Energjia / Opozita detyron qeverinë të tërhiqet për çmimin e energjisë

0
118

Ervin Kaduku

 

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese bllokon tarifat

Dështon projekti i kërkuar si opsion nga FMN-ja dhe i pranuar nga qeveria

 

Sahati-i-dritave-310x320Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi dje vendimin për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike deri në momentin që do të rriten arkëtimet dhe do të ulen ndjeshëm humbjet. Komisioni iu drejtua Entit Rregullator të Energjisë elektrike me një kërkesë zyrtare në lidhje me këtë çështje. “ERE nuk do të marrë asnjë vendim për rritjen e çmimit të energjisë deri në momentin që të ulë humbjet në një nivel të pranueshëm dhe të rrisë arkëtimet. Qytetarët e ndershëm nuk kanë pse të pësojnë për ata që nuk pse paguajnë energjinë elektrike”, – thuhet në të.

Një ndër kërkesat e tjera të kësaj rezolute ishte edhe rishikimi i faturimit aforfe nga ERE.
Kjo projektrezolutë është përkrahur si nga opozita po ashtu dhe nga mazhoranca. Tashmë i mbetet që të marrë edhe “OK” në Parlament për të hyrë në fuqi.

Në këtë mënyrë, u dogj plani i mazhorancës për të rritur çmimin e energjisë, gjë që ishte kërkuar edhe si kusht opsional nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës kanë kërkuara që të parandalohet ndryshimi i tarifimit të energjisë. Sipas deputetit Genc Ruli është absurde që të hiqet fasha 300 kW pasi prek 75% të popullsisë. Nga ana tjetër, sipas tij nuk mund të flitet për rregullime të tilla ligjore për aq kohë sa mbetet e lartë niveli i humbjeve dhe i ulët ai i arkëtimeve.

Projektrezoluta e hartuar nga anëtari i Komisionit, Robert Bitri, vlerëson punën e bërë nga ky ent gjatë vitit të kaluar dhe thekson rëndësinë e pavarësisë së këtij institucioni.
Nëpërmjet kësaj projektrezolute, Komisioni rekomandon, veç të tjerash, nxitjen e ecurisë së procedurave që lidhen me projektin e gazsjellësit TAP. Një pikë e rëndësishme e projektrezolutës në të cilën u përqendrua diskutimi i deputetëve kishte të bënte me çmimin e energjisë.
Anëtari i Komisionit, Kozma Dashi, paraqiti një propozim ku të kërkohej në mënyrë eksplicite që çmimi i energjisë nuk do të ketë rritje gjatë vitit 2014. Duke mbështetur këtë propozim, deputeti Genc Ruli theksoi se Kuvendi duhet të kërkojë nga ERE që të sigurohet se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë nga ana e CEZ Shpërndarje, për sa kohë kemi një nivel të tillë humbjesh dhe arkëtimesh. Energjia elektrike është një mall dhe për rrjedhojë përpara se çmimi i energjisë të rritet duhet t’u ofrojmë qytetarëve garancinë se humbjet do të jenë reduktuar nga 45% në 30% dhe arkëtimet do të jenë rritur mbi 80%”, – tha Ruli.
Nga ana e saj, anëtarja e Komisionit Monika Kryemadhi theksoi se është e rëndësishme që nëpërmjet projektrezolutës të mbrohet konsumatori, por njëkohësisht të garantohet një administrim sa më i saktë i CEZ Shpërndarje.
Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, theksoi se nuk është folur asnjëherë për rritje të çmimit të energjisë. “Propozoj që Kuvendi t’i kërkojë ERE-s që të gjitha vendimet që mund të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë të mos miratohen pa u reduktuar ndjeshëm humbjet në rrjet dhe pa u përmirësuar ndjeshëm arkëtimet”, – tha Shalsi.
Në këtë kuadër, ai propozoi që të zhvillohen seanca dëgjimore me ministrin e Energjisë, me administratorin e CEZ Shpërndarje, si dhe me përfaqësues të ERE-s për të monitoruar ecurinë lidhur me reduktimin e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve. “Sektori i energjisë është determinant për ekonominë shqiptare. Nëse nuk reformohet impakti në jetët tona është i jashtëzakonshëm”, – tha kryetari i Komisionit.
Në përfundim të diskutimeve, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi unanimisht projektrezolutën për veprimtarinë vjetore të ERE-s, që do i kalojë për miratim seancës plenare.

 

Tentativa e dështuar

Çmimi i energjisë elektrike te konsumatori fundor që konsumon më pak pritet të rritej në rast se unifikohen tarifat. Një synim të tillë e ka bërë të ditur kreu i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Petrit Ahmeti për median. Vendimi, sipas tij, pritej të merret gjatë 6-mujorit të dytë të këtij viti. Aktualisht ekzistojnë 2 fasha të konsumit mujor të energjisë elektrike, në bazë të të cilave faturohen konsumatorët familjarë dhe bizneset. Ata që konsumojnë deri në 300 kWh në muaj, paguajnë 7.7 lekë/kWh.
Ndërsa, ata që kalojnë konsumin mujor prej 300 kWh në muaj, e paguajnë sasinë shtesë me 13.5 lekë /kWH. Ndryshimet, që pritej të bëheshin në lidhje me njësimin e çmimit të energjisë elektrike, janë argumentuar si mënyrë për të shmangur abuzimet nga faturistët e CEZ, ndërsa marrin leximin e sahatit të energjisë. Por, tarifa e re e njësuar, e cila po shqyrtohet, do të bënte që familjet që konsumojnë më pak energji elektrike të ndjenin një rritje më të theksuar të çmimit të energjisë elektrike.

Unifikimi
Tarifa e re e njësuar, për çmimin e konsumit mujor të energjisë, pritej të ishte një mesatare midis 7.5 lekë/kWh dhe 13.5 lekë/kWh. “Shqiptarja.com” ka përllogaritur, në bazë të konsumeve të ndryshme mujore të energjisë elektrike, koston aktuale të energjisë elektrike, koston në bazë të 3 varianteve të reja të mundshme të tarifës së njësuar, si edhe ndryshimin që do të kishte. Tri variantet e përdorura janë çmimet 7.5 lekë/kWh dhe 13.5 lekë/kWh, si edhe mesataren e këtyre dy kufijve, 10.5 lekë/kWh.
Për të përllogaritur ndryshimin e mundshëm të kostos aktuale të konsumit mujor të energjisë elektrike me koston e re, si rrjedhojë e ndryshimit të mundshme të çmimit të energjisë, është përdorur çmimi mesatar 10.5 lekë. Në bazë të kësaj përllogaritje, rezulton se, aplikimi i tarifës së njësuar të energjisë elektrike, do të sillte një rritje çmimi më të theksuar për ata, të cilët konsumojnë më pak se 300 kWh, se sa për ata që konsumojnë mbi këtë sasi.
Aktualisht, konsumi mujor i 250 kWh dhe 300 kWh i energjisë elektrike kushton respektivisht 1925 lekë dhe 2310 lekë. Nëse do të aplikohej një tarifë e njësuar prej 10.5 lekë/kWH për çmimin e energjisë, konsumatorët, të cilët shpenzojnë 250 kWh dhe 300 kWh energji elektrike në muaj, do të paguanin respektivisht 2625 lekë (700 lekë më shumë) dhe 3150 lekë (840 lekë më shumë). Ndërkaq, njësimi i mundshëm i tarifës së energjisë elektrike do të sillte një rritje më të vogël kosto mujore për ata, të cilët konsumojnë mbi 300 kWh energji elektrike në muaj. Konsumi mujor i 350 kWh dhe 400 kWh i energjisë elektrike, aktualisht kushton respektivisht 2985 lekë dhe 3660 lekë.
Nëse do të aplikohej tarifa e njësuar prej 10.5 lekë/kWh për çmimin e energjisë, konsumatorët, të cilët shpenzojnë 350 kWh dhe 400 kWh energji elektrike në muaj, do të paguanin respektivisht 3675 lekë (690 lekë më shumë) dhe 4200 lekë (540 lekë më shumë). Me fjalë të tjera, po të kesh një konsum mujor mbi 300 kWh, rritje të kostos nga çmimi i njësuar (gjithmonë në rast 10.5 lekë/kWh) do të ketë, do të jetë më e ulët.

 

 

 

 

FMN: Rimëkëmbja e ekonomisë botërore, më e fortë

 Lajme të mira nga FMN-ja: ekonomia botërore do të vazhdojë kursin e rimëkëmbjes. Eurozona po shënon rritje dhe Gjermania merr shumë lëvdata. Por ka edhe rreziqe.

Dinamika e rritjes është bërë më “e dukshme”, tha Olivier Blanchard, kryeekonomisti i FMN-së gjatë prezantimit të raportit të fundit për zhvillimin e ekonomisë botërore. “Rimëkëmbja është forcuar”, – tha Blanchard para gazetarëve. Ai e konfirmoi këtë mesazh me shifra pozitive: për këtë vit FMN paralajmëron një rritje të ekonomisë botërore prej 3,6 për qind. Në vitin 2015 rritja globale do të ngjitet madje në 3,9 për qind.

Duke iu referuar rritjes prej 3,3 për qind të vitit 2013, Blanchard sheh një “përmirësim thelbësor”. Nxitës të rritjes ekonomike janë para së gjithash SHBA, vendet aziatike në ekspansion dhe – diçka e papritur – vendet në jug të Saharasë, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i të cilëve pritet të rritet me 5,4 për qind. Pra ka shumë sinjale që flasin që forcat e rritjes ekonomike janë në rritje.

 

SHBA dhe Eurozona do të forcohen

Në radhë të parë forca e re ekonomike e vendeve të industrializuara, drejtuar nga SHBA me një rritje të parashikuar prej 2,8 për qind për këtë vit, është një sinjal inkurajues. “Vitin e ardhshëm përmirësimi relativ i ekonomisë globale do të vijë nga vendet e industrializuara”, – analizon Jacon Kirkegaard nga Peterson Institute for International Economics në Uashington: “Krahas SHBA-së edhe Eurozona po del nga recesioni drejt një rritjeje të moderuar”. Mesazhi më i rëndësishëm për ekonominë botërore është që raporti i forcës mes vendeve të industrializuara dhe atyre në ekspansion po ndryshon më tej në favor të vendeve të industrializuara. Arsyet për suksesin e vendeve të industrializuara janë të shumta: konsolidimi financiar ka përparuar, bankat janë bërë më të forta, klima për investitorët është përmirësuar në përgjithësi dhe rreziqet akute janë reduktuar.

Fjalët lëvduese të FMN-së vlejnë jo vetëm për ekonominë botërore në përgjithësi por shumë konkretisht për eurozonën: “Lajmet e mira janë që për vendet në periferinë jugore për herë të parë pas dy vjetësh parashikohet një rritje pozitive edhe pse ajo është e dobët”, – tha Blanchard. Rimëkëmbja bazohet para së gjithash në sukseset e eksportit. Për një rimëkëmbje afatgjatë është kusht që të rritet kërkesa e brendshme. Kështu duket se kriza e euros një herë për një herë është kapërcyer. Në total sipas FMN-së eurozona këtë vit do të rritet me 1,2 për qind dhe në 2015 me 1,5 për qind. Në krye këtë vit është Britania e Madhe me një rritje të parashikuar prej 2,9 për qind.

 

Gjermania, nxënësi model

Sipas FMN-së, Gjermania këtë vit do të rritet me 1,7 për qind. Kancelarja Merkel dhe ministri i Financave Schäuble, sipas makroekonomistëve të rreptë në Uashington, kanë bërë gjithçka siç duhet. Dëshmitë për këtë janë rënia e papunësisë, një kërkesë e brendshme në rritje dhe një “lulëzim në rritje i investimeve”, me të cilën kanë parasysh gatishmërinë e koalicionit të madh për më shumë shpenzime shtetërore. Vetëm teprica e fortë në bilancin tregtar (sh.red. eksportet më të larta se importet), vazhdon të shihet me sy kritik. Megjithatë ministri i Financave Schäuble këtë javë mund të shkojë me ballin lart në takimin e pranverës të FMN-së në Uashington.

Por FMN ka identifikuar edhe një rrezik për Gjermaninë dhe vendet e tjera të eurozonës: niveli i ulët i inflacionit në ekonomitë e mëdha. Nëse kjo tendencë do të vazhdojë, mund të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike.

 

Ukraina: Rreziqe për Rusinë dhe BE-në

FMN nuk sheh ende rreziqe të rëndësishme për ekonominë botërore nga kriza e Ukrainës. Klima e investimeve për Rusinë është përkeqësuar vërtet, por këtë vit ekonomia ruse vazhdon të jetë në shtegun e rritjes. Jacob Kirkegaard nga Petersen Institute kundërshton: “Parashikimi i FMN-së për vitet 2013 dhe 2014 mbetet i njëjtë. Ekonomia ruse do të rritet në të dy këto vite me 1,3 për qind. Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë”. Sipas Kirkegaard parashikimi për Rusinë nuk merr sa duhet në konsideratë krizën aktuale: “Për mua kjo do të thotë se Rusia në 2014 do të rrëshqasë në recesion”. Kjo nga ana tjetër do të kishte efekte negative në Gjermani dhe shtete të tjera të eurozonës. Vendet në ekspansion do të vazhdojnë të rriten, veçanërisht Kina (me një plus prej 7,5 për qind), India dhe vendet e Afrikës së Jugut (të dyja me plus 5,4 për qind). Por kryeekonomisti i FMN-së Blanchard sheh për vendet në ekspansion një ndryshim mjedisi: rimëkëmbja e vendeve të industrializuara është e mirë për eksportet e tyre, nga ana tjetër zhvillimi ekonomik mund të frenohej nga një kurs më restriktiv në politikën monetare nga Banka Qendrore në SHBA (Fed). Jacob Kirkegaard sheh edhe në frenimin e rritjes ekonomike të Kinës një rrezik për vendet në ekspansion: “Kur Kina teshtin, të tjerët marrin të ftohtë”. Në veçanti vendet në ekspansion, eksportuese të energjisë, mund të kenë vështirësi për shkak të rritjes më të dobët ekonomike të Kinës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency