Barcelona për lojën e përkryer ndaj Atletikos, Junajtid në misionin “të habisim kampionët”

0
121

Katalanasit do të përballen në Madrid me skuadrën e Simeones pas barazimit negativ që morën në “Camp Nou”

 Djajtë e Mojesit shkojnë të dyluftojnë ndaj titanëve të Bajernit në formën e tyre më të dobët. A do të arrijnë anglezët të skualifikojnë kampionët në fuqi?

 

Atletico-Madrid-vs-ChelseaSot luhen edhe dy ndeshjet e mbetura të Ligës së Kampioneve, që do të na japin edhe dy emrat e skuadrave të cilat do të kualifikohen për në fazën tjetër. Përballjet janë shumë të hapura, pasi të dyja janë mbyllur me barazim. Një rezultat që u jep epërsi Bajernit dhe Ateltikos, që kanë qenë jashtë fushës së tyre. Kjo, pasi do t’u mjaftonte një rezultat 0-0 në fushën e tyre për t’u kualifikuar, por kjo nuk do të jetë e lehtë. Në Madrid luan përballë skuadrës së Diego Simeones Barça e madhe që është venitur pak nga suksesi i disa viteve më parë, por që vazhdon të kërcënojë çdo ekip. Edhe Junajtid nuk mbetet pas në këtë aspekt. Edhe pse nuk po kalon një sezon të mirë në kampionat skuadra e djajve ka shumë përvojë në këtë kompeticion. Bajerni është favoriti, por nuk do të jetë e lehtë, nëse gjërat do të shkojnë siç shkuan radhën e kaluar.

Raul Garsia thotë se Atletiko Madrid është plot vetëbesim në prag të takimit çerekfinal të Ligës së Kampioneve ndaj Barcelonës. Skuadra e Diego Simeones barazoi 1-1 në takimin e parë të javës së kaluar në “Camp Nou” dhe do të kërkojë ta ruajë ose ta përmirësojë rezultatin në takimin e së mërkurës. “Atletiko do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Barcelonës. Ne jemi plot vetëbesim pas disa rezultateve të mira. Ne duam të luftojmë deri në fund dhe të shohim se sa larg mund të shkojmë. Ne jemi të kënaqur me atë çfarë kemi arritur deri tani. Ky sezon mund të jetë si një ëndërr, por në fakt është real. Ky është rezultat i një pune të fuqishme gjatë viteve. Ne kemi punuar fuqishëm dhe jemi të mbushur me vetëbesim. Ne të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje edhe për klubin, edhe për tifozët. Ne të gjithë jemi të vendosur t’ia dalim”, – ka thënë Garsia.

 

Atletiko Madrid-Barcelona

Derbi spanjoll është gati të ndezë dritat. Të dyja ekipet po kalojnë në formën më të mirë të tyre. Kryesojnë të dyja në kampionat dhe po vazhdojnë një dyluftim mjaft të fuqishëm atje, ndërsa kësaj radhe do të përplasen për turneun prestigjioz evropian. Lideri i skuadrës së Simones, Gabi, ka shumë besim se skuadra e tij do të shkojë në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve në dëm të Barcelonës. “Kjo është periudha më e bukur e jetëve tona. Nuk jemi të lodhur. Duam të garojmë në nivelin tonë më të lartë. Çelësi i kësaj ndeshjeje është që të mbesim të përqendruar gjatë 90 minutave. Nuk është e lehtë t’i ndalësh lojtarët si ata. Mendja jonë nuk është e përqendruar për të barazuar… Tifozët do të jenë një mbështetje shumë e rëndësishme për ne. I kemi bërë njerëzit të besojnë dhe mendoj se që këtej e tutje do të shini më të mirën nga Atletikoja”, – është shprehur kapiteni në konferencën për shtyp.

Ndërsa Andres Iniesta është i bindur se Barcelona do ta eliminojë ekipin e Atletikos, por i ka paralajmëruar bashkëlojtarët që të jenë të kujdesshëm. “Do të ishte gjë e bukur që të luanim një ndeshje të shkëlqyer dhe të arrinim në gjysmëfinale, ku duam të jemi. Kemi luajtur ndaj Atletikos katër herë këtë vit dhe kemi barazuar në të katër përballjet. Atletiko të detyron të qëndrosh shumë i përqendruar”, – ka theksuar spanjolli për “Mundo Deportivo”. Kujtojmë se mesfushori me ndeshjen që do të luajë ndaj kuqebardhëve, do të plotësojë ndeshjen e tij të 500-të me skuadrën katalanase.

 

Bajern Mynih-Mançester Junajtid

Ndeshje që do të ndiqet me shumë kureshtje është edhe sfida midis Bajernit dhe Junajtidit. Një ndër derbit më klasik të Evropës. Shumë kujtime dhe shumë dëshirë për të marrë një kualifikim ndaj një rivali historik. Pep Guardiola ka deklaruar se është i bindur që Mançesteri do të qëndrojë në mbrojtje për ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampioneve. “Mendoj se ata do të qëndrojnë në zonën e tyre. Luajnë në mënyrë shumë mbrojtëse dhe gjithmonë kërkojnë të kundërsulmojnë. Është diçka që ata e bëjnë shumë, shumë mirë. Kurrë nuk është e lehtë kundër skuadrave angleze. Junajtid është një ekip shumë i madh. Para ndeshjes së parë, çdokush fliste për Bajernin, njerëzit mendojnë se Mançesteri mund të fitojë në Mynih. Mirëpo ne po luajmë në shtëpi. Ky është faktor i rëndësishëm. Nëse ne fitojmë, ne kalojmë tutje. Nëse jo, ne eliminohemi. Do të vendoset nga detaje të vogla. Lojtarët e mi i dinë fuqitë dhe dobësitë e tyre”, – është shprehur ish-tekniku i Barcelonës. Ndërsa Mojesi ka deklaruar se do të ketë në dispozicion një ndër shtyllat e skuadrës, Uejn Runi. Ai është kthyer në stërvitje të martën dhe trajneri beson se do ta ketë në skuadër të mërkurën mbrëma. “Pa dyshim që do të luajë. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur. Ai madje është i gatshëm të marrë injeksion kundër dhimbjes për të luajtur, gjë që tregon vendosmërinë e tij për futbollin dhe klubin”, – është shprehur skocezi.

 

 

Çelsi, përmbysje ëndrrash, Dortmundi bën me “zemër” Realin

 Sfida me emocione të mëdha dhe që nuk ndaluan deri në minutat e fundit së luajturi. Në Gjermani Borusia bëri gjithçka në mënyrë të përkryer, por një gol në minutat e fundit ishte ajo që i mungoi Klëpit të plotësonte perfeksionin. Ndërsa në “Stamford Bridge” Çesli bëri një përmbysje in extremis, duke marrë një kualifikim të paparashikuar. Ndeshja midis spanjollëve dhe gjermanëve u mbizotërua nga këta të fundit, që bënë një lojë të mrekullueshme. Ishte Rojsh ai që ishte më i miri në fushë me dy golat e shënuar. Mirëpo edhe pak minuta të tjera dhe verdhezinjtë mund ta merrnin këtë rezultat përballë galaktikëve, që nuk dolën në lojën e tyre. Ndërsa në Angli ishte Murinjo dhe blutë e tij që arritën të eliminon parisienët. Goli i shënuar në Paris u ka dhënë dhe një plus më shumë për t’u mjaftuar me një 2-0 në Londër. Ishte Shyrle ai që shënoi i pari për skuadrën e tij dhe i çoi në avantazh. Ndërkohë që gjatë gjithë kohës provuan edhe me anë të Oskar dhe Uilliam me Eto. Murinjo kishte ndërtuar një lojë sulmuese që i nxori frytet e saj në fund. Në minutën e 87 ishte Dembaba ai që do të shënonte edhe golin e dytë që i dha kualifikimin për në turin tjetër. Kështu çifti i djeshëm pritet që të mësojnë dy skuadrat që dalin nga sfidat e sotme.

 

 

Kampionati Evropian i Peshëngritjes /Erkand Qerimaj Kampion Evrope, Daniel Godelli medalje argjendi

Një histori suksesi edhe kësaj radhe për peshëngritjen shqiptare në Kampionatin  Evropian. Një sport që na bën të ndihemi krenarë, pasi është ndër të vetmit ku spikasim. Edhe kësaj radhe, dy nga talentet tanë të këtij sporti na kanë nderuar. Si Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli janë vlerësuar të dy me nga tri medalje secili. Godelli ka arritur që të ngrejë 192 kg në provën e tretë në shtytje pas dy dështimeve të para. Ndërkohë, në stilin e shkëputjes e mbylli me 157 kg. Një rezultat ky që i dha medaljen e argjendit si në shtytje, shkëputje dhe në dygarësh. Ndërsa në nivel më të lartë arriti Erkand Qerimaj. Shkodrani pati disa probleme për shkak pezullimi për përdorim substancash, por shtatshkurtri është rikthyer për t’i heshtur të gjithë. Ai arriti që të ngrinte 155 kg në stilin e shkëputjes, duke e renditur të tretin që i dha medaljen e bronzit. Mirëpo në stilin e shtytjes sportisti shkodran arriti që të ngrinte 194 kg, duke shkuar i sigurt drejt Medaljes së Artë, kështu që ai e mbylli me një rezultat prej 3 medaljesh, bronzi në shkëputje dhe ari në shtytje dhe dygarësh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency