Frenohet sërish ekonomia e Eurozonës, BQE nuk ndryshon normën e euros

0
155

Euro Ekonomia e Eurozonës u rrit me një ritëm më të ngadaltë në tremujorin e katërt sesa ishte vlerësuar fillimisht, duke siguruar dëshmi të tjera për vlerësimin e Bankës Qendrore Evropiane se rimëkëmbja e bllokut të monedhës është ende e brishtë. Produkti i brendshëm bruto u zgjerua 0.2 për qind në tre muaj deri në dhjetor, sipas të dhënave të postuara në faqen e internetit të Zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian dje. Kjo është një përqindje më e ulët nga masa paraprake prej 0.3 për qind në 5 mars. Presidenti Mario Draghi parashikoi muajin e kaluar se rimëkëmbja e sapolindur nga kriza e borxhit kombëtar të Evropës do të fitojë gradualisht ‘vrullin’ e humbur, duke vënë në dukje se banka qendrore është e gatshme të lehtësojë më tej politikën monetare nëse është e nevojshme. “Në të ardhmen, pritet që rimëkëmbja të vazhdojë, megjithëse me një ritëm të ngadalshëm”, – tha Draghi në 6 mars, pasi politikëbërësit e lanë të pandryshuar normën bazë në një nivel të ulët rekord prej 0.25 për qind. Të gjithë përveç tre prej 57 ekonomistëve në një sondazh të Bloomberg News parashikuan se Banka Qendrore Evropiane do t’i mbante kostot e huamarrjes të pandryshuara. Credit Agricole SA dhe Danisht Banka A / S vlerësojnë një reduktim në 0.15 për qind, dhe Goldman Sachs Group Inc pret një reduktim deri në 0.1 për qind. BQE muajin e kaluar parashikoi një rritje ekonomike prej 1.2 për qind këtë vit, rritje në 1.5 për qind vitin e ardhshëm dhe 1.8 për qind në vitin 2016 për ekonominë e 18-vendeve. Nisur nga kjo performancë, Banka Qendrore Evropiane i ka mbajtur të pandryshuara normat e interesit dhe nuk ofroi mbështetje për rimëkëmbjen e brishtë të Eurozonës, pavarësisht rënies së inflacionit në nivelin më të ulët në 4 vitet e fundit. Në kohët e fundit politikëbërësit kanë shfaqur gatishmërinë për të ulur normat e interesit nën zero dhe në mënyrë efektive kanë akuzuar bankat se nuk po lehtësojnë kushtet e kreditimit. Megjithatë, në konferencën për mediat, Presidenti Mario Draghi nuk përjashtoi mundësinë e blerjes së bonove, ashtu si ka vepruar Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia. Madje një pjesë e vogël e investitorëve parashikonin se norma bazë e interesit do të ulej në 0.1%. “Rimëkëmbja e ekonomisë në Eurozonë do të vazhdojë gradualisht, pavarësisht hapit të ngadaltë të zgjerimit. Për sa i përket inflacionit të ulët, banka po vlerëson masën e kërcënimit të deflacionit dhe është e gatshme të ndërhyjë në treg”, – deklaroi Draghi. Raportet e publikuara në ditën e hënë, treguan se inflacioni në 18 vendet e Eurozonës ra në 0.5%, por kjo rënie sipas Draghit, ishte e pamjaftueshme për veprim të menjëhershëm, pavarësisht shqetësimeve të ekonomistëve se blloku rrezikon të bjerë në një spirale të rënies së çmimeve dhe rritjes së dobët ekonomike. Presidenti Draghi siguroi edhe një herë investitorët se norma e ulët e inflacionit mund të dëmtojë rritjen, por nuk ka asnjë rrezik të deflacionit, pasi rimëkëmbja ekonomike do të rrisë çmimet. Draghi shtoi gjithashtu se Banka Qendrore është e gatshme të ndërhyjë në treg për të frenuar rritjen e euros, e cila muajin e kaluar preku nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2011 në raport me dollarin amerikan.

 

 

 Investimet e huaja direkte, në 2013-ën rritje 24 për qind

Investimet e huaja shënuan një rritje të kënaqshme për vitin 2013, duke pasur parasysh që ky ishte një vit krize, me një rritje që pritet të jetë nën 1% dhe për më tepër vit, gjatë të cilit u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, totali i investimeve të huaja në fund të vitit 2013 arriti në 923 milionë euro, një rekord historik ky, me një zgjerim prej 24% në raport me një vit më parë. Kontributi kryesor në performancën e vitit të kaluar erdhi nga privatizimi i kompanisë Kurum, që bleu në fillim të 2013-s 4 HEC-e me një vlerë prej rreth 110 milionë euro. Në kategorinë Investime të tjera, zëri i monedhave dhe depozitave të vendosura jashtë vendit ishte minus 123 milionë euro për gjithë 2013-n. Pasi arriti një rekord prej 278 milionë eurosh në tremujorin e tretë 2013, ky zë redukton më i ulët për gjithë vitin, për shkak të hyrjeve në tremujorët e tjerë të vitit. Ky zë rezulton negativ kryesisht për shkak se bankat vijojnë të depozitojnë jashtë paratë e tyre të lira. Megjithatë në raport me një vit më parë, kur arriti rekordin prej minus 255 milionë euro, vendosjet jashtë janë përgjysmuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency