Ekskursioni në Shpellën e Pëllumbasit/ Asnjë gjurmë, mbyllen kërkimet, nuk gjendet 18-vjeçari

0
123

Anxhela Tato

 

 

Kreu i Komunës Bërzhitë: Nuk ishim në dijeni të udhëtimit, nuk morën leje

 Organizatori Ili Gërdupi pyetet në polici: I kërkova të bashkoheshin, nuk mbaj përgjegjësi për çdo lëvizje

 

erjon alizotiEnde asnjë gjurmë nga 18-vjeçari Erjon Alizoti, i cili ra pasditen e së dielës në ujërat e lumit Erzen gjatë një ekskursioni në Shpellën e Pëllumbasit. Njësia e polumbarëve të RENEA-s, policia lokale por edhe vetë banorë dhe familjarë kanë nisur në orët e para të mëngjesit të djeshme kërkimet përgjatë rrjedhës së lumit Erzen. Sipas policisë kërkimet u fokusuan në kontrollin e rrjedhës së lumit në segmentet e cekëta, ndërsa nëse do shikohet nevoja, do të ketë edhe zhytje të polumbarëve për të parë në thellësi. Forcat RENEA dhe polumbarët ndërprenë dje kërkimet për shkak të errësirës, pas operacionit të zhvilluar për gati 6 orë, prej orës 14.30 kur humbi i riu, deri në orën 20.00. Nga forcat RENEA dhe polumbarët që kryen operacionin e kërkimit, mendohet se 18-vjeçari mund të ketë rrëshqitur aksidentalisht nga bregu i lumit, teksa po lante duart. Të pranishëm gjatë gjithë operacionit ishin dhe prindërit e 18-vjeçarit të humbur. I riu bashkë me grupin mbi 50 veta ishin organizuar në rrjetin social “Facebook”, nga “Rrjeti i Vullnetarëve Shqiptarë”. Erjoni u rrëzua bashkë me një djalë tjetër, i cili fatmirësisht arriti të shpëtohej nga pjesëtarët e tjerë të grupit, ndërsa fati i 18-vjeçarit mbetet ende mister. Policia njoftoi se do të procedojë penalisht organizatorët e këtij ekskursioni për mos krijimin e kushteve të sigurisë e grupit të të rinjve. Burime nga policia bëjnë me dije se ka qenë një vajzë e cila ka denoncuar ngjarjen. Ajo ka qenë në grup me dy djemtë, të cilët janë distancuar nga pjesa tjetër duke iu afruar rrjedhës së lumit. Të rinjtë kanë qenë të ndarë në grupe prej 5-6 personash dhe gjatë gjithë kohës kishte komunikime me udhërrëfyesit.

 

Kreu i Komunës

 Kryetari i Komunës Bërzhitë, Genc Drita, shprehet se për të zhvilluar ekspeditën në Shpellën e Pëllumbasit duhet të merrej leje në mënyrë që komuna të garantonte udhërrëfyes për arsye sigurie. Ai shpjegon se çdo vit kjo shpellë vizitohet nga mijëra persona, por asnjëherë nuk ka ndodhur një rast i tillë. Drita thekson se ngjarja ka ndikuar në krijimin e një imazhi të keq për zonën. “Bashkohem me dhimbjen e familjes së të riut”, – shprehet kreu i Komunës Bërzhitë. Ai bën me dije se komuna ka investuar për hapjen e shtegut që të çon tek shpella dhe thekson se organizator nuk kanë paguar asnjë lek për të hyrë në të. “Ata mashtrojnë kur thonë se kemi paguar 50 lekë të reja”, – shprehet Drita. Kërkimet rinisën paraditen e djeshme. Ato u përqendruan në vendin e quajtur Skurran, 30 metra poshtë Shpellës së Pëllumbasit, me shpresën për të gjetur 18-vjeçarin. Erjon Alizoti kishte shkuar për ekskursion me një grup shokësh, por pasditja e projektuar për argëtim nuk shkoi ashtu për ta. Paraprakisht thuhet se Erjon Alizoti ka rënë aksidentalisht, gjithsesi të gjithë pjesëtarët e grupit dhe dëshmitarët okularë do të rrëfejnë për ngjarjen.

 

Organizatori

 Pas dëshmisë së dhënë në komisariat, Ili Gërdupi, organizatori i ekskursionit, mohon kategorikisht faktin se ndodhej në vendin ku ranë 2 të rinjtë, teksa rrëfen edhe çastin kur grupi i dytë është ndarë. Gjithashtu 18-vjeçari në deklaratën e tij dhënë në ambientet e komisariatit nr. 1, pas dhënies së dëshmisë, është lënë i lirë dhe mohon se ai është shoqëruar në polici. “U komunikova që të bashkoheshin me ne, por nuk na dëgjuan. Përgjegjësia ime qëndron vetëm në instruktimet dhe këshillat që u japim atyre që na bashkohen, por nuk mund të marrim dot përsipër lëvizjet dhe dëshirat e të gjithëve”, – mësohet të ketë deklaruar Gërdupi. Ndërkaq, pritet që në këtë komisariat të thirren edhe pjesëtarë të tjerë nga grupi prej më shumë se 50 veta për të përcaktuar lëvizjet e secilit, para dhe pas ngjarjes. Kërkimet nga RENEA dhe polumbarët, për gjetjen e Erjon Alizotit, mbaruan rreth orës 18:30, për shkak të errësirës, për të vijuar ditën e nesërme.

 

 

Shijak

Atentat biznesmenit Ilir Hoxha, i skeduar nga policia

Plagoset me armë zjarri në hyrje të banesës biznesmeni durrsak Ilir Hoxha, personazh i skeduar më parë nga ana e uniformave blu. Nga të dhënat paraprake mësohet se është e rëndë gjendja shëndetësore e 45-vjeçarit, i cili ka marrë disa plagë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur 4 Rrugët e Shijakut rreth orës 21: 30 të mbrëmjes. Burime nga policia thanë se është plagosur Ilir Hoxha, 45 vjeç, pronar i të paktën 5 bizneseve në Durrës, si dhe person me precedent penalë, i cili ishte skeduar më parë nga policia. Në momentin e krimit biznesmeni po zbriste nga automjeti tip “BMW” dhe i ishte drejtuar shtëpisë. Autorët kanë pritur këtë moment dhe duke shfrytëzuar errësirën kanë qëlluar në drejtim të 45-vjeçarit. Mësohet se atentatorët janë larguar me shpejtësi me një motor dhe mbanin kasketë. Kanë qenë fqinjët, të cilët kanë njoftuar policinë për krimin. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet, të cilat janë të përqendruar në të kaluarën e Hoxhës, ku larja e hesapeve mes grupeve rivale dyshohet si shkaku më i fortë, ndonëse nuk përjashtohet mundësia e ndonjë konflikti të momentit. Ndërsa pritet marrja në pyetje e familjarëve të 45-vjeçarit, nëse i afërmi i tyre ka pasur kërcënime ose probleme. Dyshimet e policisë janë të konfliktet ose konkurrenca për shkak të bizneseve, por nuk lihet mënjanë as e kaluara e biznesmenit, i cili ka qenë i skeduar për blutë.

 

Tiranë

Aksidentoi 2 persona, pranga efektivit të policisë

 Është arrestuar një punonjës policie të Rrogozhinës, pasi ditën e premte në gjendje të dehur ka përplasur me makinë dy persona. Sipas policisë: “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë të rolit bazë, Ramadan Zeqo, me detyrë specialist i Hetimit dhe Parandalimit të Krimeve në Stacionin e Policisë Rrogozhinë”. Mbi policin rëndojnë dy akuza, ajo për “Shkelje të Rregullave të Qarkullimit Rrugor” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Ndërkohë, të premten në aksin rrugor Pompat – Çermë në Lushnjë, specialisti i Hetimit dhe Parandalimit të Krimeve Ramadan Zeqo, duke drejtuar automjetin me targë DR 4134 B, ka humbur kontrollin e mjetit dhe si pasojë ka goditur një grup këmbësorësh prej 5 vetash, duke dëmtuar shtetasit D. M. dhe A. D. Pas kryerjes së testit për alkool, rezultoi se punonjësi i policisë kishte konsumuar pije alkoolike tej normave të lejuara.

 

 

Vlorë

Zbulohen parcela me 500 rrënjë kanabis

 Zbulohen dhe asgjësohen në periferi të Vlorës dy parcela të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa. Sipas policisë, bëhet fjalë për një sipërfaqe të mbjellë me 500 rrënjë kanabis në vendin e quajtur Lera e Zezë në fshatin Akerni të komunës Novoselë në Vlorë. Ky është rasti i parë i kultivimit të kanibisit i zbuluar nga policia për këtë vit. Zona ku janë mbjellë rrënjët e kanabisit është rreth 10 kilometra larg Novoselës. Për të përftuar parcelën dhe fshehtësinë e saj, autorët kanë prerë pemët dhe pastruar shkurret e pyllit një sipërfaqe rreth 100 metra katrorë, dhe kishin punuar dhe plehëruar tokën. Në të njëjtën parcelë është gjetur edhe serë e mbuluar me plastmasë ku ishin kultivuar kubikët e kanabisit për të përftuar fidanët për mbjellje nga farërat. Sipas policisë, autorët kanë pasur muaj të tërë përgatitjeje, janë kujdesur për të nxjerrë fidanët, i kanë vaditur dhe i kanë ruajtur dhe kultivuar ato.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency