Lufta kundër kriminalitetit / Ministria e Drejtësisë, 40 rekomandime Prokurorisë së Përgjithshme

0
116

Tiranë

Dokumenti iu dorëzua në muajin Mars kryeprokurorit Llalla, ndërsa pritet përmbushja e tyre nga ky institucion

 

prokuroria-e-pergjNë kuadër të luftës kundër kriminalitetit dhe fokus i pesë prioriteteve kyç të Bashikimit Europian, Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar një material me 40 rekomandime Prokurorisë së Përgjithshme. Ky dokument zyrtar është dorëzuar në këtë institucion në muajin Mars të këtij viti dhe pritet që këto rekomandime të gjejnë zbatim në vijimësi. Rekomandimet që Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, janë të hartuara mbi evidentimin e problemeve që janë pasqyruar në dokumentat strategjikë qeveritarë dhe në raportet e organizmave ndërkombëtarë, përfshirë progres raportin e Komisionit Evropian.

Rekomandimet

Progres -raporti i Komisonit Europian thekson se mungesa e llogaridhënies e Prokurorisë së Përgjithshme është shqetësuese, përfshirë këtu dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e personelit. Mbështetur mbi këtë, Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm, zbatimin e kuadrit të ri ligjor, forcimin e autonomisë së prokurorisë në hetimin paraprak, rritjen e hetimeve pro aktive, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë dhe forcimin e kompetencave dhe të transparencës së Këshillit të Prokurorisë, në raport me emërimin, promovimin, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve. Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, si një ndër prioritetet kyçe të Qeverisë, Prokurorit të Përgjithshëm ndër të tjera i kërkohet që të forcojë  koordinimin ndërinstitucional me shërbimet policore, për shkëmbimin e informacionit dhe përdorimin sa më efektiv të metodave speciale të hetimit, për sigurimin e provave dhe goditjen e korrupsionit, ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit në rastet e korrupsionit dhe fshehjes së pasurive, produkte të veprës penale. Gjithashtu, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, dhe në përgjigje të shqetësimit europian se, Shqipëria mbetet një vend burimi për trafikimin e të rriturve dhe të miturve, përfshi lypjen e detyruar nga fëmijët. Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit mbetet një kërcënim serioz. Numri i konfiskimeve të pasurive kriminale dhe dënimeve për pastrimin e parave mbetet i ulët. Ministria e Drejtësisë i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme, ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe dënimit, në çështjet penale të krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, trafikimit të qënieve njerëzore, pastrimit të parave. Ministria e Drejtësisë ka rezervuar rekomandime për Prokurorinë e Përgjithshme dhe për të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

 

Tiranë

Përplasen nga makina, braktisen në rrugë dy kalimtarë

Përplasen dhe braktisen në mes të rrugës. Ky ka qenë fati i dy këmbësorëve, të cilët janë përplasur nga një automjet rreth orës 19:45 të mbrëmjes së djeshme në kryeqytet. Ngjarja ndodhi në rrugën “Pjetër Budi”. Policia vuri në pranga shkaktarin e aksidentit, Bashkim Hajdari. Automjeti që përplasi dy personat identiteti i të cilëve ende nuk bëhet i ditur është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes pa u dhënë asnjë lloj ndihme. Të aksidentuarit janë nisur me urgjencë në spitalin e Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë policia rrugore ka nisur aksionin për kapjen e automjetit që shkaktoi aksidentin dhe sqarimin e rrethanave. Nga ana e policisë janë marrë në pyetje dëshmitarë që kanë parë skenën, për të mësuar më tepër rreth tipit të makinës dhe targës së saj. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u arrestua autori i këtij aksidenti, i identifikuar si Bashkim Hajdari.

Shkodër

Tentoi kalimin e 235 mijë euro-ve në 15 banka kineze, arrestohet serbi

Një shtetas serb vihet në pranga si i dyshuar për pastrim parash, pasi tentoi të kalonte 235 mijë euro nga një bankë shqiptare drejt një banke kineze. Branislav Ivanoviç, 66 vjeç është arrestuar në flagrancë pasi ka tentuar të kryejë transferta të dyshimta, nga një bankë në qytetin e Shkodrës. Kanë qenë vetë punonjësit e bankës, e cila e ka detyrim ligjor në raste transaksionesh të paargumentuara, e cila lajmëroi policinë ku në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Tiranës, është bërë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit serb. Ai i ka kërkuar bankës në Shkodër t’ia ndajë këtë shumë në 15 pjesë për t’i transferuar në 15 banka kineze. Në fakt, paratë kanë mbërritur në Shqipëri me 3 transferta nga një kompani amerikane, për në bankën e nivelit të dytë në Shkodër. Kur Ivanoviç ka ardhur nga Beogradi të bëjë transfertat ai nuk ka patur asnjë dokument për motivimin e dërgimit të parave. Kaq ka mjaftuar që policia të nisë hetimet dhe kur Ivanoviç ka refuzuar të japë shpjegime për origjinën, destinacionin dhe motivin e këtyre transfertave e kanë arrestuar atë për akuzën e pastrimit të parave. Sipas policisë, Ivanoviç nuk ka aktivitet ekonomik në Shqipëri.

 

 

 

 

Gjykata e Lartë

U pranua rekursi për Arben Gropën, do shqyrtohet në ditët në vijim

Gjykata e Lartë ka reaguar dje edhe për një tjetër lirim të bujshëm të Gjykatës së Apelit, ku një i dënuar me 32 vite burg për trafik droge dhe i kërkuar për ekstradim nga autoritete e drejtësisë në Itali, u lirua nga Gjykata e Apelit. Për shtetasin Vangjel Zijaj alias Arben Gropa, shkalla më e lartë e gjyqësorit deklaron se “Kolegji Penal ka pranuar shqyrtimin e rekursit për çështjen me nr. 61004-00492-00-2014 në emër të shtetasit Vangjel Zijaj alias Arben Gropa dhe çështja do të gjykohet në ditët në vijim”. Shtetasi Vangjel Zijaj (alias Arben Gropa),është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për veprën penale të trafikut të drogës. Ai rezulton të jetë i dënuar tre here herë të ndryshme me një periudhë totale dënimi 32 vjet e gjashtë muaj. Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka dhënë vendimin “arrest me burg” (22.01.2014), ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë me anë të vendimit nr. 70 datë 20.2.2014 ka ndryshuar masën e sigurimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Fier, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Denoncimi i këtij vendimi në media bëri që Ministria e Drejtësisë të reagonte dhe të niste verifikimin e ndryshimit të kësaj mase në Apelin e Vlorës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency