385 apartamentet/ Strehimi, kriteret për të përfituar banesë sociale

0
137

 Niveli i të ardhurave, kriteri kryesor që do të merret parasysh

 1200 kërkesa janë paraqitur në Bashkinë e Tiranës për të përfituar banesë sociale

 

banesa-socialeShumë shpejt Bashkia e Tiranës do të japë 385 apartamente për familjet të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. Bëhet fjalë për apartamentet në Shkozë, që janë marrë në administrim nga Bashkia vetëm një muaj më parë. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, ka parë nga afër kushtet në kompleksin e banesave sociale. Bozdo u shpreh se apartamentet janë gati dhe do t’i propozohen në mbledhjen më të afërt për vendimmarrje Këshillit Bashkiak kriteret për vendosjen e qirave minimale dhe maksimale të banesave sociale. “E kemi marrë në dorëzim këtë qendër shumë vonë, për arsye se ka pasur problematikë të akumuluar, zhvendosja e linjës 110 KW të tensionit të lartë, mosfurnizimi i banesave me ujë dhe me energji elektrike në mënyrë të rregullt dhe, për më tepër pastaj na u desh edhe të paguanim të gjitha borxhet e akumuluara për këtë projekt nga administrata e kaluar, TVSH-ja, kostot lokale, por edhe pagesat për energjinë elektrike dhe për ujin është përballuar nga administrata e Bashkisë Tiranë”, – u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

 

Kriteret

Banesat sociale do të jepen duke u bazuar të dy nivele qiraje, gjithmonë duke marrë parasysh edhe nivelin e të ardhurave. “Pas marrjes në dorëzim, pa humbur kohë, Bashkia ka punuar me një ritëm të lartë dhe sot(dje) ne i kemi propozuar Këshillit Bashkiak kriteret thelbësore për vendosjen e qirave minimale dhe maksimale dhe vendosjen e të ardhurave minimale dhe maksimale për të gjithë ata qytetarë të Tiranës që duan të marrin këtë shërbim dhe përfitojnë nga këto banesa sociale. Ka dy nivele qiraje, të cilat shkojnë në logjikën e nivelit të të ardhurave të banorëve. Por më lejoni t’ju them që e reja që ne kemi futur është gjithashtu që ky program i banesave sociale të bashkërendohet në të njëjtën kohë me programin e subvencionimit të qerasë. Pra, në qoftë se kemi një familje me të ardhura të ulëta që nuk kap nivelin minimal të të ardhurave, atëherë përfiton qeranë më të ulët duke u subvencionuar nga Bashkia. Pra, kemi të bëjmë me një konvergjencë të dy programeve dhe kjo është arsyeja që unë mendoj që ky program gjithashtu do të jetë shumë i suksesshëm”, – theksoi Bozdo.

 

Kërkesat

Në Bashkinë e Tiranës, janë paraqitur 1200 kërkesa për 385 apartamente. Të gjithë aplikantët duhet të freskojnë dokumentet nëse u ka kaluar afati, pasi është një kërkesë ligjore. “Jemi plotësisht të gatshëm që 385 apartamentet t’i shpërndajmë në më shumë se 1200 aplikime të marra deri më sot nga qytetarët e Tiranës, duke filluar që nga viti 2007 kur u premtuan për herë të parë. Me këtë rast u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë aplikuar të rifreskojnë dokumentacionin, sepse është kërkesë ligjore. Ne kemi një staf plotësisht në dispozicion të tyre, të këshillimit të dokumenteve që duhet të sjellin, por nga ana tjetër sapo dosjet e para të jenë gati, me miratimin e vendimit në Këshill Bashkiak, ne do të fillojmë menjëherë dhënien e banesave sociale për qytetarët e Tiranës, dhe veçanërisht sipas pikavarazhit të caktuar për shtresat në nevojë”, – përfundoi nënkryetari i bashkisë. Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, që pritet të zhvillohen brenda këtij muaji do të diskutohet dhe për kriteret që ka propozuar bashkia.

 

 

Miratohet projektligji /Çmimin e biletës e vendos bashkia

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka miratuar dje disa ndryshime në ligjin për transportet rrugore. Këto ndryshime pritet t’u japin bashkive më shumë kompetenca për sa i përket transportit urban. Do të jenë institucionet vendore të cilat do të vendosin çmimin e biletës dhe jo qeveria. “Bashkia lidh kontratë për shërbimin e transportit urban me çdo shoqëri që plotëson ato kritere. Çfarë i mungonte kontratës? Çmimi. Ti lidh kontratën dhe çmimin e vendos dikush tjetër. Ky ndryshim e rregullon këtë handikap. Ai që bën kontratën, vendos edhe çmimin”, – u shpreh Ylli Manjani, zv.ministër i Transporteve. Deputeti Roland Keta kërkoi disa ndryshime në projektligjin e ardhur për shqyrtim. “Ne mbështesim çdo akt ligjor që është në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe jemi dakord në parim, por kemi edhe mendimet tona, duke filluar nga neni i parë. Në pikën “c” shtesë, tarifat dhe biletat e transportit qytetas miratohen me vendim të Këshillit Bashkiak sipas nenit 14. Dhe në nenin 14 tregohen vetëm ato që ka kompetencë pushteti vendor dhe licencën. Por nuk jep asnjë shpjegim neni 14 i ligjit të mëparshëm për çmimin e biletave. Në nenin 2 nuk qartësohet qartë shprehja “tarifat e biletës do të varen nga niveli i standardit”. Në nenin 3 në fund thuhet se “masat, kriteret dhe procedurat e kompensimit të kësaj tarife përcaktohen me vendim nga Këshilli i Ministrave”. Ky përcaktim është vetëm për invalidët e grupit 2 dhe të verbërve”, – deklaroi Keta.

 

Çmimi i biletave

  Rreth një muaj më parë, shoqëritë e transportit zhvilluan protesta për rritjen e çmimit të biletës. Kjo bëri që Ministria e Transporteve të niste diskutimet për kërkesën e tyre dhe parimisht u ra dakord që çmimi i biletës do të rritej me 20 lekë, pra nga 30 do të shkonte 50 lekë. Kundërshtimet që erdhën nga Bashkia e Tiranës dhe disa protesta që u zhvilluan para Ministrisë së Transporteve, detyruan qeverinë që të bënte një hap prapa. Për t’iu “shmangur” përgjegjësive që i caktonte ligji për çmimin e biletave, Ministria e Transporteve propozoi ndryshime në ligjin për transportet, duke kërkuar që çmimin e biletës ta vendoste bashkia, dhe jo qeveria.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency