Kolegj femrash parë prej jashtë

0
138

Virginia Woolf

 

31  mars Joshua Reynolds Anne Dashwood 1764Hëna pendëbardhë nuk e la kurrë qiellin në errësirë; gjithë natën gështenjat e lulëzuara dukeshin të bardha në jeshile dhe majdanozi i egër dukej i zbehtë në livadhe. Era e fushave të Kembrixhit nuk arrinte dot deri në Tartari apo Arabi, por përfundonte ëndërrueshëm në mes të reve gri-blu mbi çatitë e Njunhamit. Atje, në kopsht, kur i duhej hapësirë për t’u endur, mund ta gjente mes pemëve; dhe meqenëse asgjë përveç fytyrave të grave nuk do të ndeshte me të, ajo mund ta zbulonte fytyrën ashtu, të zbrazët, pa tipare dhe të kallte shikimin ndër dhoma ku në atë orë, – të zbrazëta, pa tipare, qepallat e bardha mbi sytë, duart pa unaza shtriheshin ndër shtroje, ku flinin gra të panumërta. Por një dritë ende digjte aty-këtu.

Një dritë të dyfishtë mund të dalloje në dhomën e Anxhelës, të shihje sa e shkëlqyeshme ishte vetë Anxhela dhe sa i ndritshëm kthehej pasqyrimi i saj nga pasqyra e rrumbullakët. Tërësia e saj ishte përsosmërisht e përvijuar – ndoshta shpirti. Sepse pasqyra tregonte një imazh të palëvizshëm – të bardhë e të artë, pantofla të allta, flokë të çelur me gurë blu në ta dhe kurrfarë pllaquritjeje apo hijeje që mund të thyente puthjen e patrazuar të Anxhelës dhe pasqyrimin e saj, mu sikur të ishte e lumtur që (kjo pasqyrë) ishte Anxhela. Gjithsesi, çasti ishte i lumtur që figura e ndritshme varej në zemër të natës, faltorja thellohej në errësirën nokturne. E megjithatë, e çuditshme është kjo provë e dukshme e drejtësisë së gjërave; ky zambak që pluskon mrekullishëm mbi gjolin e Kohës, i patrembur, sikur kjo të ishte e mjaftueshme – ky pasqyrim. Ç’meditim ka tradhtuar ajo me një rrotullim dhe pasqyra nuk kishte më ç’të mbante, apo vetëm shtratin prej tunxhi dhe ajo, që vraponte sa andej-këndej, duke përkëdhelur, duke u sulur vrik, u bë si një grua në shtëpi, dhe ndryshoi sërish, duke mbledhur buzët mbi një libër të zi dhe duke shenjuar me gishtin tregues atë që padyshim nuk mund të ishte një arritje e palëkundshme e shkencës së ekonomisë. Vetëm Anxhela Uilliams kishte ardhur në Njunham me qëllim që të nxirrte jetesën, dhe nuk mund t’i harronte as në çastet e adhurimit pasionant çeqet e të atit në Suansi; nënën e vet që lante pjata në kuzhinë; veladonët bojë trëndafili të nderë në tel; shenjat që edhe zambaku madje nuk pluskon më i patrazuar mbi gjol, por ka një emër mbi pusullë si të tjerët.

A. Uilliams – mund të lexojë ndokush në dritën e hënës; dhe ndanë tij ndonjë Meri ose Eleonorë, Mildred, Sara, Fibi mbi pusulla katrore në dyert e tyre. Të gjithë emra, hiç më shumë se emra. Drita e bardhë e freskët i thau dhe i ngriu ato aq sa dukej se i vetmi qëllim i gjithë këtyre emrave ishte te ngriheshin heroikisht në mënyrë që të thirreshin në ndihmë për të shuar ndonjë zjarr, për të shtypur ndonjë kryengritje apo për të kaluar ndonjë provim. E tillë është fuqia e emrave shkruar mbi pusulla, mbërthyer me kunja mbi derë. Po i tillë është edhe përngjasimi, i tullave, korridoreve, dhe dyerve të dhomave të gjumit me baxhon ose manastirin, vende izolimi dhe disipline, ku tasi me qumësht është i freskët dhe i pastër dhe ku teshat lahen për mrekulli.

Bash në atë çast një e qeshur e butë u dëgjua pas një dere. U dëgjua gongu i një ore tingullngrirë – një, dy. Tani, sikur ora të lëshonte urdhra, ato të gjitha do të nënvleftësoheshin. Zjarri, revolta, provimi, të gjithë u mbuluan si me borë nga e qeshura, apo u çrrënjosën butësisht, tingulli dukej sikur po pluskonte në sipërfaqe nga thellësitë dhe valëviste butësisht tej orën, rregullat, disiplinën. Shtrati ishte mbuluar me letra. Selli ishte në dysheme. Helena në karrige. Berta e urtë fërkonte duart ndanë oxhakut. A. Uilliams hyri duke gogësirë.

‘Se është krejtësisht dhe pashmangshmërisht e neveritshme,’ tha Helena.

‘E neveritshme,’ përsëriti pas saj Berta. Pastaj gogësiu.

‘Ne nuk jemi eunukë.’

‘E pashë të përvidhej në portën e pasme me atë kapelën e vjetër në kokë. Ato s’duan që ne ta marrim vesh.’

‘Ato?’ tha Anxhela. ‘Ajo.’

Pastaj qeshën.

Letrat u shpërndanë, duke u hedhur me fytyrat e kuqe dhe të verdha në tavolinë, dhe duart bubërronin mes letrave. Berta e urtë, me kokën përkulur kundruall karriges, psherëtiu thellë. Sepse ajo më mirë do të kishte zgjedhur gjumin, por meqenëse nata është një kullotë e lirë, një fushë e pakufishme, meqenëse nata është pasuri e patrazuar, duhet patjetër të futesh thellë në errësirën e saj. Duhet ta varësh si stoli. Nata ndahej fshehtazi, dita kullotej nga e gjithë tufa. Të verbërit ishin zgjuar. Mjegulla endej në kopsht. Ulur në dysheme ndanë dritares (ndërsa të tjerat luanin letra), trupi, mendja, të dy bashkë, dukeshin si të hedhur në ajër, për t’u zvarritur përmes shkurreve. Ah, por ajo dëshironte të shtriqej në shtrat e të flinte! Ajo besonte se askush s’mund ta kuptonte dëshirën e saj për gjumë; ajo besonte modestisht – gjumërisht – me lëvizje pohuese dhe miratime të papritura, që njerëzit e tjerë e kishin syrin bakërr. Kur qeshën të gjitha bashkë, një zog cicëriu në gjumë jashtë në kopsht, mu sikur e qeshura…

Po, mu sikur e qeshura (sepse tani ajo po kotej) të kishte pluskuar jashtë më së shumti si mjegull dhe të ishte ngjitur me copëra të buta elastike pas bimëve dhe shkurreve, ndaj dhe kopshti ishte i avullt e i mjegullt. Dhe më pas, fshirë tej nga era, shkurret do të përkuleshin dhe avulli i bardhë do të fluturonte sipër kësaj bote.

Nga të gjitha dhomat ku flinin femrat, dilte ky avull, që ngjitej pas kaçubave si mjegull dhe pastaj frynte lirshëm jashtë në ajër të hapur. Flinin të moshuarat, të cilat pas zgjimit të menjëhershëm do të rrëmbenin thuprën e fildishtë në zyrë. Tani të qeta e të pangjyra, duke pushuar thellë, ato prehen të rrethuara, prehen të përkrahura nga trupat rinorë të mbështetur apo mbledhur në dritare; duke hedhur tej në kopsht këtë të qeshur pluskuese, këtë të qeshur të papërgjegjshme: këtë të qeshur mendjeje dhe trupi që pluskon larg rregullave, orëve, disiplinës: jashtëzakonisht pjellore, e prapë të paformë ende, kaotike, duke zvarritur shmangur e grumbulluar copëra avulli në shkurrishtat e trëndafilave.

“Ah”, frymëmori Anxhela, në këmbë ndanë dritares më fustan nate. Ndihej dhimbje në zërin e saj. Nxori kokën jashtë. Mjegulla ishte ndarë në mes mu sikur zëri i saj ta kishte ndarë. Në kohën kur të tjerat luanin, ajo kishte biseduar me Elis Ejvërin, për Kështjellën Bamborou; për ngjyrën e rërës mbrëmjeve; mbi të cilën Elisa kishte thënë se o të ulej të shkruante dhe kishte caktuar ditën, në gusht, dhe pasi u përkul, e puthi, ose të paktën i preku kokën me dorë, dhe Anxhela, pa qenë në gjendje të rrinte ulur palëvizur, sikur dikush të zotëronte ndonjë det gjithë tallaz në zemrën e saj, endej poshtë e lart nëpër dhomë (dëshmitare e një skene të tillë) duke tundur krahët fort për t’u lehtësuar nga ky ngazëllim, kjo tronditje nga përkulja e pabesueshme e pemës mrekullibërëse me frutin e artë në majë – a nuk ia kishte hedhur në duar? Ajo e mbante të përndezur në gjinj, diçka që nuk duhej prekur, menduar, apo folur rreth saj, por duhej lënë të shkëlqente atje. Dhe pastaj, duke vënë ngadalë aty çorapet, aty pantoflat, duke palosur zhuponin me kujdes, Anxhela, ose përndryshe e thirrur Uilliams, kuptoi – si mund ta shprehte? – se pas përzierjes së errët të viteve të pafund, ja ku shihej dhe drita në fund të tunelit; jetë; bota. Poshtë saj gjendej – e gjitha e mirë; e gjitha e adhurueshme. Siç ishte dhe zbulimi i saj.

Vërtet, si mund ta ndjeje habinë nëse, ashtu e shtrirë në shtrat, ajo s’mund t’i mbyllte sytë? – diçka ia mbante të pambyllur në mënyrë të parezistueshme – nëse në errësirën e përciptë karrigia dhe komoja me sirtarë dukeshin hijerënda, dhe pasqyra dukej e çmuar me aludimin e përhimtë të ditës? Me gishtin e madh në gojë si fëmijë (kishte mbushur nëntëmbëdhjetë vjeç nëntorin e shkuar), ajo rrinte shtrirë në këtë botë të mbarë, në këtë botë të re, në këtë botë në fund të tunelit, gjerkur dëshira për ta parë ose për t’i paraprirë e yshti të ngrihej, të hidhte tej shtrojet, të drejtohej në dritare dhe ç’prej aty, me vështrimin jashtë mbi kopsht, ku prehej mjegulla, me të gjitha dritaret hapur, diçka e kaltër përshkënditëse që mërmërinte tej në largësi, bota sigurisht, dhe mëngjesi që po avitej, ‘Oh,’ rënkoi ajo, si t’i therte diçka.

Përktheu: Elvana Zaimi

Nga vëllimi me tregime “Njolla në mur”, botimet “Skanderbeg Books”, 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency