll procesi, u liruan 813 të dënuar

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi dje se pas hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 22/ 2014 “Për Dhënie Amnistie” dy ditë më parë, ky proces përfundimisht u përmbyll ditën e djeshme. Kreu i drejtorisë së burgjeve, drejtori Artur Zoto, përmes një konference për shtyp bëri me dije se “zbatimi i këtij ligji vjen në një moment të rëndësishëm të ndërmarrjes së reformave, që lidhen me krijimin e një sistemi bashkëkohor peniteciar në vendin tonë”. Sipas tij, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u morën të gjitha masat që kishin të bënin me zhvillimin normal të këtij procesi. Si rrjedhojë e zbatimit të Ligjit “Për dhënie amnistie” deri më tani kanë përfituar lirimin e menjëhershëm 813 të dënuar dhe paraburgosur. Madje, drejtori Zoto i ka paraqitur lirimet edhe sipas burgjeve dhe paraburgimeve në gjithë vendin.

 

 

Të liruarit sipas burgjeve

IEVP “J. Misja”

6

1

0

7

IEVP Vlorë

10

0

0

10

IEVP “M. Peza”

6

0

0

6

IEVP Lezhë

134

0

0

134

IEVP Burrel

25

0

0

25

IEVP Tepelenë

7

0

0

7

IEVP Peqin

152

0

0

152

IEVP Lushnjë

77

0

0

77

IEVP Vaqarr

54

0

0

54

IEVP Rrogozhinë

64

0

0

64

IEVP “A. Demi”

57

25

0

82

IV Krujë

4

0

0

4

IEVP Fushë-Kr.

63

0

0

63

Spitali i Burgjeve

1

0

0

1

IEVP Durrës

8

0

0

8

IEVP Kukës

0

0

0

0

IEVP Sarandë

0

0

0

0

IEVP Korçë

88

0

0

88

IEVP Tropojë

0

0

0

0

IEVP Kavajë

0

0

24

24

IEVP Berat

3

0

0

3

IEVP Elbasan

4

0

0

4

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency