Galaktikët kërkojnë hakmarrjen ndaj Dortmundit, Çelsi me përvojë ballafaqohet me PSG-në “e frikshme”

0
115

Skuadra madrilene përballet me gjermanët e Klopit, që sezonin e kaluar zhvilluan dy ndeshje të mrekullueshme, duke e eliminuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve

 Blutë e Murinjos, që janë më ekspertë në këtë kompeticion, matin forcat me parisienët, që janë më të fortë se kurrë

 

real borusiaLiga e Kampioneve do të na japë emocione edhe në mbrëmjen e sotme. Në sfidë janë dy ndeshje ku do të testohen forcat. Në njërin krah do të luhet sfida midis Realit të Madridit dhe Borusias së Dortmundit. Një ndeshje që ka shumë histori dhe hakmarrje. Dortmundi i bëri surprizën Realit gjysmëfinalen e kaluar, duke e eliminuar në momentin kur skuadra po kalonte formën më të mirë. Ndërsa Çelsi do të duelojë me parisienët, që ndryshe nga sezonet e kaluara kësaj radhe janë më të fortë dhe më të konsoliduar si ekip. Sfidat e para janë shumë të rëndësishme për të dyja ekipet, pasi do të tregojnë më mirë se kush është favoriti për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale.

 

 

Ibrahimoviç: Mundësia ime e fundit për të fituar Champions-in

Zllatan Ibrahimoviç beson se këtë vit e ka rastin më të mirë për ta fituar Ligën e Kampioneve. 32-vjeçari i ka fituar kampionatet e vendit me të gjitha klubet ku ka luajtur, mirëpo asnjëherë nuk e ka pasur fatin ta fitojë garën më të madhe evropiane për klube. “Mendoj se mundësia ime e fundit për ta fituar Ligën e Kampioneve është me Parisin, pasi kjo është kontrata ime e fundit në Evropë. Jemi në çerekfinale dhe luajmë ndaj një skuadre të shkëlqyer. Nuk kemi asgjë për të humbur dhe jemi relativisht të rinj në këtë garë, ndërkohë që Çelsi ka së paku dhjetë vite përvojë”, – u ka thënë Ibra në një intervistë.

 

 

Blank i përgjigjet Murinjos: Kujto Realin

Tekniku parisien Lorant Blank, ka reaguar ndaj deklaratave të Hoze Murinjos se kampionati francez është shumë i lehtë për kryeqytetasit. Menaxheri i Çelsit e ka nxehur atmosferën para ndeshjes çerekfinale të Ligës së Kampioneve, duke thënë se është lehtë të fitohet Liga 1 nga një klub si PSG, pasi kundërshtarët janë të dobët. Në kundërpërgjigjen e tij Blank e ka marrë shembull kampionatin spanjoll, ku portugezi e ka drejtuar Realin e Madridit dhe në tri sezone fitoi vetëm një titull të La Ligas. “Jam i sigurt se Hoze Murinjo e njeh mirë kampionatin francez. Janë dy klube vërtet të mëdha në Ligë 1 (PSG dhe Monako), por nëse më kujtohet mirë, mendoj se ishte e njëjta gjë për të në Spanjë, me Barcelonën dhe Madridin. Përgjigjja e vetme që duam të japim është që të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer dhe duam të dëshmojmë se Ligë 1 ka disa skuadra shumë të mira dhe disa lojtarë shumë të mirë”, – u shpreh francezi.

 

 

Humels: Reali nuk është në krizë

Qendrori i gjermanëve, Mats Humels, ka mohuar fjalët se Reali i Madridit është në krizë, në prag të sfidës çerekfinale të Ligës së Kampioneve të mërkurën. Pasi kaloi 18 ndeshje si i pamposhtur, Madridi pësoi dy disfata radhazi nga Barcelona dhe Sevilja, duke zbritur në vendin e tretë. Por, pavarësisht nga kjo, Humels e di se Reali vazhdon të gëzojë një formë të mirë. “E kam parë ndeshjen kundër Barcelonës. Ju nuk mund të flisni për krizë vetëm pas atij takimi. Reali i Madridit aspak nuk u dominua dhe ata kanë shumë lojtarë të klasit botëror. Por megjithatë, edhe mund të mposhten, nëse ju i dini dobësitë e tyre”, – ka thënë Humels. Mbrojtësi po ashtu ka paralajmëruar bashkëlojtarët të mos përqendrohen vetëm te Kristiano Ronaldo, pasi Reali i Madridit ka edhe shumë lojtarë të tjerë të rrezikshëm në sulm.

 

 

Ançeloti: Ronaldo, në top-formë

Temë e ditës në kampin madrilen janë vërshëllimat e tifozëve ndaj Ronaldos, por Ançeloti siguron se 29-vjeçari i ka harruar kontestimet e “Santiago Bernabeut”. “Ronaldo kishte një plagë të vogël në gju, por tashmë ai është mirë, i qetë dhe i motivuar. Mund t’ju siguroj se i ka harruar vërshëllimat e të shtunës. Bejl? Nuk do të luajë në mbrojtje, sepse kemi zgjidhje të tjera. Ai do të jetë si gjithmonë në fazën sulmuese. Sa i përket mungesës së Marcelos, kemi Koentraon, i cili luan në të njëjtin pozicion dhe ka të njëjtat karakteristika”. Në mungesë të Robert Levandovskit, sulmi i Dortmundit do të bazohet te Pierr-Emerik Obamejang, të cilin Ançeloti e ka njohur që kur ishte te Milani. “Borusias i mungon një lojtar shumë i rëndësishëm, Robert Levandovski. Ata mbrohen mirë dhe kundërsulmojnë rrezikshëm. Duhet të shfaqim të gjitha cilësitë tona, për të gjetur zgjidhjet më të mira. Obamejang? E njoh shumë, sepse e kam pasur te Milani. Ai po bën një karrierë fantastike dhe mund ta zëvendësojë shumë mirë Levandovskin”.

 

 

Trajneri i Portugalisë

Bento nxjerr para kohe listën e Botërorit

Trajneri i kombëtares së Portugalisë duhet të zbulojë pas pak kohësh listën përfundimtare të futbollistëve që do të marrë me vete në Botëror, por një muaj e gjysmë përpara zyrtarizmit të saj, në një darkë mes miqsh, Bentos jo vetëm që i ka shpëtuar sekreti i 23 të grumbulluarve të tij për në Brazil, por gjithashtu i ka shkruar emrat dhe një copë letër, përfshi edhe skemën. Dhe miqtë që po darkonin bashkë me të, e kanë tradhtuar, duke fotografuar fletën dhe duke zbuluar 24 emrat e përzgjedhur nga Bentoja, një më shumë sesa numri i lejuar për të grumbulluar në Botëror. Disa prej emrave në fakt diheshin, siç janë Ronaldo, Pepe apo Mutinjo. Ndërkohë, surpriza e vërtetë është Helder Postiga, i blerë në janar nga Lacio, por që deri në këto momente ka luajtur vetëm 25 minuta në Serinë A. Madje në listën e përpiluar nga Bentoja rezulton të jetë edhe titullar. Ndërkohë, në dyshim është Kuarezma, mbi emrin e të cilit është vendosur pikëpyetje, ashtu si dhe mbi emrat e Edinjos dhe Zhozuesë. Ndërsa në listë nuk mungojnë as Hugo Almeida, Varela, Amorim, Meirejes, Koentrao apo Bruno Alves, ashtu si dhe tre portierët Rui Patrisio, Beto e Lopes.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency