Italianët e Shqipërisë

0
177

Alba Kepi

 

italianet ne ShqiperiItalianët e Shqipërisë kanë një histori mbi njëshekullore. Jeta e tyre nis më 1918, me zbarkimin e familjeve të para italiane në ishullin e Sazanit, arrin kulmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, me një mpiksje të detyruar gjatë diktaturës komuniste e për të mbërritur deri me një rilindje të dytë gjatë ditëve të sotme. Epoka të ndryshme, histori jete në kufijtë e të pabesueshmes.

Maria, Antonio, Pierio, Ambrogio, Alberto, Xhimi, Arnaldo, Renzo, Lucia e shumë të tjerë me pasardhës të ndarë me vite në dy brigjet e Adriatikut, të harruar nga atdheu i tyre prej gati gjysmë shekulli, rezident në një shtet që kufijtë i kishte mbyllur me tela me gjemba, sot formojnë shoqatën “Qytetarë italianë e familjet e tyre të riatdhesuar nga Shqipëria”. Për këta shtetas italianë marrëveshja e 14 marsit 1945, nënshkruar nga kreu i qeverisë shqiptare, Enver Hoxha, e nga nënsekretari i shtetit italian për Luftën, avokat Mario Palermo, u mohoi të drejtën për t’u rikthyer në atdheun e tyre. Pika e parë e këtij pakti përmbante: “Qeveria shqiptare aderon në propozimin e nënsekretarit të shtetit për Luftën Av. Mario Palermo për atdhesimin e të gjithë italianëve aktualisht rezident në Shqipëri, me përjashtim të atyre sipërmarrësve italianë e atyre specialistëve që janë të domosdoshëm për rindërtimin e Shqipërisë. Një klauzolë e kësaj marrëveshjeje u jepte dorë të lirë autoriteteve shqiptare të mbante në territorin tonë një numër të pacaktuar punonjësish o specialistësh italianë, fakt që shteti shqiptar e interpretoi sipas mënyrës së tij, me një afat kohe të pashtershme e për shumë prej tyre deri në shterim. Nga ky moment nis kalvari i tyre i vuajtjeve, injorimit, harresës. Komuniteti italian u detyrua të shtirej se nuk ekzistonte, pa një kujtesë historike, pa një identitet kulturor, pa një të ardhme duke iu nënshtruar rregullës së dhunës absurde të regjimit komunist shqiptar kundrejt çdo të huaji.

 

Po cilët janë italianët e Shqipërisë, me vite e vite pritje për t’u riatdhesuar?

Qenë çifte italiane, në të cilat bashkëshorti ushtronte një aktivitet sipërmarrës në Shqipëri o ushtronte shërbimin ushtarak;

Familje me nënë italiane e baba shqiptar me një aktivitet sipërmarrës;

Familje me nënë shqiptare e baba italian, ish-ushtarak në ushtrinë italiane të mbetur në Shqipëri pas ngjarjeve të vitit 1943;

Komunitetit italian në Shqipërinë komuniste nuk iu dha kurrë mundësia për të komunikuar me autoritetet konsullore italiane në Tiranë e as me familjet e të afërmit e mbetur në vendlindje. Letrat e tyre, lutjet, kërkesat, fjalët e mallit e dashurisë nuk u lexuan kurrë, u censuruan e u ruajtën si provë e ardhshme akuze “Për agjitacion e propagandë” e sot gjenden në arkivat e shtetit të shqiptar. Italianëve të Shqipërisë iu mohua gjuha mëmë, nuk mundën ta flisnin, ta lexonin në libra, ta studionin vetë e fëmijëve iu mohuan emrat e kush quhej Giuseppe, duhej të thirrej Zef, Alberto – Albert, Roberto – Robert. Në vitet `60, shteti shqiptar u imponoi nënshtetësinë shqiptare, edhe pse ata nuk e mohuan kurrë nënshtetësinë e tyre ashtu siç e parashikonte ligji italian. Pak qenë ato gra italiane, të cilave për motive shëndetësore apo mortore iu lejua udhëtimi drejt Italisë. Ata që e patën këtë fat, nuk u kthyen më mbrapsht, familjet u ndanë mes dy brigjeve të Adriatikut. Mbi 40 vjet më vonë, dekreti i Ministrisë së Jashtme italiane i 13 shkurtit 1992 autorizoi riatdhesimin e tyre me një operacion special të nominuar C.O.R.A (Komiteti Operativ për Riatdhesimin nga Shqipëria). Italianëve të Shqipërisë të rikthyer në atdheun e tyre më këtë operacion iu njoh statusi i emigrantëve. Shumë të tjerëve që u riatdhesuan me iniciativë personale duke rrezikuar dhe jetën, humbën të drejtën e statusit me të gjitha lehtësirat që ai përcaktonte. Më 19 mars të vitit 1993 mediat italiane nisnin ditën me lajmin “U rikthyen në shtëpi italianet e Shqipërisë”; “U desh një orë fluturim për të lënë pas makthin e 40 viteve”…

 

Grimca jete nga italianët e Shqipërisë

Për të gjithë ai është Xhimi, miq italianë e shqiptarë, të afërm e të njohur e thërrasin me këtë emër. Nëna e tij italiane, babai që e rriti, motrat e vërteta me të njëjtën gjak nëne e babe, të cilat mundi t’i njihte vetëm pas `90-ës, po Xhimi e thërrasin, edhe pse në pasaportë emri i tij është Shkëlqim M., vendlindja Tiranë, kombësia italiane. Xhimi i përket një familjeje italo-shqiptare, krijuar nga dashuria e një vajze italiane që fati e solli të vizitonte Shqipërinë e një djaloshi tiranas. Xhimi qe më i vogli nga tre fëmijët e tyre e djali kaq i dëshiruar pas dy vajzave. Nëna e tij mbi 80-vjeçare, përcjell ende sot mitin e italianeve të bukura në Tiranën e viteve `60. Babai që e solli në jetë nuk jeton më e Xhimi mundi ta njihte vetëm më 1992, në moshë të thyer e kur i kishin mbetur vetëm pak vite jete. “Pas viteve `60 u binda se komunizmi në Shqipëri që kthyer në një preokupim serioz”, – kujton sot nëna e tij. Ajo i përkiste komunitetit të italianëve të Shqipërisë, vajza, djem, familje të tëra që jeta i kishte sjellë të jetonin në këtë shtet.

Në ato vite, Shqipëria po mbyllej çdo ditë e më shumë, kufijtë qe e vështirë t’i kaloje e mes italianëve të Shqipërisë shtohej shqetësimi mbi pamundësinë e një rikthimi në Itali, qoftë edhe për pak ditë. Histori të shumta qarkullonin fshehtazi gojë më gojë se si qytetarë të huaj akuzoheshin spiunë, arrestoheshin, dënoheshin si armiq të Shqipërisë. Falë një rekomandimi të Ambasadës Italiane nëna e Xhimit mundi të siguronte një vizë për në atdheun e saj, Itali, me pretekstin se “kishte nënën shumë sëmurë”. Bashkërisht me bashkëshortin e saj shqiptar morën vendimin që të mos kthehej më e të qëndronte në qytetin e saj në Bari, deri në krijimin sa më parë të një mundësie për t’u bashkuar. Nuk e imagjinonin se një mundësi e tillë nuk do të krijohej më kurrë. Qe e përgatitur të udhëtonte me të tre fëmijët, por pak orë para nisjes, autoritetet shqiptare e lejojnë të marrë me vete vetëm njërin prej tyre. Bashkëshorti i saj vendosi t’i jepte Xhimin, as dyvjeçar, më i vogli ndër të tre, djali kaq i dëshiruar pas dy vajzave e që mundi t’i rishihte vetëm pas 40 viteve, qenë nga italianët e parë të Shqipërisë që në fillim të viteve ‘90 me një vizë speciale mundën të udhëtojnë drejt Italisë. Xhimi sot ka plot miq shqiptarë, mjaft prej tyre i ka mikpritur me muaj në shtëpinë e tij në kohën e flukseve të para të emigracionit shqiptare përtej Adriatikut. “Jam shqiptar, se im atë është shqiptar, – thotë ai krenar për ato pak fjalë shqipe që di, e kujton se si gjatë udhëtimit të tij të parë në Tiranë ka kaluar orë të gjata në dhomën e pritjes në aeroportin e Rinasit pasi oficerët e kontrollit nuk e besonin se si një qytetar italianë në pasaportën e tij italiane të kish të regjistruar emrin Shkëlqim M., vendlindja Tiranë, kombësia italiane.

 

Arnaldo Canciani është sot autori i një libri “Memorie e kujtime nga Shqipëria 1930-1950”, pjesë e komunitetit të italianëve të Shqipërisë e që kaluar vitet e fëmijërisë e të rinisë së tij në tokën tonë. Ai kujton se babai i tij për arsye politike vendos më 1928 të transferohet nga rajoni italian i Friulit në Tiranë. “U nisëm nga Gemona (qytezë në Friuli), – shkruan ai, – me tren më datë 30 e mbërrijmë në Bari mëngjesin e një dite më pas. Në darkë jemi në bordin e një anije që pas 10 orë lundrimi mbërrin në portin e Durrësit. Prej këtu marrim autobusin drejt Tiranës. Durrësi është vetëm 38 km larg Tiranës, por me mjetet primitive të asokohe u deshën plot tri ditë rrugë. Të ambientohesh në një vend të huaj, pa as më të voglën njohuri të gjuhës, nuk qe e lehtë e mbi të gjitha për ime mëmë. Shtëpia ishte e përbërë nga dy dhoma në katin përdhes e që shihte në një oborr të vogël me familje të tjera myslimane e ortodokse, vetëm një banjë jashtë e brenda një broke me ujë (i vetmi komoditet). Shtëpia ku jetonim ishte në një lagje të vjetër në qendër të Tiranës, Rruga e Dibrës… I vetmi argëtim qe shëtitja e të dielës me prindërit e mi. Friulanët takoheshin të gjithë në një restorant të vogël në fillim të Rrugës së Dibrës (te Koliqi) ose dhe tek një birrari në Rrugën e Elbasanit”.

 

Ester F. njohu bashkëshortin e saj shqiptar në Bolonja. Ai ishte mjek, kishte studiuar e ushtronte profesionin e tij në Torino dhe Bolonja e më 1940 vendosin të transferohen në Shkodër. Aty nis dhe kalvari i jetës së saj, me fundin e një makhti komunist në fluturimin e një “DC-9” natën e 19 marsit 1992, kur vuri këmbë në aeroportin e Fiumicionos në Romë. Kish realizuar ëndrrën e saj; riatdhesimin!

 

Pierino C., i datëlindjes 1951, djali i një inxhinieri italian që pasi u shfrytëzua nga Pakti 1945 Hoxha – Palermo, u konsiderua atentator dhe armik i popullit. E kaloi jetën nëpër kampet e Shqipërisë komuniste, së bashku me nënën dhe vëllezërit e tij.

 

Ambrogio G., vendlindja Tiranë dhe djali i Mario G., inxhinier italian i shfrytëzuar për të ndërtuar Shqipërinë e pasluftës, konsiderohet sabotator e dënohet me 101 vite burgu. Ambrogio e kaloi jetën në kampet e internimit komunist e nuk mundi kurrë ta njihte babain e tij, ruan pak foto, dokumente e artikuj të gazetave shqiptare që e përshkruajnë si sabotator i Shqipërisë socialiste, agjent e armik i popullit.

 

Aberto F. lind në një kamp internimi në Berat nga nëna e tij italiane e baba shqiptar, një ish-ushtarak i Presidencës, i burgosur nga regjimi komunist. U rrit me një identitet të vuajtur, me gjuhën e nënës prononcuar me zë të ulët deri në heshtje. Kujtimet e atyre viteve i ka hedhur në librin e tij “Përralla e hidhur shqiptare”.

 

Giorgio R. lindi në Durrës dhe u rrit në jetimore e djali i një qytetari italian ish-ushtarak në formacionet e ushtrisë shqiptare. Nuk mundi kurrë ta njihte të atin, pas riatdhesimit të tij ai kishte ndërruar jetë.

Vështrim historik mbi kolonitë italiane në Shqipëri

Italianët e Shqipërisë kanë një histori mbi njëshekullore. Jeta e tyre nis më 1918, me zbarkimin e familjeve të para italiane në ishullin e Sazanit, arrin kulmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, me një mpiksje të detyruar gjatë diktaturës komuniste e për të mbërritur deri me një rilindje të dytë gjatë ditëve të sotme.

Përkufizimi i saktë është termi “Koloni Italiane në Shqipëri” dhe përfaqëson ata nënshtetas të Gadishullit Apenin që më 1939, pas pushtimit të Mbretërisë së Shqipërisë nga Italia, u transferuan më qëllimin e italianizimit të vendit. Për historiografinë botërore italianët e Shqipërisë janë pjesë e një fenomeni historik të njohur si kolonizimi italian, nisur gjatë shekullit XX, duke synuar krijimin e një perandorie koloniale me ekspansionin dhe sovranitetin të kësaj Mbretërie në Azi, Afrikë e në Evropën Lindore.

Pas bashkimit të Italisë më vitin 1861 e suksesit të kësaj lëvizje politike-social-kulturore që mundi të realizonte unifikimin e vendit dhe promovimin e identitetit italian, Mbretëria Italiane (1861-1946) nisi ambiciet e saj koloniale. Tentativat e para të krijimit të një Italie të Madhe nisin më vitet ‘80 të shekullit XIX dhe marrin fund me nënshkrimin e Traktatit të Parisit më 1947, i cili e privon nga të gjitha zotërimet e saj koloniale. Italianët e parë që kolonizuan Shqipërinë qenë familje peshkatarësh nga rajoni i Puljas, që më vitin 1918 u vendosën në ishullin e Sazanit përballë Vlorës, ishull që deri më 1947 ishte nën zotërimin italian. Vite më vonë, më 1926, qeveria italiane në marrëveshje me qeverinë shqiptare dërgon rreth 300 kolonë italianë në Shqipëri, të cilët u vendosën pranë Tiranës, në zonën e Kamzës, me qëllim zhvillimin bujqësor të kësaj rrethine. Shumica e tyre qenë arbëreshë dhe italianë të jugut që mundën të krijonin në ato vite Entin Bujqësor Shqiptar si dhe mundësuan hapjen e një shkolle bujqësore.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939, Musolini dërgoi rreth 11 mijë kolonë italianë në Shqipëri, shumica e të cilëve nga rajoni i Venetos e i Sicilisë. Përbënin grupin e parë të kolonëve, me qëllim italianizmin e Shqipërisë dhe u përqendruan kryesisht në Durrës, Shkodër, Vlorë, Elbasan e Porto Palermo. Pas tyre u shtuan rreth 22 mijë punonjës italianë të ngarkuar për të ndërtuar rrugë, shkolla, hekurudha, infrastrukturë.

Më vitin 1940, Kryeministri shqiptar i saj kohe, Shefqet Verlaci, autorizoi entet italiane të shfrytëzonin burimet minerare shqiptare si pagesë ndaj borxhit të Mbretit Zog ndaj Italisë. Verlaci, me origjinë të largët italiane, miratoi edhe mundësinë e një bashkimi administrativ mes Shqipërisë e Italisë, me qëllim mbështetjen italiane për realizimin e Shqipërisë së Madhe, me bashkimin e Kosovës e Çamërisë në trojet shqiptare. Pas 8 shtatorit 1943, rënies së regjimit fashist në Itali, rreth 120 mijë kolonë italianë mbetën të bllokuar në Shqipëri, mes tyre ushtarakë, funksionarë, specialistë e familjarë. Për italianët e Shqipërisë nisi periudha e tmerrshme e regjimit komunist “Hoxha”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency