Bujqësia, sektori “i ringjallur” në pesë vitet e fundit

0
150

Ervin Kaduku

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi gjithëvjetor ka shënuar rritje mesatare vjetore prej rreth 5% në dhjetëvjeçarin e fundit

 

 

toke bujqesoreUjitja, parcelizimi i fermës dhe siguria ushqimore janë pengesat që bujqësia shqiptare ende nuk i ka kapërcyer. Puna e kufizuar e bërë në këtë drejtim bën që specialistët e fushës të përsërisin atë çfarë kanë sugjeruar edhe disa vite më parë, kur flitej se si duhet zhvilluar bujqësia shqiptare. Të mos ndryshojnë politikat e mbështetjes është një këshillë e shtuar nga përvoja e tyre.

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë sektorin e bujqësisë, si dhe atë të arsimit apo shëndetësisë, kur flitet për politikat e zhvillimit. Një sektor që kërkon investim afatgjatë, linear e të qëndrueshëm për të siguruar rezultatet e duhura në ekonomi. E kundërta ndodh me politikat afatshkurtra, që për fat të keq po vërehet të ndryshojnë nga një qeverisje në tjetrën.

Në debatin e hapur prej vitesh mbi zhvillimin e sektorit të bujqësisë, vihet në dukje se ka ndryshuar shumë pak në sugjerimet e specialistëve të fushës, e kjo do të thotë se është bërë pak në këtë drejtim.

Problemet e mbetura “barrë” për fermerët ndër vite janë ujitja, parcelizimi i tokës, shkalla e ulët e mekanizmit, të cilat ose duhen korrigjuar njëherësh, ose mbeten si paketë e pashmangshme, pasi shkojnë zinxhir. Prof. Abdyl Sinani thotë që niveli i prodhimit shkon përkrah madhësisë së fermës dhe kjo e fundit është e lidhur automatikisht me nivelin e ujitjes dhe atë të mekanizimit të bujqësisë. “Dhurata” e mbetur që nga ekonomia e centralizuar, po mban peng bujqësinë e cila gjithsesi, me shumë përpjekje, po bën hapa të rëndë në rrugën e saj të zhvillimit.

Duhet pranuar që prodhimi bujqësor është rritur në vend e kjo shihet si në tregun e hapur, edhe në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë. Frutat e perimet e prodhuara në vend kanë dalë nga sezoni i tyre i prodhimit duke u gjendur në tregun vendas edhe në stinën e dimrit, duke sjellë edhe një çmim shitje më të ulët se prodhimet e importit.

Sipas presidentit të Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj, në këtë drejtim kanë ndihmuar si shtimi i magazinave të ruajtjes edhe moti i ngrohtë gjatë dimrit (fenomen i vënë re ky jo vetëm në vitin e fundit).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi gjithëvjetor ka shënuar rritje mesatare vjetore prej rreth 5% në dhjetëvjeçarin e fundit.

Por, në gati një çerek shekulli ekonomi e lirë, bujqësia vazhdon të marrë shumë më pak se sa jep në buxhetin e shtetit. Ndërsa ka një kontribut prej rreth 18% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, dhe përmes sigurimit të prodhimit për konsum vetjak apo të ardhurave nga shitjet, zë me punë gjysmën e popullsisë në vend, bujqësia ka një zë të ulët në investimet e buxhetit të shtetit. Fondet publike për këtë sektor kanë qenë ndër vite mes 2-3% të buxhetit.

E për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë nëse kjo vazhdon për një kohë të gjatë, ekspertët e bujqësisë bëjnë krahasimin pikërisht me këtë sektor. “Të marrësh shumë e të japësh pak në bujqësi, është njësoj si ta shfrytëzosh tokën për t’i marrë prodhimin e ta varfërosh atë duke mos e plehëruar e pasuruar me minerale”, – thotë Fetah Sula, specialist i bujqësisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency