Seanca maratonë në Komisionin Hetimor Parlamentar/ Burgaj e Didi raportojnë para deputetëve, si u bënë zëvendësimet në kupolën e policisë

0
115

Florenc Drizari

 

Artan Didi: Ripranimi në Policinë e Shtetit është bërë nga Kryeministri Rama

 Hysni Burgaj: Për emërimet jam konsultuar me ministrin e Brendshëm, vendimmarrja është imja

 

hysni burgajartandidi-256x350Komisioni Hetimor Parlamentar për emërimet në Policinë e Shtetit zhvilloi dje disa seanca maratonë pyetjesh me ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit si dhe me funksionarët në detyrë të këtyre strukturave. Ish-drejtoi i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, dhe drejtori aktual, Artan Didi, iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me emërimet në forcat blu dhe shkarkimet e disa prej drejtorëve të policisë. Hysni Burgaj ishte zyrtari i parë që u pyet nga deputetët për lëvizjet në strukturat policore dhe pas tij raportoi edhe Artan Didi. Lidhur me ndryshimet e drejtorëve në qarqe, Burgaj pranoi se kishte qenë pjesërisht dakord me ndryshimet e bëra nga Ministria e Brendshme.

“Kjo nismë u gjykua dhe për lëvizjet në Policinë e Shtetit, ndaj kam rënë pjesërisht dakord për zëvendësimin e punonjësve të Drejtorisë së Studimeve Strategjike pranë Policisë së Shtetit dhe në Akademinë e Rendit Publik. Këto ishin lëvizje paralele ku nuk mund të shkonin përveç personave që janë emëruar, pasoi ata kishin përvojën e duhur”, – ka thënë Burgaj në Komisionin Hetimor. Ai tha se mban përgjegjësi për këto dy emërime dhe se gjithçka është bërë duke u konsultuar me Ministrin e Brendshëm në kohën kur ishte në krye të Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, Burgaj bëri me dije se komunikatat i harton Policia e Shtetit.

“Jam konsultuar me ministrin e Brendshëm, por vendimmarrja është imja dhe për këtë mbaj unë përgjegjësi. A ka pasur ndikim tek rendi? Këtë s’mund ta them pasi nuk e kam ndjekur hap pas hapi, pasi kam kaluar në detyrë tjetër”, – tha Burgaj.

 

Artan Didi

 Në raportimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, deputetët e opozitës përqendruan pyetjet tek emërimi i tij në krye të kësaj strukture dhe tek lëvizjet e fundit në polici, ndërsa deputetët e mazhorancës vunë theksin tek plotësimi i kritereve tek personat që kishin qenë në krye të drejtorive të policisë së qarqe të vendit në kohën kur qeveriste e djathta.

“Kam mbaruar Shkollën e Lartë Ushtarake dhe kam mbajtur gradën “Kryekomisar” për 6 vite. Kam bërë kurs 4-mujor për policinë dhe Shkollë të Lartë Juridike”, – bëri me dije Didi gjatë fjalës së tij në Komision. Më tej ai shtoi se në shtator të vitit 2013 kërkoi ripranim në Policinë e Shtetit. “Jam ripranuar në Policinë e Shtetit me vendim të Këshillit të Ministrave”. Ndërkohë, kreu i Komisionit, Ristani, i është drejtuar Didit se vërtetimi i personalitetit u mor në nëntor 2013. Ndërsa Didi iu përgjigj se vërtetimi i personalitetit nuk është kërkesë ligjore. Deputeti Noka iu drejtua Didit nëse ai ka firmosur largimin kolektiv të 90 personave brenda 1 dite. Ndërsa Didi u shpreh se nuk ka bërë asnjë largim kolektiv nga puna. “600 efektivë janë rimarrë në kundërshtim me ligjin dhe 57 veta janë graduar kundër ligjit që nga 2005 e në vijim”, – tha Didi.

Ndërkohë, Komisioni po heton mbi emërimet dhe shkarkimet në polici për periudhën 15 shtator 2013-31 janar 2014. Ky hetim do të përfshijë verifikimin e largimeve, transferimeve dhe punësimeve të reja në polici, si dhe pasojat që kanë sjellë këto ndryshime në garantimin e sigurisë publike. Veprimtaria e komisionit do të përfundojë brenda datës 6 prill 2014.

 

Pyetjet e deputetëve për Burgajn dhe Didin

 

Arben Ristani: A ka pasur propozime politike në emërimin e drejtuesve të policisë apo kanë qenë rastësore?
Hysni Burgaj: Për emërimet jam konsultuar me ministrin e Brendshëm, por vendimmarrja është e imja dhe për këtë mbaj unë përgjegjësi. A ka pasur ndikim tek rendi? Këtë s’mund ta them pasi nuk e kam ndjekur hap pas hapi, pasi kam kaluar në detyrë tjetër.
Arben Ristani: Ju keni dhënë dorëheqjen apo jeni ndikuar politikisht?
Hysni Burgaj: Nuk kam pasur asnjë mbështetje politike në karrierën time. Jam larguar me dorëheqje dhe këtë e kam bërë për arsye personale dhe nuk më ka kërkuar njeri që të largohesha.
Eduard Halimi: Në eksperiencën tuaj, ka ndodhur që brenda një nate të shkarkohen të gjithë drejtuesit e policisë? Ka ndikuar në forcimin apo dobësimin e rendit?
Hysni Burgaj: Edhe ka pasur. Vendimmarrja ka qenë tërësisht imja dhe për këtë mbaj unë përgjegjësi. Ndikimet kanë qenë dhe pozitive dhe negative, por vendimin e lëvizjeve e kam marrë unë vetë pa asnjë lloj ndërhyrjeje. Ministria e Brendshme bëri përzgjedhjet e zv/drejtorët e Policisë së Shtetit, pasi është një kompetencë që i takon. Kjo nismë u gjykua dhe për lëvizjet në Policinë e Shtetit. Ndaj kam rënë pjesërisht dakord për zëvendësimin e punonjësve të Drejtorisë së Studimeve Strategjike pranë Policisë së Shtetit dhe në Akademinë e Rendit Publik.
Flamur Noka: A i plotëson kriteret Sokol Bizhga, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit?
Pjerin Ndreu: A ka pasur gradën kryekomisar, ekuivalent me drejtues i parë?
Hysni Burgaj: Në atë periudhë kam qenë në funksion tjetër. Po ka pasur gradën kryekomisar, që është ekuivalent me drejtues i parë.
Oerd Bylykbashi: Emërimet janë në përputhje me ligjin?
Hysni Burgaj: Unë nuk kam dhënë asnjë gradë jashtë ligjit. Kjo është krijuar edhe për shkak të vendeve vakante.
Arben Ristani: Cilat janë arsyet që ju çuan në ndryshimin e strukturës?
Hysni Burgaj: Emërimet janë bërë në bashkëpunim me ministrin e Brendshëm. Kam paraqitur kërkesat dhe propozimet e mia.
Piro Lutaj: Ju jeni pjesë e ndryshimeve strukturore. Vazhdoni të jeni një drejtues i strukturave të policisë. Ju keni ndjekur një sulm ndaj drejtuesve të policisë nga politika. Keni parë ndonjë veprim të kundërligjshëm të ish drejtuesve të policisë?
Hysni Burgaj: Ne kemi gjykuar për një performancë më të mirë për të luftuar krimin.
Ermonela Felaj: Cili ka qenë vlerësimi juaj për emërimet në 12 qarqet?
Hysni Burgaj: I kam vlerësuar si efikasë dhe specialistë jashtë bindjeve politike.
Gent Strazimiri: Didi është ripranuar kur keni qenë ju?
Hysni Burgaj: Jo, nuk e kam firmosur unë. Është e drejtë e ministrit të Brendshëm.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

 

Flamur Noka: Kush e ka firmosur ripranimin tuaj?
Artan Didi: Z. Rama.
Piro Lutaj: 600 vetë janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe 57 janë graduar në kundërshtim me ligjin.
Eduard Halimi: Ju keni qenë komisioner i PS-së?
Artan Didi: Unë si drejtues i Përgjithshëm i Policisë, kam gjetur në disa dosje, një numër drejtuesish të PD-së. Kjo është jashtë objektit të hetimit.
Eduard Halimi: Keni shkarkuar rreth 400 shefa policia. Thuhet se paskan lidhje me krimin. Meqenëse kanë lidhje me krimin, ku keni arrestuar ndonjë prej tyre?
Artan Didi: Nuk kam kapur asnjë prej tyre.

 

 

Berisha: Rama po falsifikon rritjen ekonomike dhe punësimin!

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë, Edi Ramën, për falsifikim të shifrave të rritjes ekonomike dhe punësimit. Sipas ish-kreut të qeverisë, Rama në mënyrë të kundërligjshme shkarkoi Këshillin e Statistikave dhe drejtoren e Institutit te Statistikave dhe e zëvendësoi “me 99-shin Gjergj Filipi, Rama çdo tremujor po falsifikon rritjen ekonomike dhe punësimin.

“Keshtu, pas skandalit të nxjerrjes së rritjes ekonomike në tremujorin e tretë me rënie në – 2.7, duke deklaruar se numri i turistëve dhe vizitoreve në muajt korrik-gusht-shtator ishte 6% më i ulet se ne muajt prill-maj-qershor të vitit te kaluar, Rama me Gjergjin e tij, me të cilin qesh i tërë Instituti, po pregatisin bllofin e radhës për tremujorin e katërt. Sipas skenarit të tyre, në tremujorin e katërt u ça rritja ekonomike dhe “plasi” punesimi! Mirepo kanë kaluar dy jave dhe Rama – Filipi nuk po nxjerrin dot rritjen dhe punësimin e tremujorit të fundit. Për të fallsifikuar të dhënat e anketes së ndermarrjeve te ketij tremujori, Filipi pushoi nga puna te gjithe anketuesit e Institutit qe punonin aty prej mbi 20 vitesh, vetëm e vetem se ata nuk pranonin të fallsifikonin te dhënat. Ata u zëvendësuan me militantë të PS, të cilët rriten deri tre herë, sipas informacioneve që na vijnë direkt nga sipermarresit, të dhenat e ndermarrjeve. Keshtu, biznese me tre punetore janë rregjistruar sikur kane 8 punetorë, madje janë marre në tel dhe kercënuar po treguan”, – ka shkruar ish-kryeministri në profilin e tij në “Facebook”. Deklarata e Berishës erdhi pas publikimit të shifrave nga INSTAT se ekonomia shqiptare ka pësuar rritje në tremujorin e parë të 2014.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency