Standard.al

Tri ditë pas vdekjes/ Familjarët tërheqin kufomën, trupi i Ilia Karelit mbërrin në Zhupan

Sonja Caka

 

Sot ceremonia mortore në Fier. Në Greqi vijojnë hetimet për zyrtarë, gardianë dhe hetues. Pas 20 ditësh përfundimi i analizës histologjike dhe toksikologjike

 

ilir kareliiiiiNuk mundi ta shihte të gjallë, pas 12 vitesh i vjen i vdekur në shtëpi. Jo për shkaqe natyrale siç u deklarua në fillim, por i rrahur për vdekje. Më në fund, ndonëse jo i gjallë, Ilia Kareli erdhi pranë nënës së tij, takimi me të cilën ka qenë edhe shkaku i rebelimit që e çoi në vrasjen e gardianit grek, babai i dy fëmijëve. Rebelim tragjik që do i kushtonte edhe jetën e tij. Trupi i pajetë i Ilia Karelit, i njohur edhe me emrin Kudret Kume në vendin e tij të lindjes, Zhupan i Fierit, ka mbërritur paraditen e djeshme në Kakavijë dhe në orët e pasdites në banesën e tij. Arkëmorti me trupin e 40-vjeçarit është shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa në pikën kufitare të Kakavijës u prit nga familjarët e tij, për t’u dërguar më pas drejt Zhupanit, ku dhe do të organizohej ceremonia e lamtumirës. Sipas burimeve mediatike të shtetit fqinj, familjarët dhe avokati e morën trupin e të ndjerit nga morgu i spitalit të Serresit në Greqi, rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, ndërsa mësohet se rreth orës 18:30 ka mbërritur në fshatin Zhupan të Fierit, ku do të organizohet ceremonia mortore.

Hetimi

Hetimet për vdekjen e Ilia Karelit vijojnë intensivisht dhe kjo çështje do të hetohet deri në imtësi. Madje, mediat greke deklarojnë se në mikroskop do kalojë çdo detaj, që nga momenti i ngjarjes së vrasjes së gardianit nga kareli deri në momentin që vetë ky i fundit u gjet i pajetë në qelinë e tij të izolimit. Mediat greke bëjnë me dije se sekreti i kësaj vdekjeje fshihet në 24 orët nga momenti i vrasjes së gardianit nga Kareli derisa është çuar në gjykatë. Pra, do kontrollohen me detaje filmimet e burgut të Malandrinos, pasi dyshimet bien pikërisht mbi gardianët e këtij burgu të cilët dyshohet se e kanë rrahur për vdekje me shkopinj gome në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së shokut të tyre. Hetimit nuk do i shpëtojnë as hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët kanë neglizhuar dhunën e dukshme në trupin e 40-vjeçarit dhe nuk ka pasur asnjë lloj reagimi. Gjithashtu, hetimit nuk do i shpëtojnë as gardianët dhe drejtuesit e burgut të Nigritës, të cilët pas konstatimit të dhunës në trupin e Karelit, edhe pse ai refuzoi të shkonte në spital, nuk e çuan atë me detyrim atje për të marrë mjekim. Të gjitha këto momente janë duke u hetuar dhe ndërkohë pritet edhe përfundimi i analizës histologjike dhe toksikologjike për të përcaktuar vdekjen e 40-vjeçarit. Kryeprokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë të Amfissas, Nikos Antonarakou, urdhëroi një hetim urgjent për të hetuar rrethanat e vdekjes së Karelit, ndërsa ka shtuar se ka urdhëruar një hetim të plotë derisa të gjendet ku është ushtruar dhuna dhe se “fajtorët do të gjenden me çdo kosto dhe se do t’u jepet një dënim shembullor”.

 

Mediat greke

Media greke ka ngritur disa pikëpyetje për vrasjen e Ilir Karelit. Përgjegjësia bie mbi prokurorët të cilët e kaluan në heshtje faktin që shqiptari ishte torturuar dhe kishte plagë në gjoks dhe në duar. Përveç kësaj, media greke shkruan se të burgosurit i duhej dhënë ndihma e parë, pavarësisht refuzimit. Media greke ka lënë të kuptohet se Kareli është torturuar nga gardianët, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kolegut të tyre, megjithëse kjo nuk thuhet hapur. Por, në komentet e shumicës së lexuesve dënohet tendenca për vetëgjyqësi e punonjësve të burgjeve. Ndërkaq, media thekson dy momente që krijojnë pikëpyetje të mëdha lidhur me rolin e autoriteteve në parandalimin e mundshëm të fundit tragjik të Ilia Karelit. Së pari, vihet në dukje mosreagimi i prokurorisë së Amfisas, të mërkurën, kur Kareli u paraqit për të deponuar. Duke iu referuar ekspertizës mjeko- ligjore, media vëren se Kareli duhej t’i kishte shenjat e keqtrajtimit ku u paraqit në prokurori dhe rrjedhimisht ky autoritet duhej të kishte reaguar, gjë që nuk rezulton nga të dhënat e deritanishme. Dhe së dyti, autoritetet e burgut të Nigritas, kanë thënë se ai mbërriti me hematoma dhe shenja gjaku të përtharë dhe kur i tha të dërgohej tek mjeku, Kareli nuk pranoi. Ndërsa duhej t’i ofrohej menjëherë, qoftë dhe kundër dëshirës së tij, trajtim mjekësor. Gjithsesi, këto dhe pikëpyetje të tjera, pritet të sqarohen gjatë ditëve të ardhshme, në varësi edhe të ecurisë së hetimeve.

Ekspertiza

Hetimet e reja vazhdojnë krahas hetimeve për zbardhjen e rrethanave të vdekjes. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja e Ilia Karelit ka ardhur si pasojë e plagëve të rënda të shkaktuara me mjete të forta dhe një frakture në dërrasën e kraharorit. Në pëllëmbën e të ndjerit janë evidentuar edhe shenja djegieje, çka sipas mjekëve ligjorë mund të jenë shkaktuar nga një pajisje elektroshoku. Sipas mjekëve ligjore, përdorimi i kësaj pajisjeje të jep probleme aritmie dhe vdekjen ta shkakton edhe pas pesë ditëve. Gjithsesi, rrethanat e vdekjes pritet të sqarohen plotësisht kur të dalin edhe rezultatet e analizave histologjike dhe toksikologjike, pas rreth 20 ditësh.

 

Comments are closed.