Bllokimi/ Basha, Ramës: Hiq dorë nga marrja peng e buxhetit, u shërben qytetarëve, jo partive politike

0

Basha siguroi qetarët e Tiranës se Bashkia dhe vetë ai personalisht do të jenë të angazhuar 100% që t’u shërbejnë qytetarëve në çdo minutë dhe në çdo sekondë të mandatit të tij

Loading...

 

BASHA-ME-KOPSHTIN“Ka një lajm të keq, lajm i keq është se sot (dje) bëhen tre muaj e dy javë, që Bashkia e Tiranës nuk mund të hapë asnjë nga investimet e planifikuara për pothuajse 70 shkolla, kopshte dhe çerdhe që do t’u shërbenin në total 15 mijë fëmijëve të kryeqytetit”. Kështu është shprehu kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë vizitës në kopshtin numër 23, ku ka përuruar përfundimin e punimeve për rikonstruktimin e tij. Kryebashkiaku ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar nga bllokimi që Kryeministri Edi Rama i ka bërë buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Nga ky bllokim është krijuar pamundësi investimi në afro 70 shkolla, kopshte dhe çerdhe të Tiranës. “Nën pretekste gjithfarësoj, ia kanë dalë që për janarin, shkurtin, marsin dhe këto dy javë të para të prillit ta lënë Tiranën pa buxhet. Kemi bërë thirrje të përsëritura, do të vazhdojmë t’i bëjmë një thirrje, do të vazhdojmë të bëjmë thirrje të tjera, por sot dua t’i bëj një thirrje këtu nga dera e këtij kopshti, në emër të këtyre 140 fëmijëve dhe të familjarëve të tyre dhe në emër të atyre mijëra e mijëra të atyre vogëlushëve që nuk kanë shpresë për kushte më të mira në kopshtet, çerdhet dhe shkollat e qytetit sepse konflikti politik, absurd, i nisur, i dirigjuar dhe i drejtuar personalisht nga zoti Rama ka marrë peng buxhetin e Tiranës: Hiq dorë nga marrja peng e buxhetit të qytetarëve. Çliroje buxhetin, buxheti u shërben qytetarëve, nuk u shërben partive politike. Hiq dorë nga instrumentalizimi si prefekti apo Këshilli Bashkiak, për të marrë hak apo ngushtuar hapësirën e veprimit të Bashkisë së Tiranës”, – përmendi kryebashkiaku. Më tej, Basha siguroi qytetarët e Tiranës se Bashkia dhe vetë ai personalisht do të jenë të angazhuar 100% që t’u shërbejnë qytetarëve në çdo minutë dhe në çdo sekondë të mandatit të tij. “Për ne, qytetarët e Tiranës janë të parët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, nevojat e tyre janë prioriteti ynë kryesor”, – theksoi Basha.

Kopshti 35
Me një investim prej 14.5 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar tërësisht kopshtin numër 35 në njësinë bashkiake numër 8. Në këtë kopsht të ndërtuar në vitin 1970 kishte probleme të mëdha, lagështirë në të gjitha ambientet, mungonte ngrohja dhe ambientet e përshtatshme për fëmijët. Sot ky kopsht ka kushte komode për akomodimin e 140 fëmijëve. Ambientet e ndenjës dhe të fjetjes e ngrënies janë shtruar me parket, janë vendosur shtresat e domosdoshme hidroizoluese; vendosje e sistemit të ngrohjes me pelet dhe depozita e ujit sanitar që të mbulojë total nevojat e kopshtit. Kopshti është mobiluar plotësisht sipas nevojave që kërkon çdo grup. “Kushtet që kopshti ofron janë moderne dhe të nivelit më të lartë. Kuzhinë e re, infrastrukturë e re higjieno-sanitare, ngrohje qendrore e kopshtit, rinovim i ambienteve të brendshme dhe i ambienteve të jashtme dhe çfarë është më e rëndësishmja fëmijë të cilët jo vetëm nuk kanë asnjë pengesë, asnjë vështirësi, për të kaluar ditën por duket se nën kujdesin e edukatoreve, nën përkujdesin e tyre gëzojnë, dhe i kënaqen kushteve të reja të këtij kopshti. Të tilla kopshte kemi rikonstruktuar anembanë qytetit të Tiranës dhe disa të tjerë janë në përfundim e sipër, ky është një lajm i mirë, është lajm i mirë për afro 140 vogëlushë të kësaj lagjeje që do të shërbehen në këto rrethana, në këto kushte evropiane dhe për prindërit e tyre, për familjarët e tyre, të cilët sa u përket cilësisë së shërbimit dhe cilësisë së infrastrukturës mund t’i gëzohen, do të thosha një cilësie evropiane dhe moderne”, – u shpreh Basha.

 

 

Bozdo: Ja projektet që po bllokon Kryeministri Edi Rama

Gjatë një konference për shtyp, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, ka bërë publike të gjitha projektet që po bllokon Kryeministri për Tiranën. “Edi Rama duket i vendosur që të penalizojë me çdo kusht qytetarët e Tiranës. Edi Rama ka refuzuar të financojë qoftë edhe një projekt të vetëm të propozuar nga Bashkia e Tiranës, përmes Fondit Zhvillimit të Rajoneve. Bashkia Tirane ka propozuar 17 projekte për t`u financuar, ndër të cilat 7 projekte rikualifikimi urban, 5 projekte kopshte-shkolla-çerdhe, 4 projekte rruge dhe 1 projekt ujësjellës-kanalizime. Në shfaqjen e radhës të Kryeministrit, morëm vesh se njësisë bashkiake numër 6 do t’i financohet një projekt. Edhe me financimin e këtij projekti, për të cilin Bashkia nuk ka asnjë dijeni, shuma që i akordohet Bashkisë së Tiranës është vetëm 1% e Fondit të Përgjithshëm të Zhvillimit të Rajoneve. Qytetarët e Tiranës kontribuojnë me 45% të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Tirana është qyteti me numrin më të madh të popullsisë në vend, ndërsa qeveria vendos t’i akordojë vetëm 1% të Fondit të Financimit të Zhvillimit të Rajoneve. Me paturpësi sot (dje) dy ish-kryebashkiakët Rama dhe Peleshi u tallën me qytetarët e Tiranës. Prej më shumë se 3 muajsh kanë bllokuar buxhetin e Bashkisë, duke bllokuar çdo investim në këtë qytet: bulevardin, kreditë për të pastrehët, investime për rrugët, kopshtet çerdhet, fondet e punësimit, për artin dhe kulturën e deri tek varrezat publike. E pra, përveç konfliktit politik dhe bllokimit, Edi Rama i ofroi Tiranës edhe politikën e tij të diskriminimit”, – u shpreh Bozdo.

 

 

Projektet që po bllokohen

-Rikualifikimi urban i bllokut prej 12.4 ha që kufizohet nga rruga “Sami Frashëri”-“Ibrahim Rugova”-“Abdyl Frashëri”- parku i liqenit në njësinë bashkiake numër 5

-Rikualifikimi urban i bllokut numër 1 Laprakë, njësia bashkiake numër 11

-Rikualifikimi urban i blloqeve të banimit 64, 66 dhe 69 në njësinë bashkiake numër 2

-Rikualifikimi urban i bllokut të kufizuar nga rrugët “Llambi Bonata”-“Haki Stermi”-“Musine –Kokalari” dhe rikonstruksioni i rrugës “Zyber Zeneli” i njësisë bashkiake numër 6

-Rikualifikim urban i bllokut në rrugën “Vëllezërit Manastirli”, njësia bashkiake numër 7

-Rikualifikim urbani bllokut të kufizuar nga rruga “Muhamed Gjollesha”-“Myslym Shyri” – “Kavajës” – kufiri i njësisë bashkiake numër 10

-Rikualifikim urban blloku të kufizuar nga rrugët “Sulejman Delvina”-“Medar Shtylla”-“Skënder Luarasi”-“Grigor Heba”-“Gjik Kuqali”, njësia bashkiake numër 5

-Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza Kombinat

-Rikonstruksioni i pjesës veriore të Unazës së Vogël (Rruga e Kavajës-“Zogu i Parë”)

-Sistemim, asfaltim i Unazës nga Ministria e Jashtme deri tek ura “Vasil Shanto”

-Rikonstruksioni i rrugës “Ali Demi”

-Rikonstruksioni i rrugës “Ali Shefqeti”

-Rikonstruksion i plotë dhe shtesë ambientesh në shkollën e mesme “Qemal Stafa”

-Rikonstruksion i plotë i shkollës 9-vjeçare “Hasan Vogli”

-Ndërtim – shtesë objekti i shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini”

-Rikonstruksion kopshti numër 18

-Rikonstruksion kopshti në Kodër-Kamëz

 

 

 

 

Loading...