Standard.al

Reforma administrative/ Jo-ja e Ramës për konsensusin në Kuvend, deri ku do shkojë mazhoranca

Gëzim Saliu

 

PD kërkon konsensus në Kuvend: Mazhoranca të reflektojë. PS: Letra, ishte mundësia e fundit

 

rama-ne-parlamentDuket se shanset për një takim të mundshëm mes kryeminisitrit Rama dhe kreut të PD-së Basha janë shuar plotësisht pas përgjigjes negative të mazhorancës ndaj kërkesës së opozitës për konsensus deri në votimin në Kuvend të reformës administrative territoriale. Në këto kushte, kur mazhoranca nga njëra anë ka avancuar me draftin e saj, ku thuajse ka kryer më shumë se gjysmën e konsultimeve në qyetetet e vendit e nga ana tjetër opozita ka shrehur qartë qëndrimin për një proces konsensual, zgjidhja e këtij ngërçi të rradhës në jetën politike në vend duket shumë larg. Në këtë mes, ndërkombëtarët përmes përfaqësuesve të lartë në vend kanë shprehur deri më tani rëndësinë e një reforme me dialog e konsensus mes palëve, duke i faturuar mazhorancës përgjegjësinë si palë kryesore e këtij procesi, për të gjetur rrugët e bashkëpunimit me opozitën.

Mazhoranca

Pas letrës së dërguar nga kryeministri, ku përmes saj Rama më shumë se sa një hapje të mazhorancës për një bashkëpunim të mundshëm me opozitën, ripërsëriti edhe një herë “lëshimet”ndaj PD-së për veton , numrin e barabartë të anëtarëve dhe drejtimin e Komisionit Parlamentar, e majta duket e vendosur për ta çuar përpara reformën administrative territoriale. Sipas burimeve pranë PS-së, thuhet se letra e kreut të qeverisë ishte mundësia e fundit e bashkëpunimit mes palëve e në këtë kontekst mazhoranca do të vazhdojë punën e nuk do të presë më opozitën. Kur drafti i qeverisë për ndarjen e re po konsultohet në qytetet kryesore të vendit, duket se mazhoranca është e vendosur për ta mbyllur këtë reformë brenda këtij sesioni parlamentar e për të bërë të mundur që zgjedhjet e ardhshme vendore të zhvillohen mbi bazën e ndarjes së re administrative të vendit. Ky qëndrim pritet të hasw në kundërshtinë e opozitës, qëndrim ky që pritet të jetë shumë herë më i ndryshëm nga ai i deritanishmi, i mjaftuar vetëm më deklarata dhe thirrje ndaj qeverisë për konsensus. Vetë kreu i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi disa ditë më parë në një intervistë televizive se nëse mazhoranca nuk do të reflektojë në qëndrimet e saj të njëanshme për një reformë me rëndësi të madhe siç është ajo administrative territoriale, do të përballet me opozitën në rrugët e sheshet e vendit.  “Reforma territoriale-administrative për nga vetë natyra që ka, nuk mund të kalojë pa konsensusin e palëve në Parlament. Ne do të vijojmë të këmbëngulim tek konsensusi, të këmbëngulim tek respektimi i standardit të konsensusit, tek respektimi i kushtetutës. Uroj që mazhoranca të reflektojë. Përndryshe ne do e presim me kushtetutë në dorë në sheshet dhe rrugët e vendit për të refuzuar çdo produkt të njëanshëm, si të dëmshëm, të padobishëm, të pavlefshëm për demokracinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë”, ka pohuar Basha. Nga ana tjetër, ndërkombëtarët kanë nënvizuar rëndësinë e kryerjes së kësaj reforme, duke theksuar në të njejtën kohë domosdoshmërinë e dialogut mes palëve. Por me vendosmërinë e mazhorancës për ta kryer këtë reformë edhe pa pjesëmarrjen e opozitës dhe paralajmërinin e të djathtës se një reformë e tillë nuk mund të kryehet kurrsesi pa konsensus, mbetet për tu parë në ditët e javët në vijim se cilat do të jenë zhvillimet politike mes palëve lidhur me këtë çështje, ku shanset e një përballjeje të “fortë” janë më të mëdha se sa ato të një konsensusi në minutat e fundit.

 

Qëndrimet

Kryeministri Edi Rama- Çfarë kërkon opozita, unë nuk arrij dot ta kuptoj. Kërkon të kushtëzojë Parlamentin, jo thjesht Komisionin?! Që do të thotë se kërkon t’i japë vetes të drejtën që ta bllokojë Komisionin dhe duke e bllokuar Komisionin të mos lejojë reformën të bëhet. Por ne nuk kemi mundësi ta shtyjmë më këtë reformë. Ne i kemi votat për ta kaluar këtë reformë. Ne e kemi filluar procesin e konsultimit të gjerë me publikun për këtë reformë.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha- Ne do të vijojmë të këmbëngulim tek konsensusi, të këmbëngulim tek respektimi i standardit të konsensusit, tek respektimi i kushtetutës . Uroj që mazhoranca të reflektojë. Përndryshe ne do ta presim me Kushtetutë në dorë në sheshet dhe rrugët e vendit për të refuzuar çdo produkt të njëanshëm, si të dëmshëm, të padobishëm, të pavlefshëm për demokracinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë.

 

 

Prishja e ndërtimeve

Berisha: Rama me dy qëndrime ndaj ligjit

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka akuzuar pasardhësin e tij Edi rama për qëndrime të dyanshme ndaj ligjit. Duke marrë për bazë ngjarjen e Mallkastrës, ku pati përplasje mes policisë dhe banorëve të ndërtimit , i cili u prish më pas nga INUK, Berisha akuzoi kreun e qeverisë se nuk ndjek të njejtën praktikë për anëtarët e përfshirë në grupin e tij parlamentar. “Ata që besojnë se Piktori i sëmurë po zbaton ligjin në prishjen e ndërtimeve gënjejnë veten. Jo dhe jo. Ai ka dy fytyra, dy qëndrime ndaj ligjit. Kështu ai, në kundërshtim flagrant me ligjin, ka hedhur në erë me tritol dhe ka prishur e po prish me terror policor ndërtime me leje, madje dhe të hipotekuara të kundërshtarëve politik, apo banesa të ndërtuara në pronë private dhe në proçes legalizimi nga emigrantë dhe qytetarë të thjeshtë të Mallakastrës, Vlorës, Dhërmiut. Ndërkohë që vazhdon ndërtimin e kështjellës së bashku me Koçon buzë uji në Qeparo, ndonëse ka dy vendime për prishjen e saj por që ai nuk lejon të zbatohen”, shkruante dje ish-kryeministri në rrjetin social “facebook”. Në të njëjtën linjë ai akuzoi se,: “Po kështu, në shkelje flagrante të ligjit, çdo ditë lartësohet kështjella e Gjushit në rërë në Durres dhe avancon pista në det, por edhe këto mbrohen nga INUK-u i Ramës kundrejt shumave marramendëse. Kësaj i thonë dyfytyrësi apo dy standarte, një për kundershtarët politikë dhe qytetarët e thjeshtë, tjetrin për veten, Koçon, Gjushët dhe kupolën e mafies së PS!”.

 

Zyrtari i DASH

Moore sot në Tiranë, takon më parë Nishanin e Bashën, Ramën në datë 3

Drejtori për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore,  rikthehet në Tiranë pas ashpërsimit të klimës politike. Zyrtari i lartë amerikan do të mbërrijë në Tiranë mbrëmjen e sotme dhe do të qëndrojë për tri ditë me radhë, ku pritet të takohet fillimisht me Presidentin Bujar Nishani dhe më pas me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Mëngjesin e 2 prillit, Moore do të marrë pjesë në referimin për “5-vjetorin e Shqipërisë në NATO”, në konferencën e organizuar nga qendra “Albanian Policy Center”. Pas konferencës, drejtori për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit do të rinisë axhendën e takimeve me krerët e shtetit dhe politikës shqiptare e ndërsa takimi me kryeminisitrin Rama pritet të zhvillohet pas kthimit të Ramës nga Gjermania, ku ai do të pritet në një takim nga kancelarja gjerman Angela Merkel.

Comments are closed.