Banka qendrore vendos rregulla të reja për përmbaruesit

0

Ervin Kaduku

 

Publikohet udhëzimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

 

 

banka sportelBanka e Shqipërisë ka nxjerrë këto ditë një udhëzim që rregullon sërish sekuestron e llogarive bankare nga përmbaruesit në kushtet e reja. Banka e njofton përmbaruesin gjyqësor për vendosjen e sekuestros brenda 3 ditësh pune nga marrja e urdhrit. Ndërsa përmbaruesi urdhëron transferimin e shumës ose heqjen e sekuestros për këtë shumë brenda 10 ditësh pune nga marrja e njoftimit të bankës, në të kundërt masa e sekuestros konsiderohet e rënë. Sipas rregullores së re, banka mund të vendosë sekuestro vetëm nëse llogaria është pozitive, por nga ana tjetër përmbaruesi gjyqësor mund të kërkojë informacion nga banka në çdo kohë për gjendjen e llogarisë mbi të cilën është vendosur sekuestroja. Sekuestroja në llogarinë e debitorit nuk pezullon pagimin e kredive që, sipas nenit 605 të Kodit Civil, paguhen me preferim ndaj urdhrit për sekuestro. Kur shuma e sekuestruar në llogari nuk është e mjaftueshme për të shlyer detyrimet e paraqitura për ekzekutim, banka njofton përmbaruesin gjyqësor, i cili respekton radhën e referimit, që përcaktohet në nenin 605 të Kodit Civil. Sekuestroja konsiderohet e rënë, në rast se përmbaruesi gjyqësor nuk i komunikon radhën brenda 10 ditësh pune nga marrja dijeni për njoftimin e bankës. Sekuestroja në llogarinë e debitorit hiqet me urdhër të përmbaruesit gjyqësor. Kur sekuestroja vendoset në bazë të një vendimi gjykate për sekuestrimin e shumave në llogari (sigurim padie), heqja e sekuestros bëhet me urdhër të përmbaruesit gjyqësor, ose paraqitjes pranë bankës të vendimit të gjykatës që urdhëron heqjen e sekuestros. Përmbaruesi gjyqësor, brenda 10 ditësh pune nga data e marrjes së njoftimit të bankës për vendosjen e sekuestros mbi llogarinë e debitorit, i njofton bankës urdhrin për transferimin e shumës. Gjithashtu, udhëzimi i ri i Bankës së Shqipërisë forcon procedurën që i duhet përmbaruesit për sekuestron e llogarive. Numri i dokumenteve që ata duhet të sjellin në banka kundrejt sekuestros së shumës është rritur ndjeshëm në krahasim me procedurën aktuale.

 

Anulimi i sekuestros

Banka nuk vendos sekuestron dhe njofton përmbaruesin gjyqësor brenda ditës së nesërme të punës nga marrja e urdhrit për vendosjen e sekuestros, kur konstaton se

ky urdhër nuk përmban dokumentacionin e duhur. Kur urdhri për vendosjen e sekuestros ka paqartësi apo gabime materiale të dukshme në identifikimin e debitorit apo shumës për të cilën duhet kryer ekzekutimi, banka vendos sekuestron dhe i njofton përmbaruesit gjyqësor parregullsitë e urdhrit brenda ditës së nesërme të punës nga marrja e urdhrit për vendosjen e sekuestros. Nga ana tjetër përmbaruesi gjyqësor, brenda 3 ditësh nga marrja e njoftimit të bankës, rregullon gabimet apo paqartësitë e konstatuara dhe njofton bankën. Në mungesë të përgjigjes nga ana e përmbaruesit gjyqësor, në përfundim të afatit 3-ditor, masa e sekuestros konsiderohet e rënë.

 

Udhëzimi i plotë i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

 

UDHËZIM

Nr. 2, datë 27.3.2014

PËR EKZEKUTIMIN E DETYRIMEVE MBI SHUMAT E LLOGARIVE NË BANKË

Në bazë dhe për zbatim të nenit 600 të ligjit nr. 8116, datë 29.3.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; nenit 12, shkronja “a” dhe neni 43, shkronja “c” të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, Banka e Shqipërisë

UDHËZON:

1. Objekti

Ky udhëzim ka për objekt përcaktimin e mënyrës së ekzekutimit mbi shumat e llogarive në bankë.

2. Subjektet

Subjekte të këtij udhëzimi janë bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë.

3. Përkufizime

Në zbatim të këtij udhëzimi, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

a) “Bankë” është subjekti i licencuar nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e veprimtarisë bankare në Republikën e Shqipërisë;

b) “Debitor'” është personi fizik apo juridik kundrejt llogarive, ekzistuese ose të ardhshme, të të cilit është lëshuar një urdhër për vendosjen e sekuestros nga ana e përmbaruesit gjyqësor;

c) “Sekuestro” është bllokimi i përkohshëm i shumave në llogaritë bankare të debitorit, në zbatim të urdhrit të përmbaruesit gjyqësor;

d) “Transferim i shumës” është transferimi në llogarinë bankare të përmbaruesit gjyqësor – apo sipas urdhrit të këtij të fundit, në llogarinë e kreditorit – i shumës mbi të cilën është vendosur sekuestroja;

e) “Urdhër për vendosjen e sekuestros” është akti shkresor i përmbaruesit gjyqësor, i cili urdhëron bankën për vendosjen e sekuestros;

f) “Urdhër për heqjen e sekuestros” është akti shkresor i përmbaruesit gjyqësor, i cili urdhëron bankën për heqjen e sekuestros;

g) “Urdhër për transferimin e shumës” është akti shkresor i përmbaruesit gjyqësor, i cili urdhëron bankën për transferimin e shumës, objekt detyrimi i debitorit në një llogari bankare të përcaktuar në urdhrin e përmbaruesit gjyqësor;

h) “Llogari” nënkupton “llogari bankare”, “depozitë bankare” dhe çdo “kredi” (të drejta) në emër të debitorit, ose çdo pjesë takuese e tij, duke përjashtuar produktet bankare vijuese, garanci bankare, letërkredi, overdraft.

4. Urdhri për vendosjen e sekuestros

4.1 Përmbaruesi gjyqësor ka të drejtë të urdhërojë vendosjen e sekuestros në shumat në llogarinë e debitorit, në të gjitha bankat që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Shqipërisë.

4.2 Urdhri për vendosjen e sekuestros paraqitet në formë të shkruar dhe përmban minimalisht:

a) Të dhëna për identifikimin e debitorit:

i) emrin, mbiemrin, atësinë dhe datëlindjen (për individët);

ii) emrin dhe numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (për personat fizikë dhe për personat juridikë);

b) Shumën për të cilën vendoset sekuestro;

c) Urdhrin e ekzekutimit të lëshuar nga gjykata kompetente, ose çdo akt mbi të cilin bazohet fillimi i procesit të ekzekutimit të detyrueshëm.

5. Detyrimi i bankave për të vendosur sekuestron dhe për të informuar përmbaruesin gjyqësor

5.1 Banka, brenda ditës së nesërme të punës nga marrja e urdhrit për vendosjen e sekuestros, vendos sekuestron në shumat, të cilat gjenden në llogarinë e debitorit, në momentin e marrjes së urdhrit, deri në shumën e përcaktuar në urdhër. Kur shuma e disponueshme në llogari është më e vogël se shuma e përcaktuar në urdhër, banka vendos sekuestro mbi të gjithë këtë shumë.

Banka vendos sekuestron për shumat, të cilat do të bëhen të disponueshme në llogari, deri në plotësimin e shumës së përcaktuar në urdhrin për vendosjen e sekuestros.

5.2 Banka njofton përmbaruesin gjyqësor për vendosjen e sekuestros, brenda 3 ditësh pune nga marrja e urdhrit. Përmbaruesi urdhëron transferimin e shumës ose heqjen e sekuestros për këtë shumë, brenda 10 ditësh pune nga marrja e njoftimit të bankës, në të kundërt masa e sekuestros konsiderohet e rënë.

5.3 Banka njofton përmbaruesin gjyqësor brenda 3 ditësh pune nga marrja e urdhrit për vendosjen e sekuestros, kur llogaria e debitorit nuk ka gjendje pozitive. Banka vendos sekuestron vetëm nëse në këtë llogari do të bëhen të disponueshme shuma të cilat do të krijojnë një gjendje pozitive.

5.4 Përmbaruesi gjyqësor mund të kërkojë informacion nga banka, në çdo kohë, për gjendjen e llogarisë mbi të cilën është vendosur sekuestroja. Banka i kthen përgjigje përmbaruesit gjyqësor brenda ditës së nesërme të punës nga marrja e kërkesës. Në rast se në llogari janë sekuestruar shuma të tjera, të cilat përbëjnë gjendje pozitive, përmbaruesi urdhëron transferimin e shumës ose heqjen e sekuestros, brenda 10 ditësh pune nga data e marrjes së konfirmimit me shkrim të bankës, në të kundërt masa e sekuestros konsiderohet e rënë.

5.5 Banka nuk vendos sekuestron dhe njofton përmbaruesin gjyqësor brenda ditës së nesërme të punës nga marrja e urdhrit për vendosjen e sekuestros, kur konstaton se ky urdhër nuk përmban elementet e përcaktuara në pikën 4.2 të këtij udhëzimi.

5.6 Kur urdhri për vendosjen e sekuestros ka paqartësi apo gabime materiale të dukshme në identifikimin e debitorit, apo shumës për të cilën duhet kryer ekzekutimi, banka vendos sekuestron dhe i njofton përmbaruesit gjyqësor parregullsitë e urdhrit, brenda ditës së nesërme të punës nga marrja e urdhrit për vendosjen e sekuestros.

Përmbaruesi gjyqësor, brenda 3 ditësh pune nga marrja dijeni e njoftimit të bankës, rregullon gabimet apo paqartësitë e konstatuara dhe njofton bankën.

Në mungesë të përgjigjes nga ana e përmbaruesit gjyqësor, në përfundim të afatit 3-ditor, masa e sekuestros konsiderohet e rënë.

5.7 Sekuestroja në llogarinë e debitorit nuk pezullon pagimin e kredive që, sipas nenit 605 të Kodit Civil, paguhen me preferim ndaj urdhrit për sekuestro. Kur shuma e sekuestruar në llogari, nuk është e mjaftueshme për të shlyer detyrimet e paraqitura për ekzekutim, banka njofton përmbaruesin gjyqësor, i cili respekton radhën e referimit, që përcaktohet në nenin 605 të Kodit Civil.

Sekuestroja konsiderohet e rënë, në rast se përmbaruesi gjyqësor nuk i komunikon radhën e preferimit, brenda 10 ditësh pune nga marrja dijeni për njoftimin e bankës.

5.8 Sekuestroja në llogarinë e debitorit hiqet me urdhër të përmbaruesit gjyqësor, si dhe konsiderohet e rënë në rastet e parashikuara në këtë udhëzim.

5.9 Kur sekuestroja vendoset në bazë të një vendimi gjykate për sekuestrimin e shumave në llogari (sigurim padie), heqja e sekuestros bëhet me urdhër të përmbaruesit gjyqësor, ose paraqitjes pranë bankës të vendimit të gjykatës që urdhëron heqjen e sekuestros.

6. Urdhri për transferimin e shumës

6.1 Përmbaruesi gjyqësor, brenda 10 ditësh pune nga data e marrjes së njoftimit të bankës për vendosjen e sekuestros mbi llogarinë e debitorit, i njofton bankës urdhrin për transferimin e shumës.

6.2 Pika 6.1 nuk zbatohet në rastin e vendosjes së sekuestros të bazuar në vendimin e gjykatës për sekuestrimin e shumave në llogari (sigurim padie).

6.3 Urdhri i përmbaruesit gjyqësor për transferimin e shumës përmban:

a) Të dhënat për identifikimin e debitorit, sipas përcaktimit të bërë në pikën 4.2, shkronja “a” të këtij udhëzimi;

b) Shumën e saktë të detyrimit, si dhe shumën e cila duhet të transferohet;

c) Të dhënat e sakta për emërtimin, numrin e llogarisë dhe bankën, për kalimin e shumës së sekuestruar;

d) Radhën e preferimit, në zbatim të nenit 605 të Kodit Civil, kur ekzistojnë shkaqe preferimi.

6.4 Urdhrit të përmbaruesit gjyqësor për transferimin e shumës, i bashkëlidhen dokumentet e mëposhtme:

a) Vendimi gjyqësor ose çdo akt tjetër, i cili në zbatim të nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile konsiderohet titull ekzekutiv;

b) Dokumenti postar ose çdo dokument i ngjashëm, i cili vërteton datën e marrjes dijeni nga ana e përmbaruesit për njoftiminebankës,sipas pikave 5.2dhe 5.4të këtij udhëzimi.

6.5 Dokumentet që i dërgohen bankës janë, sipas rastit, origjinale ose fotokopje të noteruara, ose të vërtetuara “njësia me origjinalin” nga sekretaria e gjykatës ose fotokopje të njehsuara nga përmbaruesi gjyqësor.

6.6 Kur urdhri për transferimin e shumës ka paqartësi apo gabime në elementet e përcaktuara në pikën 6.3, ose mungojnë dhe ka paqartësi ose gabime në dokumentet e përcaktuara në pikën 6.4, banka i njofton përmbaruesit gjyqësor këto parregullsi brenda ditës së nesërme të punës nga marrja e urdhrit për transferimin e shumës.

Shuma në llogari, mbahet e sekuestruar edhe 10 ditë pune të tjera nga dita e marrjes dijeni nga përmbaruesi gjyqësor për njoftimin e bankës.

Në mungesë të përgjigjes nga ana e përmbaruesit gjyqësor, në përfundim të afatit 10-ditor, masa e sekuestros konsiderohet e rënë.

7. Procedura për pezullimin dhe pushimin e ekzekutimit

7.1 Pezullimi i ekzekutimit bëhet vetëm kundrejt paraqitjes në bankë të urdhrit të përmbaruesit gjyqësor për pezullimin e ekzekutimit, ose vendimit të gjykatës për pezullimin e ekzekutimit, në përputhje me kriteret e caktuara në Kodin e Procedurës Civile.

7.2 Me marrjen e vendimit të gjykatës, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit, banka njofton përmbaruesin gjyqësor brenda ditës së nesërme të punës nga marrja dijeni e vendimit të pezullimit.

7.3 Në rast se pas pezullimit të ekzekutimit bëhen të disponueshme shuma të tjera në llogarinë e debitorit, këto shuma nuk i nënshtrohen urdhrit për vendosjen e sekuestros.

7.4 Pezullimi i ekzekutimit nuk sjell si pasojë heqjen e sekuestros mbi shumat që janë sekuestruar tashmë nga banka.

7.5 Në rastin e pushimit të ekzekutimit, heqja e sekuestros në llogaritë e debitorit bëhet vetëm me urdhër të përmbaruesit gjyqësor, në përputhje me nenin 617 të Kodit të Procedurës Civile.

8. Dosja e procedurës përmbarimore

Për çdo procedurë vendosje sekuestroje, banka mban një dosje të plotë ku përfshihen:

a) Urdhrat e përmbaruesve gjyqësor, së bashku me dokumentacionin e kërkuar sipas dispozitave të këtij udhëzimi;

b) Korrespondenca me përmbaruesit gjyqësorë; dhe

c) Korrespondenca e brendshme e bankës, përfshirë edhe komunikimet elektronike, të cilat lidhen me praktikën përmbarimore.

Dokumentacioni i mësipërm mund të jetë edhe kopje e origjinalit.

9. Verifikimi i dokumentacionit bankar nga përmbaruesi gjyqëso r

9.1 Në zbatim të nenit 598 të Kodit të Procedurës Civile, përmbaruesi gjyqësor ka të drejtë të verifikojë në vend dokumentacionin bankar, që lidhet drejtpërdrejt me ekzekutimin, në prani të punonjësit të ngarkuar nga administratorët e bankës, kur ai ka bazë të dyshojë se banka:

a) Nuk ekzekuton pa arsye detyrimin tërësisht ose pjesërisht;

b) Shkel afatet e ekzekutimit të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile, si dhe në këtë udhëzim;

c) Nuk respekton radhën e preferimit të përcaktuar nga përmbaruesi gjyqësor.

9.2 Verifikimi i kryer në kuptimin e pikës 9.1, dokumentohet me procesverbal, një kopje të të cilit e mban banka.

10. Të fundit

10.1 Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 43, datë 11.6.2003, për miratimin e udhëzimit “Për mënyrën e zbatimit të ekzekutimit të detyrimeve mbi shumat e llogarive në banka”, i ndryshuar, shfuqizohet.

10.2 Për urdhrat e vendosjes së sekuestros, ose transferimit të shumës të lëshuar para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, do të zbatohet udhëzimi “Për mënyrën e zbatimit të ekzekutimit të detyrimeve mbi shumat e llogarive në banka”, miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 43, datë 11.6.2003, i ndryshuar.

 

Ky udhëzim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYETARI I KËSHILLIT MBIKËQYRËS

 

Ardian Fullani