Përplasja për emërimet /Zbardhen vendimet e gjykatave, PD: Rama mbron drejtuesit e dënuar. Kryeministria: Manipulim

0
138

Vorpsi: Sot s’ka konkurse, vendet e punës të blera. Qeveria: Në tre denoncime dëgjuam opozitën

 

vorpsi me vendim gjykateMazhoranca qeverisëse dhe Partia Demokratike përplasen për denoncimet e opozitës lidhur me drejtuesit e përzgjedhur në krye të institucioneve të vendit. Përmes zëdhënëses së saj Laura Vorpsi, PD publikoi dje vendimet e gjykatave për drejtuesit e CEZ në Durrës dhe Zyrës së Punës në Korcë, në të cilat vërtetohen sipas demokratëve, dënimet që ata kanë marrë. Për këtë fakt, Vorpsi akuzoi kryeministrin  Rama se po mbron me vetëdije drejtuesit e dënuar nga gjykata. “Po paraqesim sot (dje) para publikut dy vendimet e gjykatave të Durrësit dhe asaj të Korcës, për dy funksionarë të lartë në këto rrethe, të dënuar më parë për vepra të rënda penale.  Ja vendimi i Gjykatës së Durrësit që e dënon Plator Mehmetin, i caktuar sot nga rilindja kryeinxhinier në CEZ, me 10 muaj e 15 ditë burgim e 267 mijë lekë gjobë, për shpërdorim detyre dhe shkelje të pabarazisë në tendera. Ja vendimi i Gjykatës së Korcës që e dënon Florenc Tabakun, kreun e zyrës së punës me 6 muaj burg dhe 250 mijë lekë gjobë për falsifikim dokumentesh”, tha Vorpsi, duke treguar përpara medis dy vendimet e gjykatave. Për PD-në, qeveria dhe Kryeministri Rama, jo vetëm nuk marrin masat e duhura për dy rastet, por po bëjnë përpjekje të dëshpëruara sipas opozitës, për të mbrojtur me cdo kusht këta persona dhe për të mbuluar të shkuarën e tyre. “Kjo dukuri bëhet edhe më shqetësuese, kur Edi Rama dhe Ministrat e tij, në mes të dhjetëra e ndoshta qindra socialistëve, apo të mijëra të rinjve e të rejave të vendit të arsimuar dhe pa probleme me drejtësinë në të shkuarën, zgjedhin njerëz me precedentë penalë për t’u dhënë pushtet e privilegje. Është e qartë se kjo rilindje është vetëm e Edi Ramës dhe e të dënuarve, të cilët i kanë blerë zyrat që drejtojnë, sepse sot nuk ka meritë, nuk ka garë reale, nuk ka konkurse, nuk ka shanse të barabarta për të gjithë”, deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Reagimi

Ndaj akuzave të Partisë Demokratike në drejtim të kreut të ekzekutivit Rama, ka reaguar dje Kryeministria e cila ka bërë me dije se ka bërë verifikimin e plotë të të gjitha denoncimeve që janë bërë nga opozita dhe se në tre raste është pasuar me kërkesën për largim nga puna.  “S’ka dyshim se qeveria e ka treguar me fakte konkrete vëmendjen e plotë ndaj pretendimeve të opozitës. Konkretisht, në cdo rast kur opozita ka drejtuar gishtin në drejtim të personave të caktuar, me detyra administrative, është bërë verifikimi i plotë. Dhe në tre raste, verifikimi është pasuar me kërkesën për largim nga detyra për mospërmbushje të standardit etik në mbajtjen e një detyre. Por, fatkeqësisht, në rastet e tjera ka rezultuar së Partia Demokratike ka bërë thjesht politikën e saj të vjetër, denigruese, duke spekuluar me emra konkretë dhe mbi dokumentë të keqpërdorur, për manipulim të opinionit publik”, thuhej në reagimin e qeverisë. Më tej në deklaratë, Kryeministria hodhi poshtë akuzat e ngritura nga PD për këto dy raste, duke rinënvizuar se është e hapur për të dëgjuar opozitën në rastet kur denoncimet e saj janë të mbështetura në fakte. “Qeveria e siguron Partinë Demokratike se do të verifikojë me seriozitetin më të madh, cdo pretendim edhe në këtë drejtim dhe do të reagojë menjëherë pozitivisht për cdo rast të paraqitur me provat përkatëse.  Kjo është një kulturë e re qeverisëse dhe këtë kulturë, Qeveria do ta afirmojë si shprehjen më kuptimplotë të vetëdijes se pushteti është i njerëzve e jo anasjelltas, si deri gjashtë muaj më parë”, përfundoi reagimin e saj Kryeministria.

 

U fsheh letra e OSBE-së/PD: Memo për AMA-n e falsfikuar, kallëzim penal

Partia Demokratike e cilëson të falsifikuar Memon e Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, që thekson se Kryetarja e Komisionit të Autoritetit të Mediave Audiovizizve, Endira Bushati, që prej datës 24-shtator 2012 e në vijim qëndron në detyrë pa mandat të ligjshëm. Mbështetur mbi këtë qëndrim, deputetët e PD-së do të bëjnë kallëzim penal për Memo-n që i shërben mazhorancës të nis procedurën e shkarkimit për kryetaren e AMA-s. Deputeti demokrat, Luciano Boçi, tha dje se mazhoranca qeverisëse nuk heq dorë nga kapja e AMA-s për interesa klienteliste e ndërkoi akuzoi kryetarin e Kuvendit Ilir Meta se ka fshehur letrën e OSBE-së ku i kërkohet që të tërhiqet nga zaptimi i AMA-s dhe të procedohet me konsensus. “Pavarësisht nga pretendimet e dyshes Rama-Meta në tre javët e fundit mbi gjoja pezullimin e hyxhymit të tyre për të zaptuar institucionet e pavarura, faktet dëshmojnë qe kjo eshte demagogji. Lidhur me AMA-n, Kryeministri Rama urdhëroi tërheqjen e amendamentit Peza 2, por këtë vetëm pasi partneri Meta kishte urdhëruar Shërbimin e Monitorimit që, në kundërshtim me ligjin, me faktet e me veten, të shpallte të shkarkuar kryetaren e AMA-s. Ndërkohë kryetari i Kuvendit Meta fsheh letrën e OSBE ku i kërkohet që të tërhiqet nga zaptimi i AMA-s dhe te procedohet me konsensus. Po kështu eshtë  shprehur zyrtarisht edhe Komisioni Europian”, u shpreh deputeti demokrat. Sipas  tij, javën e shkuar në thyerje te Rregullores së Kuvendit dhe në kushtet e shpërdorimit të detyrës, një memo e falsifikuar e Shërbimit të Monitorimit u tentua të futej për vendimmarrje në axhendën e Komisionit të Edukimit e Medias nën presionin e përfaqësuesve të mazhorancës. “Shqiptarët duhet ta dinë se pas këtij insistimi të pashembullt të Rama-Meta-s për kapjen e AMA qëndrojnë edhe  interesa të pastra financiare dhe klienteliste pas vendimeve të fundit të AMA-s; këto vendime në shërbim të teleshikuesve në mbarë Shqipërinë do të sjellin uljen e ndjeshme të cmimit të kartës dixhitale si dhe shikimin falas te televizioneve kombëtare. Deputetët e PD do të bëjnë kallëzim penal për përgjegjësit e këtij falsifikimi dhe do të kundërshtojnë cdo tentativë Rama-Meta për zaptimin e AMA-s”, bëri të ditur ligjvënësi i PD-së Luciano Boçi.

 

 

 

Raportimi i ministres /PD i përgjigjet Haritos, Kaso: Shifra të pasakta për shkarkimet nga puna. 3200 ankesa te selia blu

Opozita kundërshton shifrat e raportuara nga ministrja për Administratën dhe Inovacionin Milena Harito lidhur me shkarkimet nga puna, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe shumë larg realitetit. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso tha dje se shifrat e ministres bien në kontraditë, jo vetëm me të dhënat e opozitës, por dhe me raportimin fragmentarë të ministrive. “Shifra që nuk i përgjigjen në asnjë mënyrë realitetit, nuk e dimë nga e ka këta informacion ministrja. Informacioni që në rastin më të mirë është i pasaktë, bie ndesh jo vetëm me informacionin tonë që është i bazuar në të dhëna të sakta dhe të detajtuara, por bie ndesh edhe me informacionin e paktë të ofruar deri më sot nga ministritë të ndryshme, ku vetëm nga Ministria e Drejtësisë janë larguar mbi 800 punonjës dhe vendet e të cilëve janë zëvendësuar nga punonjës të tjetër që nuk dimë se si janë rekrutuar, se si kanë konkuruar dhe aq më pak se si janë emëruar në ato vende pune”, u shpreh ai në një prononcim për oranews. Më tej, Kaso bëri të ditur se nuk ka asnjë shenjë reflektimi nga ana e qeverisë sa i përket shkarkimeve në administratë. “Përsëri vërejmë që ka një proçes të pandërprerë spastrimesh nga puna për motive kryesisht politike dhe vijon një procedurë rekrutimi e panderprerë e cila nuk reflekton në asnjë mënyrë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Sipas përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike nga përditësimi i fundit i të dhënave në selinë blu, janë vërejtur se ka rreth 3200 ankesa të nëpunësve që kundërshtojnë shkarkimin e tyre nga punë në mënyrë abuzive e ndërsa në total theksoi ai, shifra shkon der në 7000 persona.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency