Vendimi/ Plagosi në bark picierin se nuk i bëri në kohë porosinë, dënohet 2.4 vjet burg

0
208

Sonila Mesareja

 

Gjyqi/ I pandehuri Lleshi shpreh pendesë para Gjykatës, i ulet një e treta e dënimit nga gjykimi i shkurtuar

 

vendimiDy vjet e katër muaj burg do t’i duhet të vuajë një 28-vjeçari për padurimin e tij në marrjen e porosisë së bërë në një piceri. Ai plagosi picierin, njëkohësisht edhe pronar i këtij biznesi, ndërsa më herët e ka sharë dhe fyer atë në telefon pasi iu komunikua se porosia donte edhe 5 minuta të bëhej gati. Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg të pandehurin Eglantin Lleshi, me origjinë nga Librazhdi dhe banues në Tiranë, pasi ka plagosur me thikë në bark pronarin e një picerie në Qesarakë të Tiranës. Por, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i ulet një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 vjet e katër muaj burg. I riu, baba i një fëmije, është shprehur i penduar para Gjykatës për veprimin e kryer, ndërsa ka shpjeguar edhe si ka ndodhur ngjarja. Ndërkohë që në dosje janë administruar edhe dëshmitë e të dëmtuarit, vëllait dhe dajës së tij, të cilët kanë qenë pjesë e debatit.

 

Akuza

Sipas vendimit të Gjykatës, në datën 12.10.2013, policia është njoftuar se në orën 22.10, në rrugën “Muhamed Deliu”, Qesarakë, si pasojë e një konflikti të lindur midis shtetasit Fatbardh Haka dhe Eglantin Lleshi, ka mbetur i plagosur shtetasi Fatbardh Haka, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë gjyqësore dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, prej oficerit të Policisë Gjyqësore është fiksuar dhe marrë me cilësinë e provës materiale një thikë, e cila dyshohej të ishte mjeti i përdorur prej autorit në kryerjen e veprës penale. Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe në momentin që i dëmtuari ka qenë në gjendje për të folur, i është marrë dëshmia rreth ngjarjes. I dëmtuari Haka ka shpjeguar se më datën 12.10.2013, ka qenë duke punuar në lokalin që ka në pronësi, piceri në afërsi të bar “Xhulianos”, kur e ka marrë në telefon i pandehuri Eglantin Lleshi, i cili ka porositur 2 sanduiç. Pas rreth 10 minutash e ka marrë përsëri në telefon Eglantini dhe i ka thënë nëse e kishte bërë gati porosinë dhe ai i është përgjigjur se për 5 minuta do t’i bënte gati. Pas disa minutash, i pandehuri e ka marrë sërish në telefon dhe ka nisur ta fyejë dhe më pas edhe ai ia ka kthyer fyerjen me fjalë fyese. Më pas, brenda pak minutave, i pandehuri Eglantin Lleshi ka shkuar tek piceria dhe e ka goditur me shpullë Fatbardhin, por ai nuk ka dashur konfliktohej duke i thënë se në lokal kishte edhe persona të tjerë. Në momentin që aty kanë ardhur shtetasit Gugash Shameti, daja i të dëmtuarit dhe Ilmi Haka, vëllai i të dëmtuarit, ata kanë nisur të grinden me shtetasin Eglantin Lleshi dhe ky në një moment ka marrë thikën e picerisë dhe ka goditur me të në bark Fatbardhin dhe më pas është larguar me shpejtësi. Të njëjtin mekanizëm të ngjarjes kanë shpjeguar në deklarimet e dhëna në lidhje me këtë fakt edhe shtetasit Gugash Shameti dhe Ilmi Haka. Menjëherë është bërë arrestimi i Lleshit, i cili ka shprehur pendesë për veprimin e kryer ndaj të dëmtuarit Haka.

 

 

Tiranë/ Dhunon kunatin se erdhi i dehur në shtëpi, dënohet 4 muaj burg

 Një i ri është dënuar nga Gjykata se dhunoi kunatin, burrin e motrës, pasi ky i fundit kishte ardhur i dehur në banesë dhe vazhdonte të kërkonte të pinte derisa nisi të konfliktohej. Ka qenë vetë i pandehuri Florian Shabanaj që ka lajmëruar policinë për një plagosje me thikë te rr. “Besim Alla”, tek pallatet e reja, në katin e tetë. Fillimisht i pandehuri u ka thënë punonjësve të policisë së se kunati i tij, burri i motrës Urim Dajçi, pas një grindjeje në familje, ka plagosur veten me thikë në shpatull. Por më pas është zbuluar e vërteta, se nuk kishim të bënim me vetëplagosje por me plagosje. I dëmtuari është gjetur i plagosur në shpatull në gjendje të rënduar nga alkooli. Në kuadër të hetimit të çështjes, nga pyetja e të shoqëruarit Florian Shabanaj, u mësua se atë natë, në shtëpinë e motrës së tij Nazmies, ku ai kishte shkuar si vizitor, ka ndodhur një grindje mes burrit të motrës së tij, të dëmtuarit Urim Dajçi dhe motrës, për motive banale. Si shkak, i pandehuri ka përmendur faktin se Urimi pi alkool dhe luan bixhoz lekët e familjes, duke lënë motrën dhe fëmijën e tyre pa asnjë të ardhur. I pandehurit Florian Shabanaj ka ndërhyrë për të shuar debatin mes motrës dhe burrit të saj, por duke parë gjendjen e rënduar të Urimit dhe veprimet e tij, në një moment ka marrë një thikë kuzhine dhe me të e ka goditur një herë në shpatull Urim Dajçin (burri i motrës së tij), duke e plagosur atë. Pas këtij momenti, i pandehuri ka marrë motrën dhe nipin e tij 2 vjeç, dhe i ka dërguar në shtëpinë e prindërve të tyre në fshatin Gropaj, Tiranë, me ndihmën edhe të vëllait tjetër Emirion Shabanaj. Më pas është kthyer përsëri në banesën e të motrës dhe kunatit të tij, ku ka njoftuar dhe policinë dhe ka pritur deri në ardhjen e tyre në banesë. Lidhur me këtë ngjarje ka dëshmuar edhe vetë gruaja e të dhunuarit, Nazmije Dajçi, e cila është shprehur se me bashkëshortin, Urimin, prej kohësh kishin mosmarrëveshje për shkak se ai i harxhon lekët duke pirë alkool dhe duke luajtur kumar. Pasditen kur ka ndodhur ngjarja, Urimi ka shkuar në banesë i pirë dhe ka kërkuar përsëri të pijë dhe të grindet me vëllain e saj Florianin, që kishte ardhur atë natë për të bujtur aty. Floriani ka ndërhyrë për të shuar sherrin, derisa në një moment, ai ka marrë një thikë nga tavolina dhe me të ka goditur Urimin në shpatull. Me ndërhyrjen e Nazmies, sherri është shuar dhe më pas, ajo bashkë me vëllain dhe djalin e mitur është larguar nga shtëpia për në shtëpinë e prindërve të saj.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency