Ja çfarë është e vërtetë për ne romët!

0
178

Flet Arben Kosturi, kryetar i shoqatës rome “Disutni Albania”, Korçë: Edhe pse që prej një viti kontribuojmë vullnetarisht, na akuzojnë për abuzime. Një fushatë shpifjesh, intrigash dhe sulmesh përpiqet të mohojë çdo arritje

 

 

ARBEN KOSTURI ROMETKorçë – “Krejt në mënyrë të pabesueshme dhe të pashpjegueshme, që prej disa muajsh ka nisur një fushatë e paprecedentë shpifjesh, intrigash, mohimesh dhe sulmesh ndaj shoqatës rome “Disutni Albania” në Korçë si dhe ndaj shoqatave të tjera të këtij komuniteti, kudo që ndodhen ato, duke u përpjekur të mohojnë çdo kontribut, sakrificë dhe përkushtim të tyre, edhe pse përmes të cilave, që nga vitet ‘90 e deri më sot, bënë të mundur që komuniteti rom dhe ai egjiptian të shënojë hap pas hapi dhe kohë pas kohe, mes vështirësish të shumta, arritje të dukshme, të cilat sot kanë ndryshuar jetën dhe mentalitetin e komunitetit rom dhe e kanë integruar atë me pjesën tjetër të shoqërisë”.

Me këto fjalë nis reagimin e tij kryetari i shoqatës “Disutni Albania” në Korçë, Arben Kosturi, ndaj fushatës denigruese që ka nisur kohët e fundit. Megjithatë, për të kuptuar më shumë për pretendimet e zotit Kosturi, na u desh të ndaleshim te disa pyetje që kërkonin përgjigje.

 

Zoti Kosturi, a mund të na thoni, përse po ndodh kështu?

Saktësisht, përse po ndodh kështu nuk mundem ta them dot, por nga ajo çfarë është lehtësisht e kuptueshme, të bën te besosh se klane të caktuara po përpiqen të mohojnë gjithçka, të nxijnë çdo arritje dhe të derdhin vrer mbi çdo gjë, madje po përpiqen të thërrasin fort duke synuar të dëgjohen nga gjithkush, se deri më sot gjithçka ka qenë kohë e humbur, e pavlerë, e dështuar dhe abuzive.

 

Nëse këto klane ekzistojnë, çfarë do të përfitonin nga fushata të tilla?

Përgjigjja është e thjeshtë: e para, nëse këto klane do të bënin të mundur që përmes shpifjesh dhe thashethemesh të denigronin drejtuesit e shoqatave rome dhe egjiptiane, dhe ndërkaq, sikur këto të pavërteta të besoheshin edhe nga komunitetet përkatëse, atëherë drejtuesit e tyre do të humbisnin besimin dhe mbështetjen e anëtarëve të tyre dhe e dyta, në të njëjtën kohë do të humbisnin edhe mundësinë e përfitimit të fondeve nga donatorët.

 

Dhe çfarë do të ndodhte pas kësaj?

Çdo të ndodhte më pas, është edhe më e lehtë për t’u kuptuar. Nëse ne si drejtues shoqatash do të mënjanoheshim, atëherë dikush tjetër do t’i merrte këto fonde me pretendimin për t’i ardhur në ndihmë komunitet rom, ku pas kësaj, romët dhe egjiptianët do të mbeteshin me gisht në gojë, sepse gjithçka që nis me shpifje dhe denigrim, ka pas shpine diçka më të keqe se kaq – vjedhjen dhe shpërdorimet. Sigurisht, nuk përjashtohet mundësia që dikush të jetë i interesuar për realizimin e qëllimeve të tilla. Megjithatë gjithçka duhet parë hap pas hapi.

 

Me sa duket, ju nuk dëshironi të ndihmoheni nga njerëz që i përkasin mazhorancës?

Jo, ne nuk kemi asnjë lloj paragjykimi për askënd, kushdo që të jetë ai, madje i falënderojmë të gjithë ata që na ndihmuan që nga vitet ‘90 e deri më sot, sepse ne nuk kishim ende një elitë njerëzish të shkolluar që mund të ndihmonte komunitetin rom dhe egjiptian, por sot kemi mjaft djem dhe vajza të shkolluara në universitete dhe askush prej tyre nuk beson te fushata e shpifjeve që ka nisur prej disa muajsh. Madje jo vetëm kaq, e vërteta është se njerëzit tanë kanë nisur të ndihen të fyer e të zhgënjyer. Për më tepër, zhgënjimi ka filluar të rritet çdo ditë e më tepër, pasi njerëzve pa moral po u jepen mundësi dhe hapësira për të bërë pis gjithçka e gjithkënd. Madje edhe emri i shoqatës tonë është përmendur për abuzime

 

Atëherë, si mund të na bindi ju se të gjithë këto që përfliten nuk janë të vërteta?

Gjërat e vërteta janë gjithnjë të thjeshta dhe shumë të kuptueshme, të paktën kështu mendoj unë. Ja pse ne jemi të pastër në çdo hap që kemi hedhur. Që prej fillimit të gjashtëmujorit të dytë të vitit 2012 e deri para tre muajve, ne nuk kemi patur asnjë fond, gjë që do të thotë që edhe sikur të donim të abuzonim nuk do të mundeshim. Dhe jo vetëm kaq, në fillim të vitit 2012, ne nisëm një emision televiziv me titullin “Na njihni, pastaj na paragjykoni”, për të cilin u ndihmuam për 6 muaj me radhë nga UNICEF-i, por pas kësaj nuk patëm më ndihmë me fonde. Sigurisht, udhën që kishim nisur ne nuk do ta linim në mes. Stafi ynë drejtues, por edhe të tjerë, kontribuuan vullnetarisht me të ardhurat e tyre familjare që emisioni televiziv të mos ndërpritej. Dhë kështu vazhduam për muaj e muaj me radhë. Në familjet tona nisi të kishte më pak bukë, më pak për t’u veshur, më pak lekë për argëtim e të tjera, por në fund të fundit mundëm t’ia dilnim mbanë të mbanim gjallë emisionin televiziv.. Atëherë, a nuk është turp të akuzosh këta njerëz për abuzime me fondet? A nuk do të ishte më mirë që në vend të shpifjeve, gazetarët dhe kameramanët e emisionit televiziv, të cilët sakrifikonin gjithçka të merrnin lavdërime dhe të kurajoheshin? Si mund të kishte abuzim me fonde kur fonde nuk ka patur? Ja, kjo është e vërteta e shoqatës rome dhe e shpifjeve që derdhen si lumë mbi të

 

Aktualisht çfarë jeni duke realizuar?

Si gjithnjë, ne kemi qenë të besueshëm dhe të tillë do të mbetemi deri në fund. Nuk do të ketë shpifje, intriga dhe sulme që do të na ndalin në integrimin e komunitetit rom. Dhe është kjo arsyeja, pse UNDP-ja, duke nisur që tre muaj më pare, sponsorizoj projektet tona. Tashmë emisioni ynë televiziv shfaqet në televizionin shqiptar dhe në tre televizione të tjera lokale, në TV “Kristal” dhe “Lobi” në Korçë si dhe në “Sot 7”-a në Pogradec. Gjithashtu e gjeni edhe në “Youtube” me titra në gjuhën angleze. Dhe pjesa më e madhe e tyre është realizuar me sakrificat tona.

 

Cila do të ishte fjala juaj e fundit për këtë çështje?

Edhe pse kemi kohë që përsëritim shprehjen tone tashmë të njohur: “Na njihni dhe pastaj na paragjykoni”, duket se duhet ende shumë kohë për t’ia mbërritur këtij qëllimi të madh, aq më shumë tani, kur fushatat e shpifjeve dhe të mohimit janë bërë të modës. Gjithsesi ne do të vazhdojmë të punojmë.

Bisedoi Vepror Hasani

 

 

 

Xhindi: Komuniteti rom në qendër të vëmendjes së Bashkisë Tiranë

Bashkia e Tiranës ka kthyer për herë të parë në vëmendje të saj komunitetin rom. Në Bashkinë e Tiranës prej më shumë se dy vjetësh ekziston një zyrë antidiskriminimi e drejtuar nga përfaqësues të këtij komuniteti, sikundër dhe në Komisionin e Strehimit janë përfshirë anëtarë nga komuniteti rom. Por, sipas nënkryetares së Bashkisë Nevila Xhindi, e pranishme në një aktivitet të organizuar nga njësia bashkiake numër 4 në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, vëmendja është përqendruar tek krijimi i kushteve për arsimin e tyre. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Xhindi, tha: “Ky 10-vjeçar është 10-vjeçari juaj, edhe Shqipëria është e angazhuar që të bëjë gjëra shumë të mira për punësimin, për shëndetësinë, për arsimimin tuaj, në mënyrë që të ruhet kultura që ju trashëgoni. Ne si Bashki kemi bërë një plan të tërë masash në arsim, punësim, shëndetësi dhe strehim, si dhe në dy fusha prioritare kombëtare; përfshirja sociale dhe mundësitë e barabarta si dhe trashëgimia kulturore, dhe është një dokument që synon integrimin e minoritet romë dhe komunitetit egjiptian në jetën social-ekonomike të qytetit. Po ashtu ne duam që të ketë sa më shumë fëmijë romë në çerdhe, në kopshte dhe për këtë Bashkia e Tiranës ka menduar që t’i lehtësojë familjet tuaja duke paguar më pak, ose sipas rastit duke mos paguar fare, ka shumë rëndësi që ju të shkoni në shkollë. Komuniteti romë, për Bashkinë e Tiranës është një nga prioritet e saj dhe ajo është pranë jush jo vetëm në ditë festash por gjatë gjithë vitit”, – ka përfunduar nënkryetarja Xhindi.

 

 

 

 

 

“Të mos i kujtojmë romët vetëm një herë në vit!”

 Në kuadër të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në Shqipëri po zhvillohen veprimtari të ndryshme, që nga protestat e deri te eventet sensibilizuese për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij komuniteti.

Gurali Mejdani, presidenti i shoqatës rome “Amaro dives” në Shqipëri, është një ndër aktivistët më të hershëm të këtij komuniteti në dy dekadat e fundit. Ai thotë se ka marrë dhjetëra ftesa nga institucionet qeveritare dhe nga organizata joqeveritare për aktivitetet që zhvillohen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Me përvojën që ka Mejdani shpreh përmbajtje për këtë kalendar të pasur veprimtarish, që nga seminaret dhe tryezat e rrumbullakëta, takimet dhe forumet e pjesëtarëve të komunitetit me politikanët, tek eventet kulturore me ekspozita, koncerte etj., dhe deri tek protestat për kushtet e jetesës e punësimit. Ai thotë se do të jetë pjesëmarrës në radhë të parë në protestat që do të zhvillohen. Duket se të gjithë “zgjohen” vetëm më 8 prill dhe këtë e bëjnë çdo vit me shumë përkushtim, thotë me shpoti Gurali Mejdani për “DW”.

“Një ditë e tillë duhet të ziejë nga aktivitetet dhe protestat, por kjo nuk mjafton. Kjo tregon se gjërat nuk merren seriozisht nga disa, por bëhen sa për të thënë. Unë kam qenë prezent rreth 11 vjet më parë kur është miratuar një strategji kombëtare nga qeveria për përmirësimin e jetës së komunitetit tonë. Ka pasur detyra dhe objektiva shumë të bukura, por shumica e tyre e them me bindje se as nuk përmenden tani. Shumë pak është bërë. Ka ndryshime diçka në arsimimin e fëmijëve tanë, kjo duhet pranuar, sepse një pjesë e mirë janë në shkollë të lartë ose vijojnë. Por për punësimin dhe strehimin është bërë fare pak. Këto janë plagë që nuk po shërohen. Të paktën për çdo familje rome të ketë një anëtar në punë shteti. Por ata janë lënë si mos më keq duke mbledhur plasmas e duke gërmuar plehra e duke lypur rrugëve. Ka aq shumë probleme, ndaj të mos i kujtojmë romët vetëm një herë në vit!”

 

Strehimi si çështje e dinjitetit njerëzor

Para selisë së Bashkisë së Tiranës një grup pjesëtarësh nga komuniteti rom organizuan të martën në mëngjes një protestë sensibilizuese për zgjidhjen e problemit të strehimit. Në kryeqytet janë rreth 4 mijë romë dhe sipas të dhënave nga vetë komuniteti, rreth 1 mijë prej tyre jetojnë në baraka provizore, jashtë të gjitha kushteve elementare të furnizimit me ujë e energji elektrike si dhe sigurisë ndaj kushteve natyrore dhe higjienike. Një pjesë tjetër e komunitetit është e vendosur në banesa të braktisura, ose pa leje të rregullta shfrytëzimi, duke e bërë të pasigurtë jetesën e tyre. Abazi, 31 vjeç, tregon për “DW” se protesta bëhet pasi jeta e tyre është e rrezikuar. “Duam strehim, nuk duam të gdhihemi rrugëve, ne na lënë jashtë listave të strehimit. Na hoqën nga shtëpitë tona, na i prishën barakat se do të ndërtonin pallate të reja. Po ne ku të qëndrojmë? Kush do të merret me familjet tona?”

Një oratore në protestë kujtoi bashkinë dhe qeverinë se strehimi për komunitetin është parësore dhe duhet të trajtohet si çështje e dinjitetit njerëzor. “Nuk duam premtime dhe fjalë të mira, por zgjidhje konkrete!”

 

Standardi i romëve, prioritet për integrimin evropian

I ngarkuari me punë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Clive Rumbold, thekson se ky institucion nuk ka ndërmarrë vetëm mbështetje në planin politik kundër diskriminimit të romëve, por ka zbatuar dhe programe e projekte financiare konkrete në përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre dhe integrimin social. Për këtë ai kujton faktin se në procesin e integrimit evropian për Shqipërinë, një ndër prioritetet kyçe që duhet të përmbushë vendi në këtë rrugëtim është dhe ajo që lidhet me romët. Dialogu është instaluar jo vetëm me autoritetet në çdo nivel, por dhe me strukturat e shoqërisë civile, shprehet Clive Rumbold.

“Kemi kontakte të përditshme me organizata joqeveritare që punojnë në këtë aspekt, si dhe me organizata nga radhët e vetë komunitetit rom, për të njohur nga afër problematikën me të cilën ata përballen. Mjafton të përmendim faktin se në 5 vitet e fundit, më shumë se 3.5 milionë euro nga taksat e qytetarëve në vendet e BE-së janë destinuar përmirësimin dhe përfshirjen më të madhe ekonomike e sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane në të gjithë Shqipërinë. Projektet që janë mbështetur nga ne kanë pasur në fokus p.sh. fuqizimin ekonomik, trajnimet dhe kualifikimet profesionale, rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për çështjen rome, për aspekte të përfitimit të shërbimeve sociale, barazisë gjinore, integrimi i grave, i fëmijëve të rrugës etj.”.

 

Reflektim qoftë dhe për çast për situatën e tyre

Artisti nga Gjakova, Artan Korenica, ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të sensibilizuar në Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Ai ka përzgjedhur një set prej afër 40 fotografish artistike që ka në fokus jetën e këtij komuniteti dhe i ka ekspozuar në një mjedis të frekuentuar në mes të Tiranës, në Qendrën e Informimit të BE-së, nën një titull domethënës “Mos më shiko me përbuzje”. Aparati i tij është shkrepur në Malin e Zi, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni duke i ofruar vizitorëve aromën rome, një kolazh me portrete dhe detaje nga përditshmëria, duke nxjerrë në pah dëshpërimin, gëzimin, pritmërinë, individualitetin, jetesën kolektive, varfërinë, papunësinë, pasionin dhe talentin e lindur, braktisjen, gjithçka nga mozaiku i një komuniteti që përballet me mbijetesën.

“Me këto punime unë kam një ambicie të thjeshtë: të arrij të ndaloj në 2 minuta secilin, për një reflektim mbi gjendjen e këtyre njerëzve, të cilët kanë shumë diferenca. Vizitorët përballë këtyre fotove, për një çast të ndalen dhe të mendojnë. Nuk imponohem, por ju vë përpara realitetin ta shohin në sy”, – thotë Korenica për “DW”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency