Drejtori i INSTAT-it: Largimi i “Belle Air” rrënoi transportin

0
135

Ervin Kaduku

 

­Afro 30 për qind rënie në shifrën e transportit ajror, qeveria “Rama” u “dhuroi” qiejt kompanive të huaja…

 

 

instat-300x170 Tremujori i fundit i vitit të kaluar solli rritje në disa sektorë të ekonomisë, por e kundërta ndodhi në transport dhe shërbime. Transportet pësuan një rënie rekord me afro 28%, rënie që, sipas drejtorit të INSTAT-it, Gjergji Filipi, i detyrohet mbylljes së aktivitetit të kompanisë “Belle Air”. Gjithsesi, edhe përtej episodit në fjalë, transportet, së bashku me ndërtimin, janë sektorët me ecurinë më negative gjatë dy viteve të fundit.

 

Llogaritjet zyrtare

Rritja ekonomike gjatë vitit 2013 ishte më e dobët edhe krahasuar me parashikimet më pesimiste, sipas vlerësimit paraprak të Institutit të Statistikave, bazuar mbi të dhënat tremujore mbi vlerën e shtuar bruto. Sipas tyre, ekonomia shqiptare vitin e kaluar u rrit me vetëm 0.44%, shifra më e ulët e 15 viteve të fundit. Sipas INSTAT, tremujori i fundit shënoi një rritje me 1.1%, rritje që mjaftoi vetëm për ta mbajtur ekonominë shqiptare në territorin pozitiv të rritjes, ndonëse në vlera minimale.

Ritmet më të larta të rritjes në tremujorin e fundit të vitit të kaluar i regjistruan degët e Postë-Komunikacionit dhe Industrisë, ndërsa ju rikthyen rritjes sektori i Tregtisë dhe Ndërtimi. Ndryshe nga tremujorët e mëparshëm, bujqësia ka dhënë në rritje një kontribut mjaft modest, 1.23% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave, Gjergji Filipi, ka folur dje në një konferencë për shtyp, ku ka bërë me dije se sektorët që kanë shënuar rritje gjatë 3-mujorit të katërt të vitit janë bujqësia dhe industria. Pas një periudhe të gjatë në rënie edhe ndërtimi ka njohur një rritje fare të lehtë.

Sipas INSTAT :

Aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2013 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati rritje prej 1.23%.

Grupi i industrive u rrit me 7.18% në tremujorin e katërt të vitit 2013 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012.

Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2013 pati rritje prej 3.66% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012.

Grupi i degëve Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rritje prej 3,12% në tremujorin e katërt të vitit 2013 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në këtë grup, tregtia pati një rritje prej 7,04% ndërsa hotele dhe restorante patën rënie me rreth 16.71%.

Aktiviteti i transportit në tremujorin e katërt të vitit 2013 u ul me 27.92% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Grupi Posta dhe Komunikacioni u shfaq me një rritje prej 8.36% në tremujorin e katërt të vitit 2013 përkundrejt tremujorit të katërt të vitit 2012.

Grupimi Shërbimet e tjera në tremujorin e katërt të vitit 2013 pati rënie me 1.76% kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2012. Në këtë grup, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia ndikuan pozitivisht, ndërsa rënia ndikohet nga ecuria negative e sektori financiar, sektorit të pasurve të patundshme, rentës
dhe aktiviteteve ndihmëse të biznesit ( aktivitete ligjore, të arkitekturës, inxhinierike si dhe konsulenca.

Sa u përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës të vitit 2013, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto vlerësohet me një rritje prej 2.32%.

Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak për vitin 2013 i cili mbështetur në treguesin e Vlerës së Shtuar Bruto (V.SH.B) tremujore pati rritje prej 0.44% krahasuar me vitin 2012.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency