Gjykatat e specializuara antikorrupsion

0
131

Nga Brikena Bogdo

 

Cili sistem drejtësie do të kopjohet? Këto ishin dilemat e fillim ‘90-ës. Ishte modeli i dështuar apo dëshira e dështuar për të përmbushur thelbin e demokracisë, shtetin ligjor; kjo do të mbetet enigma hamletiane “ta reformojmë apo të mos e reformojmë”? Të dyja u ngërthyen pazgjithshmërisht, duke humbur në një rrugë apolitike, antiligjore. Pas 20 vitesh, duhet të ndryshojmë formën e pyetjes: A ka shtetarë shqiptarë për të ndërtuar? A ka vizionarë për të parashikuar? A ka vullnet për ta ndryshuar? Më pas, vjen pyetja: Cilat sisteme do të ndjekim? Më pas: Cilat janë disa nga rrugët që sistemet e fuqishme të drejtësisë kanë zgjedhur për të ulur korrupsionin? Si do ta zgjidhim dhe si do ta reformojmë sistemin e drejtësisë?

Ndryshimet e pyetjeve modifikojnë edhe sjellje të ndryshme, por politika na ka zhytur në vorbulla dhe pyetje ekzistencialiste: janë sistemet që shndërrojnë individin apo individët që shndërrojnë sistemet!? Në rastin e revolucionarizimeve të shoqërisë, pyetja shndërrohet: A janë sistemet apo janë individët që bëjnë reformimin? Por, ekziston edhe një pyetje kyçe, e cila ngërthen në vetvete dhe është pikë reference për të gjitha pyetjet: Kush e pengon reformimin e drejtësisë apo, më saktë, ka interes që të mos reformohet? Dhe përgjigjja po qartësohet tashmë: politika.

Politika shqiptare, në vetvete, është peng i sistemeve korruptive, duke penguar seriozisht revolucionarizimin e tyre. Atëherë, shndërrohet në eminente vendosja e individëve të duhur, për të zgjedhur sistemet e duhura. Këtu, hyn në lojë koncepti i më të mirëve, koncept i domosdoshëm demokratik, i deformuar, në shoqërinë shqiptare. Pushteti funksionon, vetëm nëse ai është i aftë që të zgjedhë më të mirët. Në të kundërt, zbrazet, humbet sensin, shndërrohet në barrë për zgjedhësit dhe në pëlqim, vetëm për militantët, siç ndodh aktualisht në mjedisin shqiptar. Por, si shoqëria civile do të imponojë zgjedhjen e më të mirëve? Kjo është pyetje, që ende do të mbetet pa përgjigje për një kohë shumë të gjatë.

Faktori ndërkombëtar, duke u ndërgjegjësuar për misionin e pamundur të përzgjedhjes së më të mirëve ka synuar sistemin efikas. Kanë kaluar gati 6 vjet, kur Programi i Sfidës së Mijëvjeçarit paraqiti një projekt shumë ambicioz për reformimin e sistemit të drejtësisë, me moton: “Forcimi i zbatimit të ligjit, rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë”. Projekti, me shumë prej 15.7 milionë dollarësh, do të mbështeste reformat, në disa fusha: reformën në administratën tatimore, në licencimin e biznesit etj. Në sistemin e drejtësisë, synonte forcimin e shtetit ligjor, zvogëlimin e korrupsionit dhe rritjen e mbikëqyrjes nga publiku, nëpërmjet një nisme shumë konkrete, ngritjes së Gjykatës Administrative, si pjesë e një sistemi efikas. Përse ky projekt, i administruar nga USAID-i, e kërkoi luftën kundër korrupsionit, duke ngritur këtë Gjykatë?

Gjykata Administrative është një Gjykatë e specializuar, që gjykon çështje gjyqësore administrative, të cilat kanë të bëjnë me ankesat ndaj institucioneve publike. Kjo nismë u pengua në Parlament, deri në djegien e fondeve të qeverisë amerikane, asokohe. Kjo Gjykatë u ngrit, pas shumë përpjekjesh, 5 vite më vonë. Gjykatat e specializuara janë thelbi i sistemeve të fuqishme gjyqësore dhe i shteteve demokratike. Gjykatat e specializuara, me sa duket, do të jenë thelbi i antikorrupsionit, në një sistem drejtësie, aq të përfolur sa ai yni. Kjo është kuptuar pozitivisht nga faktori ndërkombëtar, që e nxiti, dhe negativisht, nga faktori politik shqiptar, që e bllokoi, deri më tash. Kjo Gjykatë, e ngritur, pas shumë bllokadash, ka një sukses, të padiskutueshëm.

Sistemi gjerman i drejtësisë është një nga sistemet më të suksesshme evropiane, që operon me gjykata të specializuara. Sistemi gjerman ka një nivel shumë të ulët korrupsioni. Ai ka kuptuar se infrastruktura ligjore apo sistemi ligjor efikas mundëson edhe zbatime ligjore efikase të ligjit. Infrastrukturë e duhur për zbatueshmërinë e duhur. Sistemet e fuqishme gjyqësore, në shtete të fuqishme, si p.sh. në Gjermani, jo vetëm nuk diskutojnë varësinë e gjyqësorit nga politika, por kanë arritur pavarësi edhe brenda përbrenda gjyqësorit apo krijimin e shumë gjykatave të specializuara, të specifikuara dhe të profilizuara, për fusha të ndryshme. Në Gjermani, krahas gjykatave të shkallës së parë dhe asaj të shkallës së dytë, funksionojnë edhe pesë gjykata të larta: ajo e punës, ajo ekonomike, financiare dhe ajo e përgjithshme.

Si pjesë e një sistemi efikas, këto gjykata të specializuara imponojnë shpejtësi në marrjen e vendimit, nga trupi gjykues, që njëkohësisht është një nga kyçet kundër korrupsionit. Zgjatja pafund, në kohë, midis marrjes së vendimit gjyqësor dhe zbardhjes së tij, ka sjellë spekulime, duke u hapur rrugë abuzimeve, si p.sh. rasti i gjyqtarit, që e vonoi një vit zbardhjen e vendimit dhe u krye një krim tjetër, ndërkaq nga i akuzuari. Kjo, sigurisht, ka ardhur nga një problem serioz i sistemit tonë juridik. Edhe në rastin më të mire, si tek Gjykata Kushtetuese, ku diferenca kohore nga vendimi, në zbardhjen e tij, është taksative tre muaj, gjithsesi, ky hark kohor është i kontestuar nga juristë me zë, të cilët arsyetojnë se kjo diferencë në kohë i hap rrugën korrupsionit.

Por më të sulmuarit në të gjithë sistemin tonë gjyqësor, janë vendimet joligjore. Edhe këtu, ku duket sikur roli i gjyqtarit (pra individi), është i padiskutueshëm, ai duhet t’i nënshtrohet një sistemi të fortë kontrolli. Në fakt, jurisprudenca njeh faktin, që vendimi juridik nuk preket, por mendimi juridik, po. Në vende me gjyqësor të fortë, si në Gjermani, kyçi i suksesit është pikërisht kontrolli i fortë tek arsyetimet e vendimeve. Sikur vetëm në një rast të vëzhgohet një gjyqtar, me një vendim joligjor, largohet menjëherë nga krejt sistemi. Ajo që ndërkombëtarët kritikojnë fort, tek sistemi ynë i drejtësisë, është kontrolli shumë i dobët i vendimeve gjyqësore. Për këtë, juristët hedhin ide që duhet një komision, që të kontrollojë në mënyrë shumë të rreptë, vendimet gjyqësore. Në Shqipëri, po ndodh që edhe vendimi i formës së prerë të preket, si shkak e pasojë i korrupsionit.

Në sistemin e drejtësisë një rol vendimtar luan gjyqtari dhe figura e tij profesionalisht dhe moralisht. Në sisteme të fuqishme, zgjedhja e gjyqtarit është nga më të rëndësishmet dhe nga më të vështirat. Figura e tij vlerësohet, jo vetëm në rrafshin profesional, por edhe atë personal, duke u vëzhguar me imtësi, si pjesë e karakterit dhe personalitetit të tij. Për përzgjedhjen e këtij gjyqtari, gjermanët kanë përcaktuar 40 pika, ku përfshihen familja, formimi, deri edhe mundësia e një sëmundje psikike apo rezultatet e tij. Pra, edhe sistemet më të fuqishme dhe efikase do të dështonin, nëse nuk zbatoheshin nga individët e duhur. Tri pika të rëndësishme për gjyqtarët, stazhi, kërkesat e forta në përzgjedhje dhe kontrolli i vendimeve të tij, ne i kemi që në ligj, dhe deri në zbatim krejt defektoz që i hap rrugë korrupsionit.

Nëse fillimisht sistemi bën individin, më pas është individi që bën sistemin. Në Austri, emërohet gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, pasi ka ushtruar funksionet, nga shkalla më e ulët, në më të lartën. Këtë pjesë, kaq të rëndësishme, ne nuk e kemi të përcaktuar në ligj. Kjo është pjesë e rëndësishme e stazhit dhe e profesionalizmit. Në Shqipëri, ne shohim gjyqtarë që kanë shkapërcyer, nga shkalla e parë e gjyqësorit, duke u katapultuar direkt në shkallët më të larta të sistemit. Ndërkohë, krejt sistemi ka rezultuar i paralizuar. Edhe në rastet me shkelje apo vendime të padrejta nga gjyqtarët, ata kanë shkuar në Prokurori, më pas në Parlament, i cili e ka mbyllur çështjen. Kjo varësi e gjyqësorit nga politika do të zhvlerësojë krejt sistemin juridik.

Me përballjen e sistemit inefiçent të drejtësisë, specialistët e fushës, por edhe publiku thellojnë pyetjet: A është mungesë vizionesh? Por, kryesisht pyetjet janë shndërruar në retorike. Është mungesë vullneti? Është mburojë për antipolitikë? Është pjesë e luftës ndaj kundërshtarit? Është e modifikuar për interesa klanorë dhe partiakë? Është ligj i hartuar për interesin e drejtpërdrejtë, vetëm të një politikani, i cili duhet të ndërtojë pa leje? Është keqpërdorur? Është përzgjedhur? Tashmë, për të gjitha pyetjet nuk volitet më përgjigje. Shkak-pasoja, pas disa dekadash, e ka kryer funksionin dhe rrugëtimin e saj.

Ne, sot, e vlerësojmë periudhën e Zogut, pasi ai konsolidimin e shtetit, kryesisht atë ligjor, e bëri në më pak se 15 vjet. Kanë kaluar, ndërkohë, gati 25 vjet, dhe ne ende jemi në kufijtë e margjinalizuar të një shteti evropian, ku nuk sundon ligji dhe e drejta, pasi kopjuam modele të dështuara. Ndërkohë, që edhe modelet që morëm, i shtrembëruam, apo i zbatuam, në mënyrë të shtrembëruar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency