5-vjetori i Shqipërisë në NATO/ Nishani: Synimi i radhës, integrimi në BE. Aneksimi i Krimesë, precedent i rrezikshëm

0
113

Florenc Drizari

 

Presidenti: Me anëtarësimin në NATO Shqipëria përmbushi një synim strategjik

 

nishani dhe natoPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, organizoi dje një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Të pranishëm në këtë takim ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara Alexander Arvizu; drejtori për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore; ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli; kryetari i PD-së dhe i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha; ish-kryeministri Sali Berisha, përfaqësues të komuniteteve fetare etj. Me rastin e këtij përvjetori, Nishani theksoi se Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe se objektivi i radhës është integrimi i saj në BE. “Me anëtarësimin në NATO Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe objektiv parësor të politikës së jashtme. Integrimi në BE mbetet tashmë objektivi ynë parësor strategjik”. Ai vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme që Shqipëria bëri për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe kontributin që ajo po jep në stabilitetin rajonal dhe paqen në botë. “Falënderoj të gjithë aktorët politik dhe jo vetëm ata për kontributin që kanë dhënë në këtë proces. Siguria e çdo vendi dhe e një vendi të vogël si Shqipëria është e lidhur ngushtë me mbrojtjen kolektive që ofron NATO. Varet nga situata rajonale dhe preket nga ndryshimet globale. Shqipëria ka hyrë në mënyrë të merituar e vetëdijshme dhe e përgjegjshme që duhet të kontribuojë për sigurinë në nivel rajonal dhe paqen kudo në botë”, – tha Nishani.

 

KOSOVË-KRIME

 Duke folur për ngjarjet e fundit të ndodhura në Ukrainë, Presidenti Nishani dënoi aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke e quajtur një precedent të rrezikshëm që cenon stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.

“Aneksimi i Krimesë nga Rusia përbën një precedent që mund të ndikojë në stabilitetin afatgjatë në hapësirën evropiane dhe rreth saj. Ky aneksin brutal i Krimesë nga Rusia u realizua duke zbatuar politikën e faktit të kryer, duke përdorur politikën e shantazhit dhe të forcës, në shkelje të marrëveshjeve të realizuara nga vetë Rusia në të drejtën ndërkombëtare”, – deklaroi kreu i shtetit. Gjithashtu, Presidenti foli edhe për krahasimet që i janë bërë rastit të Krimesë me atë të Kosovës nga Presidenti rus, Putin. “Krahasimi me Kosovën është një përpjekje e dobët. Pavarësia e Kosovës erdhi si pasojë e shpërbërjes së dhunshme e jokonsensuale të ish-Jugosllavisë e që u shoqërua me spastrim etnik nga regjimi i Millosheviçit pas përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës, dështimi i të cilave falë mungesës së vullnetit të tij, e bëri të pashmangshme ndërhyrjen ndërkombëtare për të shpëtuar ekzistencën e një populli dhe paqen në rajon”, – tha Nishani. Më herët para tij, foli ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Alexander Arvizu, i cili mbështeti rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO, si dhe lexoi një letër të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, që vlerësonte vendet e reja që u bënë pjesë e kësaj organizate politiko-ushtarake, ku një ndër këto vende u bë edhe Shqipëria me të drejta të plota në vitin 2009-të.

 

 

 

Takimi me Moore-in/Shqipëria, për krah SHBA-së në qëndrimet ndaj Rusisë

 Gjatë takimit që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi paraditen e së martës me drejtorin për Evropën Juglindore në Departamentin amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, theksoi se krahasimi i rastit të Krimesë me atë të Kosovës është një alibi e dobët dhe se Shqipëria nuk do t’i përkrah qëndrimet e Rusisë. Kreu i shtetit, duke u ndalur në ecurinë e procesit të integrimit, theksoi se arritjet e deritashme, ambiciet e qeverisë dhe mbështetja e partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara janë bazë për suksesin tonë, duke shtuar, gjithashtu, se ka besim që Shqipëria do të bindë me fakte partnerët evropianë për të marrë statusin e vendit kandidat në qershor. Nga ana e tij, zyrtari i lartë amerikan, Moore, u shpreh se kontributi dhe sakrificat shqiptare për paqen dhe sigurinë çmohen lart nga administrata amerikane dhe vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë për zhvillimet e fundit në Ukrainë, duke e cilësuar aneksimin e Krimesë si të papranueshëm dhe një precedent kërcënues për vende të tjera në rajon.

 

 

  PD: Rama emëron drejtor të pandehurin për shpërdorim detyre

Partia Demokratike vijon denoncimin e punonjësve të administratës që janë emëruar në periudhën e qeverisjes socialiste dhe që rezultojnë me precedentë penalë. Zëdhënësja Vorpsi denoncoi emërimin në krye të Kovalishencës të personit që është në gjykim për shpërdorim detyre, si shkelje standardi dhe presion ndaj drejtësisë.

“Edi Rama e nisi detyrën duke hartuar një kod etike për funksionimin e qeverisë, por ai vetë është në praktikë një shkelës i përsëritur i etikës. Cili është kodi etik që ka përdorur Edi Rama me emërimin e Roni Shqopës, në detyrën e drejtorit të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme ose, siç njihet ndryshe, Kovalishenca e Durrësit, kur ky i fundit është marrë i pandehur nga drejtësia për shpërdorim detyre dhe aktualisht është nën proces gjyqësor. Teksa pritet seanca e radhës e gjyqit, që është vendosur me datën 9 të këtij muaji, qeveria e Edi Ramës i ka dërguar një sinjal të fortë edhe gjykatës duke e emëruar të pandehurin, drejtor në Ministrinë e Brendshme. Ky është një skandal i rëndë dhe një shkelje me të dy këmbët e standardeve më minimale të një shteti”, – thuhet në deklaratën e zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi. Sipas saj, Edi Rama jo vetëm nuk pret fjalën e drejtësisë, por i bën asaj presion duke i imponuar mbështetjen e hapur Kryeministrit për një ta pandehur.

 

 

Kreu i SHISH-it merr certifikatën e sigurisë, gati raportimi para Sigurisë

 Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, mësohet se është pajisur me certifikatën e sigurisë. Pas marrjes së këtij dokumenti, kreu i SHISH-it pritet të kthehet javën tjetër në Kuvendin e Shqipërisë për të raportuar, duke kaluar barrierat që ia ndaluan një hap të tillë. Tashmë, kreu i shërbimeve inteligjente shqiptare është i pajisur dokumentin që pritet t’i hapë atij rrugën për të raportuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Më herët raportimi i tij para ligjvënësve shqiptarë u shty për shkak të skadimit të afateve të certifikatës së tij të sigurisë. Për këtë çështje pati shumë debate në Kuvend mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Deputetët e shumicës parlamentare theksuan se nëse kreu i SHISH-it do të vononte në marrjen e dokumentit të sigurisë, atëherë një grup pune do të inspektonte nga afër punën e këtij komisioni. Iniciativa u mor nga deputeti i PS-së, Piro Lutaj, i cili kërkoi ngritjen e një grupi prej pesë deputetësh për të verifikuar brenda institucionit të SHISH-it, dyshimet e hedhura në media për emërimet në këtë institucion si dhe mbikëqyrjen e disa prej drejtuesve të policisë në qarqe të vendit. Nga ana e tyre, anëtarët e opozitës kanë deklaruar se çdo inspektim në ambientet e shërbimit informativ është një presion i hapur politik që i bëhet punës së këtij informacioni.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency