Ambasada Amerikane / Apeli, punonjësit amerikanë ndalohet të shkojnë në Lazarat

0
119

Sonila Mesareja

Deklarata zyrtare: Zona është lënë jashtë kontrollit të ligjit dhe pa praninë e policisë. Trafikantët lëvizin lirshëm, ndalojnë hyrjen e personave në fshat

 

loss-1396710628Ambasada Amerikane në Tiranë ka lëshuar apelin e saj të radhës për të gjithë punonjësit e qeverisë amerikane që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Ajo u ndalon atyre që të udhëtojnë për në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, në Shqipërinë Jugore. Përmes njoftimit të saj të bërë në seksionin ku hidhen njoftimet për sigurinë “Security messages for US Cityzen”, ajo u drejtohet punonjësve të saj të kenë kujdes, të regjistrohen më parë në sistem për të mësuar çdo lëvizje të tyre, që në rast emergjence t’i kontaktojnë sa më parë dhe t’u japin ndihmë. Nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane në Tiranë njofton punonjësit e qeverisë së saj të kenë kujdes gjatë lëvizjeve në vendin tonë. Në fakt, këto njoftime që shprehin kujdesin që ky shtet ka ndaj qytetarëve të saj, zakonisht u janë drejtuar atyre kur në vend parashikohen protesta, trazira apo demonstrime të ndryshme, por asnjëherë për vende specifike, siç është rasti i Lazaratit.

Deklarata

“Lazarati njihet si një prej zonave të prodhimit më të madh të marijuanës në Europë. Në vitin 2004, një ndërhyrje e policisë rezultoi në një betejë të vërtetë që çoi në shkatërrimin e Postës Policore në Lazarat. Në vitin 2012, policia tentoi të kontrollonte plantacionet e marijuanës, por u përball me grupe të armatosura. Që në atë kohë zona është lënë jashtë kontrollit të ligjit dhe pa praninë e policisë, duke i dhënë mundësi trafikantëve që të lëvizin të lirshëm dhe të ndalojnë hyrjen e personave në fshat” – thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane. Më pas, në njoftim, ambasada u vë në dispozicion një numër ku të kontaktojnë për çdo paqartësi që mund të kenë për këtë njoftim të shpërndarë zyrtarisht në faqen zyrtare, vetëm në anglisht. “Ju lutem mos ngurroni të kontaktoni njësinë amerikane për qytetarët ne +355 ( 0 ) -42.247.285, për ndonjë pyetje që mund të keni në lidhje me këtë njoftim” vazhdon njoftimi, ndërsa shtohet se “ne fuqimisht rekomandojmë që qytetarët e SHBA-së që udhëtojnë ose banojnë në Shqipëri, të regjistrohen në Departamentin e Programit të Shtetit Traveler regjistrimit ( STEP ). Regjistrimi ju jep përditësimet më të fundit të sigurisë dhe e bën më të lehtë për ambasadën amerikane apo konsullatën e SHBA-së për t’u lidhur me ju në rast emergjence. Nëse ju nuk keni qasje në internet, regjistrohuni drejtpërdrejt me ambasadën më të afërt të SHBA-së”. Në njoftimin e saj, ambasada sqaron se ata duhet të monitorojnë rregullisht faqen zyrtare të internetit të Departamentit të Shtetit, ku mund të gjejnë paralajmërimet aktuale të udhëtimit, sinjalizimet apo dhe për çfarë duhet të kenë kujdes. “Lexoni informacionin specifik të shtetit për Shqipërinë . Ndërsa për informata shtesë, referojuni “listë e plotë Traveler “, vijon njoftimi i Ambasadës Amerikane, ndërsa shton se duhet ta kontaktojnë atë për çdo sqarim tjetër, kufizim udhëtimi apo dhe problematika që mund t’u shfaqen në këtë vend.

 

Tiranë

Iu gjet armë dhe kapuç në makinë, arrestohet i dyshuari si grabitës

Një 25-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi dyshohet si grabitës. Policia e kryeqytetit ka arrestuar të riun Drini Xhelo, pasi në automjetin e tij janë gjetur një pistoletë tip Zasatava me silenciator, dhe një kapuç, me të cilat akuzohet se kryente grabitjet. Sipas burimeve policore, ka qenë një hetim sistematik i Komisariatit numër 4 të Policisë, për Xhelon, që fillon 1 muaj më parë, kur u kap me hashash në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Sipas burimeve, Xhelo u vetëdeklarua përdorues dhe ja hodhi arrestimit, mirëpo kontrolli në mjetin e tij tip “Opel Corsa”, i bllokuar në polici zbuloi armën. Policia priti 1 muaj që Xhelo të interesohej për të marrë makinën e sekuestruar dhe në këtë moment e ka arrestuar.

Tiranë

FNSH aksion nëpër rrugët e kryeqytetit, gjendet armë dhe sende pa leje

Armë pa leje dhe sende të ndaluara janë bllokuar dhe sekuestruar nga policia përgjatë këtyre ditëve. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë, prej disa ditësh qarkullojnë në rrugët e Tiranës, duke ndaluar e kontrolluar për sende të paligjshme në makinat luksoze, ato me targa të huaja apo edhe me xhama të zinj. Sipas policisë, ky operacion është në vazhdën e parandalimit të ngjarjeve të ndryshme si dhe për gjetjen dhe arrestimin e personave që udhëtojnë me sende të paligjshme. Nga kontrollet e mjeteve, mësohet se janë sekuestruar disa armë të ftohta, si thika, shkop bejzbolli të gozhduar, hekura, shkarkesa elektrik apo sende të tjera të paligjshme. Ky operacion i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt, mësohet se do të shtrihet në gjithë territorin e Shqipërisë.

Gjirokastër

Dy vajza të zhdukura prej 5 ditësh, dyshohet të jenë trafikuar

Prej pesë ditësh dy vajza u mungojnë familjarëve të tyre. Ato rezultojnë të zhdukura prej afro një jave dhe mësohet se njëra prej tyre është e mitur. Sipas policisë së Gjirokastrës, dyshohet se dy vajzat janë trafikuar jashtë vendit, ndërsa punonjësit e qytetit jugor kanë bërë identifikimin e një personi që dyshohet se mund t’i ketë rrëmbyer. I dyshuari është nga zona e Mamurrasit, ndërkohë që kërkimet për vajzat të zhdukura janë përqendruar edhe në Tiranë. Policia vazhdon hetimet si tri qytete, Gjirokastër, Tiranë dhe Mamurras, vendi i origjinës të personit të dyshuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency