Djajtë e Mançesterit në sprovën e së vërtetës kundër zotërve të Bajernit të Mynihut

0
127

BajernEkipi anglez nuk gjendet në formën më të mirë të mundshme dhe problemet me skuadrën do të ndikojnë në përballjen ndaj gjermanëve

 

Ekipi i Guardiolës, edhe pse në letër është shumë i fortë, e konsideron këtë sfidë të vështirë, sidomos kur flitet për përballje në “Old Traford”

 

 

 

 

 

Këmbanat e Ligës së Kampioneve “ndizen” sot në mbrëmje. Tashmë faza e kampioneve të Evropës ka hyrë në një sfidë shumë të rëndësishme ku spektakli dhe emocionet janë më të mëdha. Dy nga sfidat e rëndësishme të këtyre çerekfinaleve janë ato midis Barcelonës dhe Atletiko Madridit, ndërsa në Angli Mançester Junajtid sfidon Bajernin e Mynihut, që është dhe kampioni në fuqi. Përballja midis gjermanëve dhe anglezëve është një ndër klasiket historike të Evropës. Historia e madhe e tyre i ka sjellë kokë më kokë disa herë në këtë kompeticion të dyja klubet, ku në ndeshjet e luajtura ka pasur shumë histori. Të dyja klubet në këto momente vijnë nga linja shumë të ndryshme. Në Gjermani Bajerni është shpallur kampion një javë më parë dhe tashmë duket se fokusin më të madh e ka në Champions. Nga barazimi ndaj Majncit u pa që Guardiola kishte vendosur që të linte pushim disa lojtarë, duke lënë më së miri të kuptohet qëllimi i teknikut spanjoll. Sfidanti i fazës së mëparshme i bavarezëve ishte Arsenali. Një skuadër tjetër angleze që gjendet më mirë se Junajtid në klasifikimin e Premier Ligës. Mirëpo në 180 minutat e luajtura ekipi gjerman vuajti vetëm 20 minutat e para të sfidës në Londër. Më pas pjesa tjetër tregoi më së miri se cila ishte skuadra që mbizotëronte duke e marrë lehtë kualifikimin. Humbja e fundit e Bajernit të Mynihut daton më 2 tetor 2012 ndaj BATE Borisov 1-3. Ndërsa Mançesteri nuk është ai i dy apo tri viteve më parë, kur trembte çdo skuadër evropiane. Para tri vitesh ishin “djajtë e kuq” ata që ishin favoritë në letër përballë bavarezëve, edhe pse u eliminua ekipi i drejtuar atëherë nga Fergusoni. Ndërsa tashmë skuadra e marrë në dorëzim nga Mojesi po përjeton një makth të vërtetë. Në kampionat skuadra është shumë larg objektivave për titull dhe rrezikon që të mbetet edhe larg zonës së Champions-it për sezonin tjetër. Në fazën e mëparshme britanikët sfiduan grekët e Olimpiakosit. Një përballje shumë e vështirë për ekipin e Mojesit, që e pa veten në disavantazh në sfidën e parë të luajtur në Greqi, ku u mposht 2 me 0. U desh një “hat trik” i Van Persit dhe shumë fat për të kaluar në çerekfinale. Tashmë ata gjenden në një sfidë shumë të vështirë përballë ekipit që është i pamposhtur.

 

Roben: Goli i shënuar ndaj Junajtidit, i veçantë

 

Njeriu, i cili i dha kualifikimin herën e fundit ndaj Junajtidit në vitin 2010, ka qenë Roben, i cili shënoi golin e dytë për Bajernin (3-2). Një gol fantastik, shumë spektakolar që erdhi nga këmbët e holandezit pas krosit të kroatit Oliç. “Kam nostalgji për atë gol dhe atë sfidë. Të shënosh në atë stadium është trofe më vete”, – u shpreh Arjen Roben.

 

Mata: Nuk kemi frikë nga Bajerni

 

Huan Mata ka deklaruar se Mançester Junajtid nuk ka frikë nga Bajerni i Mynihut në prag të ndeshjes së parë çerekfinale të Champions League që do të zhvillohet sot  në “Old Trafford”. “Bajerni është shumë i fortë, por Junajtid nuk ka frikë askënd. E marta është dita kur ne duhet të tregojmë se jemi në gjendje të fitojmë Champions-in”, – tha lojtari spanjoll i “djajve të kuq” në blogun e tij personal. “E dimë që aktualisht nuk jemi aty ku duhet në kampionat, por kemi rastin të rregullojmë gjithçka në sytë e tifozëve tanë”, – shtoi Mata.

 

Box

“Daily Mail”: Bajerni në Angli për Januzajn

 

Bajerni i Mynihut ka hedhur sytë nga ylli shqiptar i Mançester Junajtidit, Adnan Januzaj. Ky është lajmi që u dh dje nga e përditshmja britanike “Daily Mail”. Kampionët e Gjermanisë dhe Evropës do të përballen sot në “Old Trafford” me Mançester Junajtidin për çerekfinalen e parë të Ligës së Kampioneve, ku drejtuesit bavarezë do të monitorojnë edhe talentin 19-vjeçar. Ditë më parë edhe Paris Sen Zhermeni bëri një ofertë për Januzajn, i cili në tetor firmosi në prani të teknikut Devid Mojes një kontratë 5-vjeçare. Bajerni i Mynihut, i cili po monitoron edhe mbrojtësin e Çelsit, David Luiz, po kërkon lojtarin ideal për të zëvendësuar Arjen Robenin dhe Frank Riberinë, që të dy i kanë kaluar të 30-at. Bavarezët nuk kanë bërë ende një ofertë zyrtare për shqiptarin e lindur në Belgjikë, por sipas “Daily Mail”, interesimi i tyre është i madh.

 

Kuotimi sipas pikave të basteve

 

Edhe pika e bastit janë një tregues i mirë se si do të shkojë sfida, edhe pse shumë herë ka surpriza. Kështu, gjigandi i basteve “Bet 365” i jep një koeficient prej 7.00 Mançesterit që të fitojë sfidën. Ndërsa në të njëjtat kuota qëndrojnë edhe pikat e tjera. Kurse për Bajernin koeficienti është shumë më i ulët. Parashikimi që Bajerni të fitojë sfidën është 1.50, që tregon më së miri edhe rrugën se si do të shkojnë gjërat.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency