“Bilanci i krimit”/ PD: Rama në krye të dështimit më të madh me rendin në 23 vite

0
146

Florenc Drizari

 

Laura Vorpsi: “Rrustem Mazreku, i përjashtuar nga Policia e Shtetit për falsifikim të dëftesës së shkollës së mesme, i proceduar penalisht për këtë vepër, është emëruar shef i komisariatit të Hasit. Ilir Roka, i përjashtuar nga policia për ngjarjen e 9 janarit 2004 ku humbën jetën 21 qytetarë, është emëruar shef i qarkullimit në Vlorë”

 

 

Laura_Vorpsi,_4_prill Opozita publikoi dje një bilanc me ngjarje kriminale të ndodhura në vend, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, për dështime në ndjekjen e politikave të duhura lidhur me rendin dhe sigurinë publike. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, denoncoi gjithashtu edhe atë që ajo i quajti sulme të Kryeministrit ndaj medias, duke iu referuar një interviste të tij dy ditë më parë. Fillimisht Vorpsi bëri një përmbledhje të statistikave të ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur këtë jave dhe në fund të deklaratës së saj, foli për masat që ka marrë policia e shtetit dhe krerët e qeverisë, duke ironizuar me emërime në forcat e policisë të disa personave me precedent penal dhe pa arsim përkatës.

 

Vorpsi/ Ja cili është bilanci i javës që po mbyllet:

2 tonë marijuanë me origjinë nga Shqipëria është kapur dje në jug të Italisë. Dy të vrarë mbrëmë në Tapizë, në një atentat mafioz. Gjendet kufomë e një personi të vrarë e të torturuar në lumin e Vjosë. Vritet një biznesmen në Shkodër. Goditet me armë policia në Sarandë. Ka shpërthyer sot me tritol një makinë në Berat. Atentate dhe plagosje çdo ditë. Kjo është kronika e zezë e ditëve të fundit. Kriminaliteti njeh vetëm rritje, pasiguria për jetën është shtuar.

Duke pyetur se cilat janë masat që ka ndërmarrë Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, Vorpsi përmendi tre emërime në forcat blu me që sipas saj, janë me precedentë penal.

“Rrustem Mazreku, i përjashtuar nga Policia e Shtetit për falsifikim të dëftesës së shkollës së mesme, i proceduar penalisht për këtë vepër, është emëruar shef i komisariatit të Hasit. Ilir Roka, i përjashtuar nga policia për ngjarjen e 9 janarit 2004 ku humbën jetën 21 qytetarë, është emëruar shef i qarkullimit në Vlorë Alban Elezi i dënuar me 4 vite burg për përfshirjen në një vrasje, është emëruar së fundmi në njësinë e autostradave. Kjo është situata alarmante e rendit, dhe e degjenerimit të Policisë së Shtetit, me përfshirjen e personave të inkriminuar dhe të militantëve jo profesionistë, të cilët janë në shërbim të partisë dhe përfitimit personal, dhe jo në shërbim të interesave të qytetarëve”,-përfundon deklaratën zëdhënësja e Partisë Demokratike. Lidhur me denoncimet e personave me precedentë penale, opozita në ditët e fundit ka denoncuar një sërë emërimesh jo vetëm në policinë e shtetit, por edhe në pjesë të tjera të administratës publike. Në qëndrimet e tyre zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, kënë theksuar se opozita do të vazhdojë të denoncojë çdo emërim që është bërë në shkelje të ligjit në administratë. Ndërkohë, pak ditë më parë në media u publikuan edhe të dhëna se përfaqësues të qeverisë kishin kërkuar informacion për secilën drejtori lidhur me dëshminë e penalitetit të punonjësve.

 

 

Policia: PD shtrembëron faktet, emrat e përmendur, pa precedentë penalë

 Pas denoncimeve të Partisë Demokratike me bilancet e kriminalitetit në vend si dhe me personat me precedentë penalë të emëruar në forcat blu, reagoi edhe Policia e Shtetit me anë të një deklarate duke hedhur poshtë akuzat e opozitës.

Sipas deklaratës së policisë, keqinterpretimi dhe shtrembërimi i fakteve, “përbaltja e punonjësve të Policisë së Shtetit, që çdo moment punojnë për një Shqipëri më të sigurt, nuk i shërben publikut dhe as ndihmon Policinë e Shtetit në përballjen e saj me krimin”.

Në sqarimin e saj Policia e Shtetit, gjithashtu thekson se çdo ripranim në strukturat e policisë gjatë kësaj periudhe, është në përputhje të plotë me kriteret ligjore, duke përfshirë edhe rastet që citon PD për nënkomisar Rrustem Mazreku dhe Komisar Ilirjan Rrokaj. “Të dy këto punonjës janë të padënuar penalisht dhe ndaj tyre nuk ka filluar asnjë procedim penal. Njëherazi organet e drejtësisë kanë hedhur poshtë motivacionin e përjashtimit me vendim të formës së prerë. Ndërkohë shtetasi Alban Elezi nuk është i punësuar në strukturat e Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit garanton opinionin publik se do të vijojë me përkushtim maksimal përpjekjet dhe angazhimin për rritjen e sigurisë në vend, në mbrojtje, të jetës, shëndetit dhe pronës së të gjithë qytetarëve të vendit. Policia e Shtetit lufton krimin dhe kriminalitetin. Në të mirë të vendit dhe qytetarëve”, – thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

 

 

Berisha: Për Ramën, fajin e kanë mediat!

Ish-kryeministri Sali Berisha kritikoi kreun e qeverisë, Edi Ramën, për sulme ndaj medias si dhe fjalorin e përdorur ndaj opozitës në Kuvend. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan se Kryeministri fajëson mediat sa herë që nxjerrin në pah premtimet e tij të pambajtura dhe sjelljen ndaj publikut dhe opozitës. Gjithashtu Berisha shkruan edhe për protesta popullore si i vetmi mjet që ndaj “revanshin” e Kryeministrit. “Mediat ishin fajtore per informacionin me te cilin faktonin se Rama ka mashtruar per legalizimet falas, pasi sipas tij ato do behen falas pavaresisht se qytetaret do te paguajne sa trefishi i shtepise token. Mediat e kishin fajin se kishin regjistruar ne tre muajt e fundit 30 raste eksplozioni me tritol, mediat pra kane zevendesuar si fajtor, ndonese jo plotesisht, Sali Berishen. Madje mediat e kishin fajin se numri i te vrareve ne tre muajt e fundit, sipas faqes zyrtare te ministrise se brendshme, ishte me i larte se ne te njejten periudhe te nje viti me pare. Ky eshte nje shantazh i paskrupullt dhe i denueshem ndaj mediave. Ne 23 vite pluralizem kurre ndonjehere me pare nuk ka ndodhur qe nje kryeminister te nise dhe sose intervisten e tij me moton “fajin e kane mediat”. Une dje denoncova ne Parlament qendrimet e tij maniakale ndaj pronareve, drejtoreve, gazetareve, shantazhet e paskrupullta deri ne kerkesat ultimative te heqjes se ketij apo atij lajmi, kronike, shkrimi, editoriali e madje drejtuesi, kryeredaktori gazete apo televizioni”, – ka shkruar në “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency