Ministri i Financave/ Cani: Jemi për rritjen e moshës së pensionit, duhet riformatuar sektori energjetik

0
113

 Ervin Kaduku

 

 Mbërrin në Kuvend marrëveshja me Fondin Monetar, huaja më e rëndë e marrë ndonjëherë nga shteti shqiptar për mbështetje buxhetore

 

cani-300x173Më në fund, doli në dritën e diellit marrëveshja e qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e mbajtur në sekret të fortë deri tani. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave diskutoi dje marrëveshjen e kredisë së qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar prej 330.9 milionë eurosh. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili raportoi në Komisionin Ekonomisë në lidhje me kushtet e vendosura nga FMN-ja, kur opozita e ka akuzuar se kjo marrëveshje synon rritjen e taksave në kurriz të qytetarëve, tha se qeveria ishte e detyruar të merrte hua pranë FMN-së, ndërsa siguroi se marrëveshja me FMN-në nuk flet për rritje të taksave.

“Huaja nga FMN është marrë për sistemimin e gabimeve nga qeveria e shkuar, për të sistemuar shkeljet”, – tha Cani. “Kreditimi ekonomik ishte në nivel negativ dhe bankat po merren me kredi të këqija. Programi i borxhit me FMN është elastik dhe synon injektim të likujditetit në ekonomi”, – u shpreh ministri i Financave. Ministri sqaroi se “shlyerja e detyrimeve të shtetit, i jep likuiditet biznesit, ul kreditë e këqija dhe koston e kredisë”. Kjo, sipas Canit, sjell më shumë vende pune, investime dhe ul koston e biznesit. Edhe qytetarët janë përfitues, tha Cani, pasi hapen vende pune dhe lirohet kredidhënia.

Duke vënë theksin në faktin se huaja do të jetë për shlyerjen e detyrimeve të biznesit, Cani informoi se deri tani nuk kemi marrë asnjë lek nga FMN pasi po presim që marrëveshja të miratohet në Parlament.

Ministri i Financave foli edhe për reformën në pensione dhe situatën energjetike. “Rritja e moshës së pensionit është një çështje, me të cilën duhet të merremi seriozisht. Buxheti po përballon kosto shumë të lartë, po studiojmë situatën, më pas do dalim me vendim, duhet ndërhyrje urgjente. Sektori i energjisë ka probleme urgjente, duhen reforma. Ky vit ka qenë me thatësira dhe ka rënduar situatën energjetike. Duhet riformatim i CEZ-it, pasi privatizimi ishte një dështim”, – u shpreh Cani.

Gjithashtu ministri sqaroi se norma e interesit të huasë që qeveria shqiptare do të marrë nga FMN-ja do të jetë 1.13% dhe do të zgjasë për 36 muaj.

Më datën 28 shkurt, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington aprovoi marrëveshjen për të mbështetur qeverinë shqiptare me shumën prej 330.9 milionë euro. Kjo është kredia më e madhe që i është akorduar ndonjëherë Shqipërisë për mbështetje buxhetore.

 

Angazhimet e qeverisë shqiptare

Para se të merrte huanë, qeveria shqiptare i paraqiti një memorandum të politikave ekonomike dhe financiare FMN-së, duke theksuar reformat politike dhe strukturore që do të ndërmerren në periudhën në vazhdim me mbështetjen e FMN-së. Politikat ekonomike të qeverisë, të cilat i janë bashkangjitur marrëveshjes, synojnë ta vendosin ekonominë shqiptare në një rrugë zhvillimi të qëndrueshëm afatmesëm që çon në fitime të prekshme, duke përfshirë gjenerimin e punësimit dhe përmirësimin e standardit të jetesës të popullsisë shqiptare. Qeveria angazhohet të ndërmarri reforma të zgjeruara ekonomike që përmirësojnë mjedisin e biznesit dhe eliminojnë kufizimet që pengojnë zhvillimin ekonomik. Ajo shpreh angazhimin për ndjekjen e objektivave të zhvillimit ndërsa përmirësojnë stabilitetin makroekonomik dhe në këtë kontekst, përpiqen të reduktojnë problemet e lidhura me borxhin me të cilat po përballet vendi sot, duke i vendosur financat publike mbi një bazë të qëndrueshme. Ja disa nga drejtimet politike, ku është përqendruar angazhimi i qeverisë.

 

Konsolidimi fiskal
-Qeveria është e angazhuar ndaj konsolidimit fiskal për të vendosur financat publike mbi një bazë të qëndrueshme dhe për të ulur borxhin publik në planin afatmesëm
-Konsolidimi afatmesëm fiskal do të jetë gjithashtu çelësi për arritjen e qëndrueshmërisë fiskale.
-Ne synojmë një deficit fiskal prej rreth 4.0 për qind të GDP-së në vitin 2014, duke përjashtuar shpenzimet për shlyerjen e pagesave të prapambetura, në ulje nga rreth 6 për qind i llogaritur për vitin 2013.
-Buxheti i vitit 2014 përfshin disa masa politikash për mbështetjen e konsolidimit fiskal.Në të njëjtën kohë ne do të zbatojmë iniciativa për lehtësimin e barrës së rregullimit
fiskal për individët, bizneset e vogla dhe grupet vulnerabil.
-Ekziston fleksibilitet i integruar në projektimin e programit për të garantuar arritjen e objektivave fiskale. Buxheti i vitit 2014 përfshin një kontingjencë në rast të mungesave të të ardhurave
-Përmirësimi i administratës tatimore do të jetë i rëndësishëm për realizimin e
objektivave të programit.
-Ne jemi në procesin e zbatimit të një sërë masave për rritjen e përputhshmërisë tatimore dhe zvogëlimin e mashtrimit.

Ne do të fillojmë përgatitjet së shpejti për të kaluar tek taksa e pronës e bazuar në vlerësim deri në vitin 2015.
Reforma në Administratën Publike është pikë kryesore e axhendës sonë politike.
Reforma e pensioneve është një prioritet kyç afatmesëm. Sistemi aktual përbën një barrë të rëndë në burimet buxhetore, kryesisht për shkak të nivelit shumë të ulët të grumbullimeve dhe kërkon reformë gjithëpërfshirëse me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së saj afatmesme fiskale.
Struktura ekzistuese e përfitimeve do të rishikohet. Ne synojmë të reformojmë sistemin e aftësisë së kufizuar për parandalimin e abuzimit.
Në vitin e ardhshëm ne planifikojmë gjithashtu të fillojmë një përpjekje gjithëpërfshirëse për reformën e qeverisjes vendore.
Zhvillimi i mëtejshëm i shpenzimeve të kapitalit është thelbësor për përmbushjen e objektivave tona të zhvillimit në planin afatmesëm.

 

Parandalimi dhe likuidimi i pagesave të prapambetura

 -Prioriteti ynë parësor është përmbushja e detyrimeve të pagesave qeveritare dhe shmangia e lindjes së detyrimeve të reja të papaguara në të ardhmen.

-Shlyerja e pagesave të prapambetura do të udhëhiqet nga një strategji e likuidimit dhe parandalimit transparent dhe gjithëpërfshirës.
-Përveç likuidimit të pagesave ekzistuese të prapambetura, ne jemi gjithashtu të angazhuar për të vënë në funksionim proceset e nevojshme për monitorimin e angazhimeve të ardhshme dhe shmangien e grumbullimit të pagesave të prapambetura.
-Më tej, ne do të përmirësojmë procedurat e raportimit dhe aprovimit për urdhrat e prokurimit, veçanërisht për angazhimet financiare shumëvjeçare.
Klima e biznesit

– Klima e Biznesit është një faktor i rëndësishëm në fuqizimin e investimeve dhe qeveria është e përkushtuar të ndërmarrë një rol aktiv në reformat në këtë fushë.
-Ne planifikojmë të ndërmarrim një vlerësim të plotë të kuadrit rregullator për biznesin që do të ofrojnë një bazë për agjendën afat-mesme
-Një reformë e procedurave të regjistrimit të biznesit do të ketë prioritet të lartë.
-Ne gjithashtu planifikojmë një sërë reformash në sektorin bujqësor, që ne besojmë që ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar.
-Për mbrojtjen sociale, qeveria përpiqet të përmirësojë barazinë dhe efikasitetin e sistemit.
-Ne po zhvillojmë një iniciativë për të plotësuar përfitimet sociale me trajnim profesional me qëllim që të aftësohen përfituesit për të gjetur punë.

 

 

Shkurt 2014, tkurret sërish kreditimi për individë e biznese

Muajt e parë të këtij viti nuk po japin asnjë sinjal pozitiv për gjallërimin e kreditimit të ekonomisë në vend. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, kredia për bizneset dhe individët shënoi muajin e dytë radhazi me tkurrje në shkurt, që ka ardhur tërësisht nga tkurrja e kredisë për korporatat jo financiare në valutë. Stoku i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt ishte 540.7 miliardë lekë, duke rënë me 0.7% në krahasim me janarin e po këtij viti.

Në raport me fundin e 2013-s, kredia për ekonominë ka rënë me 1.3%, një fillim aspak premtues ky, pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë që ka ulur normën bazë të interesit në nivele minimum historike prej 2.75%, me synim uljen e kostos së lekut. Në fakt, në fund të shkurtit 2014, huaja në lekë ra me 0.46% në krahasim me një muaj më parë.

Me bazë vjetore (shkurt 2014/shkurt 2013), huaja për ekonominë ka rënë me 1.9%, duke ruajtur të njëjtat trende rënëse, që u konstatuan edhe gjatë vitit të kaluar, kur kredia për ekonominë shënoi rritje negative për herë të parë që nga fillimi i viteve 2000, kur sistemi bankar u pastruar nga kreditë e këqija të bankave shtetërore, ndërkohë që fillonte të hynte pasivisht kapitali i huaj.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency